Botë

Dorëheqjet në polici nuk i ndalin protestat në Minnesota

Dorëheqjet e shefit të policisë dhe polices që shtiu në drejtim të një afro-amerikani në Minnesota nuk kanë ndikuar në ndaljen e protestave për vrasjen e së dielës.

Shefi i policisë, Tim Gannon, dhe policja Kim Potter kanë dhënë ofruar dorëheqjet nga detyrat e tyre në forcat e qytetit Brooklyn Center.

Policja Potter ka pretenduar se e kishte vrarë aksidentalisht Daunte Wrightin, kur në vend të armës elektrike e kishte nxjerrë revolen. Pavarësisht dorëheqjeve, përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë vazhduar për natën e tretë radhazi.

Të martën në mbrëmje, protestuesit kanë sulmuar stacionin policor me shishe xhami dhe gjëra të tjera të forta, ndërkaq policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe plumba gome. Më shumë se 60 persona janë arrestuar, ka konfirmuar policia në Minnesota.

Në një protestë tjetër në Portland të Oregonit, më shumë se 100 persona marshuan drejt stacionit policor gjatë tubimit të cilësuar si rebelim.

Portlandi gjatë vitit të kaluar ishte epiqendër e protestave të mëdha kundër vrasjes së afro-amerikanit tjetër, George Floyd, nga zyrtarët policorë.