Botë

Rusia konfirmon prodhimin e vaksinës “Sputnik V” në Serbi

Descriptive Text

Fondi Rus për Investime Direkte (RFPI) ka njoftuar se në institutin “Torlak” në Beograd, ka nisur prodhimi i vaksinave për COVID-19, “Sputnik V”, shkruan të enjten “B92”.

Sipas njoftimit, vaksinat e prodhuara në Beograd do të shpërndahen për vendet e rajonit.

“RFPI dhe Instituti për Virologji ‘Torlak’ njoftojnë se ka nisur prodhimi i vaksinave ruse kundër koronavirusit ‘Sputnik V’ në Serbi”, thuhet në komunikatën që përcjellin mediat serbe.

Kësisoj, Serbia bëhet vendi i radhës kur prodhohet vaksina ruse dhe e vetmja në këtë pjesë të Evropës.

Vaksina “Sputnik V” është zhvilluar nga Instituti për kërkime epidemiologjike dhe mikrobiologjike “Gamaleya” dhe është e para që është futur në përdorim te qytetarët, ndonëse pa miratim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe organizatave tjera ndërkombëtare, kompetente për të dhënë leje.