Botë

Sistemi në kolaps, India po përjeton ferrin e COVID-19

Shumë kanë besuar se India e ka mundur koronavirusin. Tani, spitaleve po u mbaron oksigjeni dhe trupat po grumbullohen në morg.

Para një mase njerëzish pa maska të mbledhur në tubimin politik, kryeministri indian Narendra Modi, me krenari pranoi se ai asnjëherë nuk kishte parë turmë më të madhe. As ai nuk kishte maskë.

Të njëjtën ditë, India regjistroi rekord rastesh me COVID-19, 234 mijë raste për 24 orë, shkruan The Guardian.

Vendi është katandisur në tragjedi të përmasave të mëdha. Gati 1.6 milionë raste janë regjistruar në një javë, me numrin total mbi 15 milionë. Spitalet kanë mbushur kapacitetet e tyre, por këtë herë shtretërit po i zënë më të rinjtë - 65 për qind e rasteve janë nën moshën 40-vjeç.

Derisa përhapja e paparë e virusit është parë si shkak i varianteve të reja, qeveria e Modit po ashtu është akuzuar për dështime në lidershipin politik që nga fillimi.

Mjeku Amit Thadhani, drejtor i spitalit Niramaya në Mumbai, po trajton vetëm pacientët me COVID-19 dhe ka thënë se ka paralajmëruar se një valë tjetër infektimesh do të vijë në shkurt, porse e kanë injoruar. Tani thotë se spitali i tij është i mbushur dhe “nëse një pacient lirohet, shtrati zihet brenda minutash”.

“Ka njerëz në radhë jashtë spitalit që po përpiqen të hyjnë brenda çdo ditë dhe po pranojmë thirrje çdo 30 sekonda nga dikush që përpiqet ta gjejë një shtrat”, shtoi ai.

Ai vlerësoi se këtë herë në valën e dytë, virusi ka qenë “shumë më shumë agresiv” dhe i përhapur. “Tani janë njerëzit 20-30-vjeç që po vijnë me simptoma të rënda dhe ka shumë raste të vdekjes tek të rinjt”.

Twitteri dhe Facebooku janë bërë hapësira të stërmbushura që qindra mijëra lutjeve urgjente për ndihmë për të gjetur shtretër në spitale, oksigjen, remdesivir, ilaçe, etj. Të vdekurit nga ana tjetër kanë mbingarkuar krematoriumet dhe varrezat në Uttar Pradesh, Gujarat dhe Delhi më shpejt se sa që mund të digjen trupat.

Një dekret i qeverisë bëri që i gjithë oksigjeni i destinuar për përdorim industrial, të dërgohet në spitale për të përmbushur kërkesën. Për transportin e tyre do të sigurohen trenat e posaçëm, ndërsa mijëra shtretër për COVID-19 gjithashtu janë aranzhuar nëpër trenat.

Megjithatë, ende ka frikë se është vonë. “Serioziteti i situatës duhej të kuptohej muaj më parë, por në vend të saj qeveritë ishin në mohim dhe dhanë mesazhin se virusi nuk është aq i rrezikshëm më”, tha Thadhani. “Kam frikë se ende nuk e kemi parë më të keqen”.