Botë

NATO-ja do të tërheqë forcat nga Afganistani bashkë me SHBA-në

Koalicioni i trupave të NATO-s në Afganistan pritet që të largohet nga vendi në koordinim me tërheqjen e planifikuar të ushtrisë amerikane, më 11 shtator.

Më shumë se 7 mijë trupa të NATO-s aktualisht janë të stacionuara në Afganistan, së bashku me 2 mijë e 500 ushtarë amerikanë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se ka ardhur koha që aleatët e NATO-s të tërhiqen bashkërisht nga Afganistani.

Ministrat e NATO-s pritet që të diskutojnë gjatë së mërkurës për planet e tjera, por një diplomat i aleancës ka bërë të ditur se asnjë anëtar nuk do të kundërshtojë vendimin e presidentit amerikan, Joe Biden, që deri më 11 shtator të realizohet tërheqja e plotë e ushtrisë amerikane.

Ky vendim i Bidenit përbën shkëputje nga vendimi i administratës së mëhershme të presidentit, Donald Trump, për largimin e trupave nga vendi deri më 1 maj.