Botë

Rezistenca ndaj vaksinimit

Komunitetet si Greeneville dhe rrethinat e tij - rurale, me shumicë dërrmuese republikanë, të krishterë, 95 për qind të bardhë - janë në radarin e presidentit Biden dhe të zyrtarëve amerikanë të shëndetësisë, përderisa përpjekjet për ta vaksinuar pjesën më të madhe të popullsisë amerikane po hyjnë drejt një faze kritike

Greeneville, SHBA, 2 maj - “Pra, a e keni marrë vaksinën?”.

Pyetja, një përshëndetje miqësore për Betty Smithin, gruan e pastorit, qëndroi në ajër përderisa katër gratë e kishës u ulën për të pirë kafe dhe për të biseduar si zakonisht në Ingles Market.

Smith ngurroi të përgjigjej, duke ndier një shpërthim të ftohtë gjykimi nga një njeri që nuk bartte maskë. Ajo ia përplasi një jo.

Kur po e mendonte këtë çast më vonë, ajo psherëtiu: “Ndodheshim atje për ta njohur më mirë njëra-tjetrën, por gjëja e parë që u përmend ishte vaksina kundër COVID-19”.

Kjo gjë ka ndikuar që bashkëshorti i saj, kleriku David Smith, të mos ndihet rehat. "Sinqerisht, uroj që njerëzit të mos pyesin”, ka thënë ai, duke biseduar pas lutjeve të natës së të mërkurës në Kishën Baptiste Tusculum. “Mendoj se nuk është punë për ta. Dhe thjesht po i përçan njerëzit”.

Gjersa pranvera e bukur mbulon tërë Tennesseen Verilindore, vaksina COVID-19 po përçan miq, familje, kolegë.

“Kujt i bindesh?”

"Është bërë rrëmujë", ka thënë Meredith Shrader, mjeke, e cila drejton një sallë për tubime së bashku me bashkëshortin e saj, pastor po ashtu, dhe i cili thekson se zgjedhja është shndërruar në diçka më të madhe sesa një çështje shëndetësore. “Kujt i bindesh?”.

Komunitetet si Greeneville dhe rrethinat e tij - rurale, me shumicë dërrmuese republikanë, të krishterë, 95 për qind të bardhë - janë në radarin e presidentit Biden dhe të zyrtarëve amerikanë të shëndetësisë, përderisa përpjekjet për ta vaksinuar pjesën më të madhe të popullsisë amerikane po hyjnë drejt në fazë kritike. Këto janë vendet, ku sipas sondazheve, rezistenca ndaj vaksinës është më këmbëngulëse. Përderisa fushatat që kanë për synim t’i bindin komunitetet latine dhe ato të njerëzve me ngjyrë, për t’ua larguar mosbesimin ndaj vaksinave, janë treguar goxha të suksesshme, qytetet si këto gjithashtu do të duhet të binden për t’u arritur qëllimi i imunizimit të tërë vendit.

Por një javë në qarkun Greene zbulon një ngurrim më të theksuar dhe më të shtresuar sesa tregojnë sondazhet. Njerëzit thonë se politika nuk është arsyeja kryesore që ndodhet prapa qëndrimeve të tyre ndaj vaksinave. Arsyeja më e zakonshme është frika - se vaksina është krijuar me nxitim, se efektet anësore afatgjata janë të panjohura. Vendimi i tyre është gjithashtu i ngatërruar në një rrjet pikëpamjesh rreth autonomisë trupore, shkencës dhe autoritetit, po ashtu me një imazh të fuqishëm rajonal, disi të romanizuar për veten: Nuk na pëlqen që të huajt të ndërhyjnë në punët tona.

Luhatjet

Sipas statistikave të Departamentit shtetëror të shëndetësisë, 31 për qind e popullsisë që ka pranuar t’i marrë vaksinat në qarkun Greene e ka marrë të paktën një dozë, shifër mjaft e vogël kundruall shifrës së përgjithshme në Tennessee, e cila ka një nga shifrat më të ulëta në vend, dhe shifër shumë më e ulët krahasuar me objektivin kombëtar të caktuar nga qendrat për parandalim dhe kontrollim kombëtar të sëmundjeve, që është 55 për qind. Përderisa shumë të moshuar tashmë janë vaksinuar, është hapur mundësia për të gjithë të rriturit, mirëpo qendrat e vaksinimit janë pothuajse të shkreta.

Bisedat që mund t’i dëgjoni tregojnë se për shumë njerëz rezistenca nuk është e fortë. Të tronditur nga lajthitjet në internet, shumë njerëz janë të uritur për informata të drejtpërdrejta prej njerëzve që u besojnë. Të tjerët kanë nevoja praktike, si pushim me pagesë për t'u shëruar nga efektet anësore, dhe që administrata e Bidenit ka kërkuar nga punëdhënësit që t’ua sigurojnë një diçka të tillë, ose mundësinë për ta marrë vaksinën nga vetë mjeku i tyre.

Ajo që mungon është një mit që mund t’i inkurajojë njerëzit që ngurrojnë për ta bërë hapin kyç.

Çështje besimi

Qarku Greene është i mbështjellë me qindra kisha ungjillore që dallojnë nga ndërtesat e shekullit të 19-të me hambarët në prapavijë. Njerëzit mbijetojnë me bujqësi, punë në fabrikat e vogla, me paratë prej pensionistëve që vendosen në një vend të lirë dhe të lumtur. Por COVID-19 e ka goditur rajonin fuqishëm gjatë këtij dimër. Njëmbëdhjetë njerëz nga rrethi i gjerë i Jim dhe Rita Fletcherit vdiqën prej tij. Megjithëkëtë, Fletcherët, që kanë jetuar në Greene tërë jetën, nuk do ta marrin vaksinën.

“Thjesht, nuk shoh kurrfarë përfitimi”

Ata pyesin, nuk shohin ndonjë arsye për ta marrë. Sipas tyre, pavarësisht se çfarë bëni, qeveria do të kërkojë që të bartni maska në ambiente të mbyllura. “Thjesht, nuk shoh kurrfarë përfitimi”, ka thënë Rita Fletcher, gjatë kohës kur çifti po priste të vizitohej te mjeku familjar.

As shkenca dhe as statistikat për vaksinën e re nuk i kanë zbutur. Pensionistët 70-vjeçarë, dikur ishin inxhinier i telekomit, Jim Fletcher, dhe sekretare dhe kontabiliste, Rita.

Por Fletcherët janë të shqetësuar se vaksina përmban substanca që shkaktojnë abort të fetusit (gjë që s’është e vërtetë). Nuk i besojnë Qeverisë dhe janë të bindur se ka manipuluar me shifrat e rasteve me COVID-19.

“Mendoj se thjesht na kanë mashtruar”, ka thënë Jim.

Njerëzit u besojnë shumë deklaratave të politikanëve, por i besojnë Walt Cross, pronarit të “Mustard Seed”, një dyqan në Newport pak mbi kufirin e qarkut, që e ka marrë emrin nga Ungjilli i Mateut dhe shet barna, ushqime të shëndetshme dhe prodhime vendore.

Cross, që punon vullnetarisht si shef i zjarrfikëseve në qarkun Cocke, është një burrë i gjatë, i butë, me sy të kaltër dhe me një zë të ngrohtë malor nga Tennessee , qoftë kur e përshkruan metodën e tij të preferuar për t’i zgjuar njerëzit që kanë humbur ndjenjat nga amoniaku i thithur, qoftë kur u përgjigjet pyetjeve nga pacientët me COVID-19 rreth mënyrës së trajtimit të simptomave (hidratohuni, hani, merrni ekstrakte bimore, vendosni kompresa të nxehta dhe të ftohta). Para se të shkojnë te mjeku, shumë njerëz e telefonojnë Crossin ose pasi ilaçet e mjekut nuk duket se po funksionojnë.

Edhe pse babai i tij vdiq nga COVID-19, Cross nuk do ta marrë vaksinën. “Erdhëm me vaksina shumë shpejt!” ka thënë ai. Ndonëse nuk do që t'u thotë njerëzve nëse duhet ta marrin ose jo, por ai prer ka thënë, “Tregohuni të kujdesshëm”.

Cross, i cili ligjëron në tërë vendin dhe në Ruandë në lidhje me masat parandaluese shëndetësore, po e studion mjekësinë naturopatike. Dyqani i tij ka gjëra të dashura nga banorët dhe njerëzit i quajnë këto javë të prillit “dimri i kuqërremtë” - ftohtësia e pranverës, gjatë së cilës pemët e kuqërremta mbushen me lulet rozë.

“Sepse është Zoti ai që shëron”

Ai tallet me perceptimin që njerëzit këtu ngurrojnë t’i marrin vaksinat thjesht sepse ata, njëjtë si ai, janë republikanë. “Kjo nuk ka kuptim për mua”, ka thënë ai. “Trump e solli vaksinën”. Sikurse kjo do të kishte të bënte me përkatësi politike, ai vazhdoi, "ju do të shkonit dhe do ta merrnit!”. Por, sipas tij, njerëzit mendojnë se vaksina është shumë e ndërthurur me politikën.

Cross shpjegon se në Appalachia entuziazmi me të cilin njerëzit e kundërshtojnë vaksinën nxitet nga historia dhe tradita. Për shekuj me radhë kolonët skocezë-irlandezë u futën në male për t'iu shmangur rekrutimit të ushtrisë dhe mbledhësve të taksave.

Faison, liridashës dhe i krishterë, ka shtuar, “Kështu që ne nuk pranojmë që Qeveria të na vendosë rregulla, duke na bërë presion për të bërë diçka”. Kjo pikëpamje mbështetet nga një fatalizëm fetar, pozitiv. Njerëzit thonë se nëse nuk janë infektuar me koronavirus qe një vit, do ta provojnë fatin se çfarë do të ndodhë. Është e vërtetë se mund të infektohen dhe të vdesin. Por, sido që të ndodhë, do të fitojnë: jetë më e gjatë në Tokë ose, për besimtarët, jetë të përjetshme në Parajsë.

“Për secilin person është caktuar koha se kur do të vdesë”, ka thënë Reuben Smucker, pastor në Greeneville, që punon si instalues i dyerve të garazheve. “Duhet të kujdesemi për trupat tanë fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht, por nëse ka ardhur koha që të shkoj dhe është nga COVID-19, atëherë ka ardhur koha ime për të shkuar”.

Pasi Cross, një i moshuar në një kishë, i këshillon pacientët me COVID-19, ai lutet me ta. “Kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë ai. “Sepse është Zoti ai që shëron”.