Botë

Skocia sfidon Britaninë: Vetëm gjykata e ndal referendumin e pavarësisë

Një paralajmërim të tillë, ministrja Nicola Sturgeon, e ka bërë teksa mbështetësit e pavarësisë i kanë quajtur zgjedhjet e së enjtes si më të rëndësishmet në historinë e vendit, pasi që nëse e fitojnë shumicën në Parlament atëherë do ta çojnë përpara mbajtjen e një referendumi të ri për shkëputje nga Mbretëria e Bashkuar

Ministrja e parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, ka sfiduar të martën kryeministrin britanik, Boris Johnson, për ta çuar në gjyq refuzimin e tij rreth një tjetër referendumi të pavarësisë së vendit, duke pretenduar se vetëm gjykatat mund ta parandalojnë mbajtjen e një votimi të ri të këtillë.

Një paralajmërim të tillë Sturgeon e ka bërë teksa mbështetësit e pavarësisë i kanë quajtur zgjedhjet e së enjtes si më të rëndësishmet në historinë e vendit, pasi që nëse e fitojnë shumicën në Parlament, atëherë do ta çojnë përpara mbajtjen e një referendumi të ri për shkëputje nga Mbretëria e Bashkuar.

“Them se nëse Boris Johnsoni synon që ta ndalë referendumin, atëherë do të duhet të ndërmarrë veprime ligjore”, ka thënë Sturgeon. “Nëse nuk e bën, atëherë sipas definicionit referendumi do të ishte ligjor. Nëse megjithëkëtë e bën, gjykatat do të vendosin për gjithçka”.

Partia Nacionaliste Skoceze e Sturgeonit (SNP) është në shtegun e duhur për ta siguruar shumicën në Parlament pas zgjedhjeve të së enjtes. Hera e vetme kur SNP-ja kishte fituar shumicën ishte më 2011, kur kryeministri i atëhershëm britanik, David Cameron, i ishte nënshtruar presionit dhe kishte pranuar mbajtjen e referendumit skocez më 2014. Asokohe, 55 për qind e skocezëve kishin votuar për mbetje në Mbretëri kundruall 45 për qind të atyre që kishin zgjedhur të shkëputeshin nga unioni më se 300-vjeçar.

Mirëpo, edhe nëse e fiton shumicën, nuk ekzistojnë rregulla të definuara qartë se si Skocia do të mund ta çonte përpara opsionin e referendumit të ri. Qeveria britanike ka bërë të ditur se ligji nënkupton që Skocia do të duhet që ta kërkojë lejen e Parlamentit, porse kryeministri Johnson vazhdimisht ka hedhur poshtë jetësimin e një kërkese të tillë. Pa një shteg të qartë demokratik, SNP-së do t’i duhet që ta përdorë opsionin e presionit politik, moral apo ligjor për kërkesën. Johnson ka insistuar disa herë se çështja e referendumit është mbyllur shtatë vjet më parë dhe se votim tjetër nuk do të mund të ketë deri më 2050.

“Krejt kjo do të rezultonte me një ‘luftë të llogoreve politike’ midis qeverisë skoceze dhe asaj britanike se kush ka fuqinë më të madhe për thirrjen e një referendumi”, ka thënë James Mitchell, profesor i shkencave politike në Universitetin e Edinburgut, duke folur për agjencinë Reuters. “Lëvizja e pavarësisë do të prodhonte protesta rrugore dhe pengesa politike për ta lartësuar atë që thuhet se është mohim i së drejtës të Skocisë për të vendosur për fatin e saj. Do të krijohej një situatë shumë e nxehtë”, ka shtuar ai.

Ekziston megjithëkëtë, një pranim i gjerë midis liderëve politikë të Britanisë se Skocia, e cila i është bashkuar Anglisë më 1707, nuk mund të ngujohet përgjithmonë në union përkundër vullnetit të saj demokratik. Rreziku me të cilin përballet Qeveria britanike është se me anë të refuzimit të referendumit do ta rris mbështetjen e skocezëve për pavarësi.

Sturgeon është zotuar që në rast se SNP-ja fiton dhe kur pandemia COVID-19 të marrë fund, ajo do ta kalojë ligjin për mbajtjen e referendumit të ri deri në fund të vitit 2023. Më pastaj do të sfidojë Qeverinë në Londër për ta kontestuar vendimin në gjykatë.

Sipas Aktit të Skocisë nga 1998-a, “Unioni i Mbretërive të Skocisë dhe Anglisë” është çështje e rezervuar e Parlamentit britanik. Megjithëkëtë, çështja kurrë nuk është sprovuar në gjykatë ndërsa avokatët dhe akademikët kanë mospajtime nëse Parlamenti skocez do të kishte kompetenca për thirrjen e referendumit.

David Hope, ish-zëvendëskryetar i Gjykatës Supreme të Britanisë së Madhe, ka thënë se Akti Skocez është një pengesë për qeverinë skoceze.

“Ata janë të ngujuar përbrenda një statuti, i cili është përpiluar në mënyrë shumë të kujdesshme. Aty figurojnë argumente të respektueshme që thonë se ligji për referendum do të ishte nën kompetenca të shpërndara”, ka thënë profesori Aileen McHarg, ekspert i së drejtës kushtetuese në Universitetin Durham.

Më herët, Sturgeon pretendonte se do të kërkonte shkëputje vetëm nëpërmjet një referendumi ligjor. Ajo tani është duke u përballur me presionin e nacionalistëve për të hequr dorë nga kjo strategji dhe për ta thirrur mbajtjen e referendumit pa lejen e Parlamentit britanik. Por, unionistët mund ta bojkotojnë votimin dhe të pretendojnë se masa nuk ka legjitimitet.

Nëse lëvizja e pavarësisë do ta mbante referendumin pa pajtimin e qeverisë qendrore, atëherë do të mund të kishte telashe edhe në sigurimin e njohjes ndërkombëtare, po qe se votimi prodhon shkëputje.

Kjo gjë do ta pasqyronte një situatë të ngjashme sikurse në Spanjë rreth referendumit katalonjas të pavarësisë katër vjet më parë, kur qeveria rajonale kishte votuar në atë që qeveria qendrore e kishte cilësuar si referendum i paligjshëm.

Michael Keating, profesor i shkencave politike në Universitetin e Aberdeenit, ka thënë se nëse partitë pro-pavarësisë i fitojnë zgjedhjet, atëherë Qeveria britanike në fund do të duhej që të zmbrapsej. Ndryshe, unioni është i bazuar në parimin se çdo vend mund të largohet po qe se do, ka theksuar ai. “Nëse njerëzit votojnë për partitë nacionaliste, si mund të thoni se ata nuk e duan një tjetër referendum? Nuk mund të thoni ‘jo’ përgjithmonë”. \ AP-Reuters