Botë

SHBA-ja rekomandon “pauzimin” e përdorimit të vaksinës “J&J”, sherri i mpiksjes së gjakut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rekomanduar të martën një “pauzë” në administrimin e vaksinës njëdozëshe kundër COVID-19 të kompanisë “Johnson & Johnson” me qëllim të hulumtimit të raporteve mbi shkaktimin potencial të mpiksjes së rrezikshme të gjakut.

Qendrat amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse dhe Administrata për Barna kanë njoftuar se i kanë nisur hulumtimet rreth rasteve të mpiksjes së gjakut mes gjashtë grave, të shfaqura pak ditë pas vaksinimit.

Deri më tani, mbi 6.8 milionë doza të kësaj vaksine janë administruar në SHBA.

Si rrjedhojë e rekomandimit, të gjitha kanalet federale amerikane të shpërndarjes, përfshirë qendrat e mëdha të vaksinimit, do ta ndalojnë përdorimin e kurës së “Johnson & Jonsonit”, teksa pritet që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe shtetet dhe furnizuesit e tjerë.

Komiteti këshillues për Imunizim pritet që të takohet të mërkurën për t’i shqyrtuar rastet teksa FDA-ja do të ndërmarrë një hulumtim të veçantë rreth rasteve.

Zëvendësdrejtoresha e Qendrave për Sëmundje Ngjitëse, Anne Schuchat dhe drejtori i Qendrës për Evoluime dhe Kërkime Biologjike në FDA, Peter Marks, kanë theksuar se rekomandimi për ndaljen e përdorimit do të vlejë deri në përmbylljen e hulumtimeve.