Botë

PE kërkon ngrirjen e negociatave për anëtarësimin e Turqisë në BE

Parlamenti Evropian (PE) kërkoi sot ngrirjen e negociatave të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian (BE), nëse reforma kushtetuese, që do t’i japë më shumë pushtet presidentit Recep Tayyip Erdogan, do të zbatohet.

Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit evropian i kërkoi Bashkimit Evropian dhe 28 shteteve anëtare të ndërpresin zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Turqinë për një kohë të shkurtër nëse reforma kushtetuese do të zbatohej, raporton AFP.

Kjo reformë, miratuar gjatë referendumit të 16 prillit, do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve legjislative dhe presidenciale në Turqi, parashikuar të mbahen më 3 nëntor 2019.

Ajo parashikon heqjen e disa kompetencave nga kryeministri dhe kalimin te presidenti, që do të mund të marrë dekretet dhe do të ketë pushtet mbi pushtetin gjyqësor.

Ky veprim, nga pozita është cilësuar një reformë e nevojshme për të garantuar stabilitetin e vendit, por është kritikuar ashpër nga opozita që shikon një devijim autoritar të Erdogan.

“Deputetët evropianë janë të shqetësuar nga regresi i Turqisë presa i përket shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, lirisë së medias dhe luftës kundër korrupsionit”, thuhet në një komunikatë të Parlamentit Evropian