Botë

Tensionet në Ukrainë testojnë miqësinë komplekse Putin-Erdogan

Descriptive Text

Miqësia komplekse midis dyshesh ka mbijetuar sfida të shumta, nisur prej rastit të rrëzimit të një aeroplani luftarak rus nga Turqia afër kufirit sirian e deri te ngatërresat rreth Libisë e Nagorno-Karabhakut. Por “Ukraina është një rrëfim krejtësisht ndryshe”, ka thënë Gonul Tol, drejtoreshë e programit për Turqi të Institutit të Washingtonit për Lindje të Mesme

Për shumëkënd fotografitë e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, tek shijojnë bashkë akullore në një ditë vere, ka portretizuar marrëdhënien e ngushtë midis dy liderëve autoritarë, që e gëzojnë reputacionin e të qenët mes “të urryerve” të Perëndimit.

Pamja e hareshme ishte kapur gjatë një demonstrimi të forcës ajrore në Moskë gjatë gushtit të 2019-s, një muaj pasi që Turqia anëtare në NATO i kishte pranuar raketat ruse S-400, duke e nxitur përjashtimin e saj nga programi trajnues për pilotët e aeroplanëve amerikanë dhe zbatimin e sanksioneve të kufizuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas raportimit të transmetuesit “Al-Jazeera”, miqësia komplekse midis dyshesh ka mbijetuar sfida të shumta, nisur prej rastit të rrëzimit të një aeroplani luftarak rus nga Turqia afër kufirit sirian e deri te ngatërresat rreth Libisë e Nagorno-Karabhakut. Por tensionimet e fundit – midis Rusisë dhe Ukrainës në kufijtë e kësaj të fundit – mund të dëshmohen të jenë ndryshe, duke e pasur parasysh ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Rusisë në territorin që ajo e konsideron si “në oborr të shtëpisë së saj”.

“Ukraina është një rrëfim krejtësisht ndryshe”, ka thënë Gonul Tol, drejtoreshë e programit për Turqi të Institutit të Washingtonit për Lindje të Mesme. “Ekziston një partneritet i ngushtë i mbrojtjes që Turqia e kishte kultivuar me Ukrainën gjatë pesë a gjashtë vjetëve të fundit, e cila është përnjëmend e rëndësishme për Ukrainën”, ka shtuar ajo për “Al-Jazeera”.

“Por Rusia e konsideron rajonin lindor ukrainas të Donbasit si pjesë të Rusisë së Madhe. Në mendësinë e Putinit, Ukraina përfaqëson një hapësirë shumë më të rëndësishme se kaq. Kjo do të thotë se ai do të bëhet edhe më agresiv në mbrojtjen e asaj që e konsideron si të drejtë të vetëm sovrane”.

Në gjithë këtë mes, ani pse në dukje pa ndonjë interes, Turqia ka implikime shumë të thella. Ankaraja zyrtare ka lidhje historike dhe etnike me tatarët e Krimesë, për ç’arsye edhe e kishte dënuar aneksimin e gadishullit ukrainas nga Rusia më 2014-n, ndonëse nuk i kishte pasuar vendet e tjera në zbatimin e sanksioneve.

Kjo ngase, sipas analistëve që kanë folur për “Al-Jazeeran”, ekzistojnë ngjashmëri të shumta që e lidhin Erdoganin me Putinin. Pikësëpari, që të dy i shohin vlerat liberale demokratike si kërcënim; i janë qepur autoritarizmit në rritje; dhe mbështeten në tema historike dhe fetare për riformësimin e identitetit kombëtar.

Ama “ngjitësi” që e vulos lidhjen e tyre është i natyrës ekonomike, veçmas energjetike.

Turqia ka mungesë të resurseve ekonomike dhe prej kohësh ka kthyer sytë kah Rusia për furnizime.

Ideologjikisht, si Turqia ashtu edhe Rusia, janë të lidhura përreth qëndrimit antiperëndimor, të nxitura nga ankesat – Rusia, shkaku se partnerët e saj të dikurshëm lindorë evropianë janë përqendruar në anëtarësimin NATO dhe në Bashkimin Evropian, ndërsa Turqia pasi që konsideron se shpresat e saja për anëtarësim në BE janë përherë e më të zbehura.

“Ato kanë një marrëdhënie të ngjashme me Perëndimin, ani pse Rusia paksa më të tensionuar”, ka thënë për “Al-Jazeeran” analistja Anna Mikulska. “Andaj edhe po flasim për boshtin e të përjashtuarve, ku që të dyja vendet janë të zhgënjyera me atë që Perëndimi u ka ofruar”. Por ka shtuar se mes dy vendeve “ekzistojnë më shumë gjëra që i ndajnë sesa që i përbashkojnë”.

Ndërkaq puna e “kthimit” të Turqisë kah Rusia shihet “së tepërmi e mundur”.

“Turqia nuk e ka asnjë interes që t’ia lehtësojë Rusisë zgjerimin e zonës së saj të ndikimit”, ka thënë Selim Sazak, drejtor kërkimor në Strategjinë TUM në Ankara, duke folur për rrjetin “AJ”. “Sa më afër që Rusia ju vjen, aq më të mëdha janë gjasat që të kapërdiheni nga ariu rus”, ka përfunduar ai.