Botë

Kriza në hije e BE-së

Diplomatët dhe zyrtarët flasin hapur se CDU-ja e Gjermanisë tani është më e dobët sesa pesë vjet më parë. Sipas tyre, tani duket një parti krejt tjetër

Ka qenë pjesë e pandashme e jetës në Gjermani për 16 vjet. Mirëpo tani, stabiliteti politik që e ka gëzuar vendi për aq kohë të gjatë nën drejtimin e Angela Merkelit po merr fund, teksa po përgatitet të largohet nga pozita e kancelares.

Në një raport special, televizioni amerikan CNN shkruan se deri në muajt e fundit konsensusi ishte se pavarësisht dorëheqjes dhe mundësisë që pasardhësi i saj të garojë në zgjedhjet federale të shtatorit, Unioni kristiandemokrat i Merkelit dhe partia simotër, Unioni kristian socialdemokrat (CSU) në Bavari, do të ishin forcë dominuese në politikën gjermane.

“Gjatë javës së kaluar, një sondazh befas vendosi partinë e gjelbër para CDU-së me një dallim prej shtatë për qind. Teksa burimet e CDU-së e hodhën poshtë këtë sondazh si rritje e pritur e popullaritetit pasi konfirmuan Annalena Baerbock si kandidaten e tyre për kancelare, ndërsa prej kohësh është pritur se koalicioni i ardhshëm gjerman do të përfshinte partinë e gjelbër në ndonjë mënyrë”, vlerëson CNN-i.

Sondazhet e mëvonshme gjithashtu kanë vendosur të Gjelbrit përpara partisë së Merkelit në “Pyetjen e së dielës”, sondazh i përjavshëm që ndjek mendimin e gjermanëve se si do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele. “Edhe nëse të Gjelbrit nuk fitojnë shumicën, një pjesë e mjaftueshme e votave do ta detyronte CDU-në që t’u ofronte të Gjelbërve një marrëveshje të mirë koalicioni sepse nuk kanë shumë opsione për partnerë”, thotë Cathryn Clüver Ashbrook, drejtoreshë ekzekutive e Projektit mbi Evropën dhe Marrëdhëniet Transatlantike në Harvard Kennedy School.

Përkundër këtij vrulli të të Gjelbërve, vlerëson CNN-i, pak njerëz presin ndonjë ndryshim rrënjësor të politikës në Gjermani, pasi CDU-ja ka miratuar shumë politika të gjelbra në vitet e fundit dhe të Gjelbrit janë zhvendosur në krahun e djathtë për t’u bërë parti centriste.

Në fakt, Cem Özdemir, politikan i vjetër i të Gjelbërve, thotë se partia e tij nuk do të ndryshonte rrënjësisht politikën gjermane mbi NATO-n, politikën evropiane ose mbështetjen për Izraelin, tri tema që në të kaluarën kanë qenë goxha të diskutuara brenda Gjermanisë.

Fundi i epokës

Image

E dyta nga ato çështje duhet të jetë komoditeti për grupin më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel. Gjermania, si shteti më i pasur dhe më i madh përbrenda bllokut përçon ndikim të madh në drejtimin e përgjithshëm të projektit evropian. Nën Merkelin, Gjermania ishte plotësisht mbështetëse e agjendës së BE-së dhe herë pas here tregonte peshën e saj duke bllokuar disa propozime.

“Pavarësisht se partia me sa duket kishte pak oreks për të bërë ndryshime rrënjësore brenda BE-së, një fitore e partisë së Gjelbër në Gjermani do të shënonte një fund simbolik të një epoke në Bruksel”, vlerëson CNN-i në analizën për Merkelin dhe të ardhmen e Gjermanisë pa pushtetin e saj.

Partia Popullore Evropiane (EPP), një grup pan-evropian i qendrës së djathtë me anëtarë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, është forca politike dominuese në Bruksel. Ajo ka më shumë udhëheqës të zgjedhur se çdo bllok tjetër politik në BE dhe është më i përfaqësuari, si në Parlamentin Evropian ashtu edhe në Komision.

“Të thuash që udhëheqja e EPP-së është në përshtatje me kancelarin gjerman do të ishte nënvlerësim. Dhe Ursula von der Leyen, presidentja aktuale e Komisionit dhe anëtare e EPP-së, ka shërbyer më parë në kabinetin e Merkelit. Të mos kesh më një konservator të qendrës së djathtë në Bundeskanzleramt do të ishte tregues i fortë se partitë tradicionale të Evropës akoma po përballen me një të ardhme të pasigurt”, shkruan CNN-i.

Daniel Freund, eurodeputet gjerman i Partisë së Gjelbër, shpjegon se dy nga forcat më të mëdha në politikën evropiane, ngritja e politikës progresive kundrejt populizmit nacionalist të krahut të djathtë, ka shtrydhur parti si CDU-ja nga të dyja anët.

Rënia e CDU-së

“CDU-ja për një kohë ka qenë parti formuese, duke u përshtatur ndaj cilitdo kërcënim. Jo shumë kohë më parë ishte e djathta ekstreme AfD (Alternative für Deutschland) kështu kjo parti nisi politikat anti-Evropë dhe anti-imigrim. Tani ne po hamë votat e saj, kështu që ka kuptim që do të lëvizte më në përputhje me ne”, thotë ai.

Diplomatët dhe zyrtarët thonë se flasin hapur që CDU-ja tani është më e dobët sesa pesë vjet më parë. Sipas tyre, tani duket një parti krejt tjetër.

“Me plot sinqeritet, Von der Leyen mund të jetë shumë lehtë anëtare e partisë së Gjelbër nëse shikojmë ato në të cilat beson ajo”, thotë një diplomat gjerman.

Edhe në rast se të Gjelbrit nuk fitojnë, një koalicion i Gjelbër dhe i Zi (CDU/CSU) duket gjithnjë e më i mundshëm dhe shumica e vëzhguesve në Bruksel mendojnë se do të ishte krejtësisht i qëndrueshëm. Sidoqoftë, brenda pak më shumë se një viti, ky koalicion mund të përplaset me vullkanin tjetër që pritet të shpërthejë në politikën evropiane.

Nacionalizmi francez

Image

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Francës po duken larg prej të sigurtave për Emmanuel Macronin. Sondazhi i “Politicos” për synimet e votimit të vitit 2022 e vendos Marine Le Pen, udhëheqësen e “National Rally” të ekstremit të djathtë, një pikë përpara Macronit. Partia e saj doli në krye të zgjedhjeve të fundit evropiane dhe qartë po kërcënon Macronin që po zhvendoset drejt Le Penit për çështje të tilla si imigrimi dhe është akuzuar për islamofobi në lidhje me komentet e tij të fundit ndaj luftës kundër radikalizmit.

“Kushdo që ka kaluar kohë në Bruksel e di se nëse doni të kryeni punë në Evropë, duhet të keni përkrahjen e francezëve dhe gjermanëve. Një qeveri e Gjelbër-Zi në Gjermani dhe presidenca e Le Penit në Francë mund ta bëjnë këtë jashtëzakonisht të vështirë”, vlerëson CNN-i.

“Është vështirë të shohësh se si një Gjermani progresive, me forcë pro-BE-së dhe një Francë nacionaliste do të ishin në gjendje të binin dakord mbi çështje të mëdha siç janë politika jonë e përbashkët për Kinën dhe Rusinë”, thotë një diplomat evropian.

Le Pen është e njohur për lidhjet me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe mund të bëhet problem nëse ajo shërben si bllokadë e përpjekjeve evropiane për t’i dënuar sjelljet e këqija të Rusisë në Ukrainë, në keqtrajtimin e figurave opozitare dhe në agresionin e saj të gjerë në të gjithë botën.

“Dhe teksa Partia e Gjelbër ka sjellje interesante për çështjen e Kinës, në një koalicion ka të ngjarë që Gjermania do të vazhdojë politikën e saj të përpjekjes për të ndikuar në një tregti më të madhe me Kinën. Le Pen nuk ka folur shumë për Kinën, por ka tërhequr vërejtjen kundër izolimit të Rusisë deri në atë pikë sa ta shtyjë atë në krahët e Kinës, gjë që mund të supozojmë se do të thotë se ka ndonjë armiqësi”, shkruan CNN-i.

Më shqetësuese për integrimin evropian, Le Pen nuk dëshiron të imitojë Mbretërinë e Bashkuar me një “Frexit”, por së bashku me nacionalistët të marrë kontrollin e problemit përbrenda. Ka shumë politikanë të tillë të shpërndarë në të gjithë bllokun dhe një nacionaliste që fiton presidencën franceze do të ishte fitorja e tyre më e madhe që nga zgjedhja e Donald Trumpit president i SHBA-së në vitin 2016.

Politika evropiane po ndryshon më shpejt sesa shumë në Bruksel janë të gatshëm ta pranojnë. “Ne tashmë kemi parë çarje të mëdha midis Francës dhe Gjermanisë me Macronin në krye. Ajo që mund të ndodhë me Le Penin është krejt e panjohur”, thotë Clüver.

“Unë mendoj se njerëzit janë thjesht shumë të paralizuar nga frika për të menduar për këtë, por në realitet, është shumë më e rrezikshme se kriza e eurozonës”, shton Clüver.

Edhe në rast të fitores së CDU-së dhe Macronit, struktura politike në Bruksel duhet të pranojë që oreksi për diçka ndryshe ka nisur të krijohet për një kohë të gjatë. Nëse nuk përgatitet në mënyrë adekuate, mund të zbulojë që miqtë e vjetër në Paris dhe Berlin ndalojnë të jenë aq respektues ndaj një stili të udhëheqjes që është gjithnjë e më jo tërheqës për votuesit e tyre.

Përktheu: Gent Mehmeti