Botë

“Rusia ka vendosur 150 mijë trupa në kufi me Ukrainën dhe në Krime”

“Janë më shumë se 150 mijë trupa ruse që po mblidhen në kufijtë ukrainas dhe në Krime. Rreziku i përshkallëzimit është evident”, ka deklaruar Borrell, duke refuzuar ta bëjë të ditur burimin e të dhënave, pas adresimit të ministrit të Jashtëm të Ukrainës para homologëve të shteteve anëtare të BE-së

Rusia ka vendosur më shumë se 150 mijë trupa në kufirin e Ukrainës dhe në Krimenë e aneksuar, ka deklaruar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pasi ministrat e jashtëm të bllokut dëgjuan deklarimet e hollësishme të homologut të tyre ukrainas për gjendjen në terren.

“Janë më shumë se 150 mijë trupa ruse që po mblidhen në kufijtë ukrainas dhe në Krime. Rreziku i përshkallëzimit është evident”, ka deklaruar Borrell, duke refuzuar që ta bëjë të ditur burimin e të dhënave.

Ai ka thënë se nuk janë planifikuar sanksione të reja ekonomike ose dëbime të diplomatëve rusë tani për tani, pavarësisht se deklaroi se përqendrimi i trupave ruse në kufijtë e Ukrainës është më i madhi i të gjitha kohërave.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, pas adresimit para shefave të diplomacive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ka bërë thirrje që blloku t’i vërë sanksione të reja Rusisë.

Tensionet ndërmjet Moskës dhe Kievit janë ngritur së fundmi në kulmin e pranisë ushtarake dhe përleshjeve në Ukrainën Lindore ndërmjet ushtrisë dhe separatistëve prorusë.

Ukraina është vetëm njëra prej pikave për të cilat po përplasen Rusia dhe Perëndimi. Rusia ka njoftuar po të hënën se 20 diplomatë të Republikës Çeke do të dëbohen pasi çekët dëbuan 18 diplomatë rusë. Diplomatët rusë dyshohet se ishin operativë të inteligjencës, të përfshirë në një shpërthim në një bazë municioni në Çeki më 2014, ku mbetën të vdekur dy persona. Dy rusë të dyshuar se kishin kryer një sulm me agjent nervor në Britani të Madhe më 2018 tani po ndërlidhen edhe me shpërthimin.

Moska u ka dhënë diplomatëve çekë vetëm një ditë për t’u larguar, derisa Çekia ua ka dhënë rusëve 72 orë.

Ministria e Jashtme ruse e ka quajtur “akt armiqësor” dhe “të pashembullt” vendimin çek. “Në dëshirën e tyre për t’ia bërë qejfin SHBA-së në vazhdën e sanksioneve të fundit amerikane kundër Rusisë, autoritetet çeke i tejkaluan edhe politikat e tyre”, thuhet në një deklaratë të shkruar të Ministrisë së Jashtme ruse.

Autoritetet çeke thonë se diplomatët besohet se ishin pjesë e shërbimeve sekrete ruse. Këto pretendime i ka hedhur poshtë si të pabaza pala ruse. Madje i ka vlerësuar edhe si absurde. Shpërthimi kishte hedhur në erë një depo municioni në një pyll në Vrbetice në Republikën Çeke më 16 tetor 2014.

Ndërkohë, mediat londineze kanë raportuar se luftanijet britanike do të lundrojnë drejt Detit të Zi në maj në kulmin e tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Janë cituar burime të larta brenda hierarkisë komanduese të flotës ishullore.

Ekspedita synon t’i dëshmojë solidaritet Ukrainës dhe aleatëve të NATO-s. Ka raportuar “The Sunday Times”. Aty ndodhet edhe një mjet shkatërrues me raketa anti-ajrore dhe anti-nëndetëse që do të marrin udhë nga Mesdheu nëpërmjet Bosforit në Detin e Zi, thuhet në raport.

Zyrtarët në Ministrinë e Mbrojtjes së Britanisë nuk kanë dashur ta komentojnë shkrimin.

Një zëdhënës i Ministrisë ka thënë se Qeveria britanike po punon ngushtësisht me Ukrainën për të monitoruar gjendjen dhe se po vazhdon t’i bëjë thirrje Rusisë që ta përshkallëzojë situatën.

“Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë ndërkombëtarë janë të palëkundur në përkrahjen tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, ka cituar “Sunday Times” burimin brenda Ministrisë së Mbrojtjes. \ AP-Reuters