Botë

“Mos lini asnjë të gjallë” – shfarosja e një etnie

Agjencia “Associated Press” ka shpalosur dëshmi për gjenocidin që po bëhet ndaj një etnie në Etiopi. Shumë prej njerëzve kanë parë me sy kur të afërmit po u pushkatoheshin dhe masakroheshin

Mizoritë janë futur nën lëkurën dhe në mendjet e tigrajësve që në mijëra kanë ikur nga Etiopia verore.

Mezi u mbijetojnë temperaturave që shkojnë mbi 38 gradë celsius, teksa i mbartin në trup plagët e plumbave, vazhdët e përdhunimeve e shenjat e dallueshme të goditjeve me kamxhik në shpinë. Më pak të dukshme janë makthet që i zgjojnë nga gjumi: pamjet e dhjetëra trupave të shpërndarë në brigjet e lumenjve. Rebelët që përdhunojnë gratë një nga një, veç pse flasin gjuhën e tyre. Një fëmijë, thatanik nga uria, i braktisur.

Për herë të parë, grupi etnik Tigray ka sjellë provat e një përpjekjeje të spastrimit etnik në një lloj letërnjoftimi që zhduk të gjitha gjurmët e këtij grupi etnik, konfirmuan nëntë refugjatë nga komunitete të ndryshme. Të shkruara në një gjuhë jo të veten dhe të publikuara nga autoritetet e një grup tjetër etnik, letërnjoftimet janë provat më të reja të përpjekjes sistematike të Qeverisë së Etiopisë dhe aleatëve të saj për shfarosjen e popullatës tigray.

Autoritetet në Amhara, që tani udhëheqin në qytetin e afërt të Humeras, morën letërnjoftimin origjinal të Seid Mussa Omarit dhe e dogjën, thotë infermieri fjalëbutë. Në letërnjoftimin e tij të ri, të lëshuar në janar, dallohen gjuha dhe vula amharic, me një dizajn zemrash përreth. Fjala “tigray” është zhdukur me rrënjë.

“E mbajta t’ia tregoj botës”, thotë Seid. Shton se vetëm 10 nga 400 të etnisë së tij janë sigurt të gjallë. Të tjerët kanë ikur ose janë vrarë.

“Ky është gjenocid...shfarosja e Tigrayit është qëllimi i vetëm”.

Spastrim i pastër etnik

Ajo që filloi si një mosmarrëveshje politike në një nga vendet më të fuqishme dhe të populluara të Afrikës është shndërruar në një fushatë të spastrimit etnik kundër pakicës Tigray, vlerëson AP-ja, bazuar në 30 intervistat që zhvilloi me refugjatët në Sudan.

Qeveria etiopiane e fituesit të Çmimit Nobel për Paqe, Abiy Ahmed, akuzohet për bashkim me grupin e tij etnik - nëna e tij ishte e etnisë Amhara - dhe ushtarë nga Eritrea fqinje për të ndëshkuar rreth gjashtë milionë njerëz. Dëshmitarët thonë se pjesën më të madhe të territorit të Tigray e kanë ndarë në dy pjesë. Dëshmitarët thonë se perëndimin e kontrollon Amhara, ndërkaq në lindje janë forcat e Eritresë.

Etiopia pretendon se jeta në Tigray po i kthehet normalitetit, ndërkaq presidenti konfliktin e ka quajtur si “shumë të lodhshëm”. Mirëpo refugjatët dëshmojnë se dhuna nuk është ndalur. Vrasjet e mijëra njerëzve, përdhunimet, plaçkitjet dhe djegiet e të korrurave mund ta përfshijnë rajonin në uri të madhe.

Me muaj të tërë, etnia Tigray ishte e ndarë nga bota. Pa energji elektrike dhe telefona të konfiskuar, e kishin të pamundur të mbështesnin akuzat për spastrim etnik. Ama, kjo ka nisur të ndryshojë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë muajit mars pohoi se në perëndim të Tigray ka ndodhur “spastrim etnik”, duke shënuar herën e parë që një zyrtar i lartë i komunitetit ndërkombëtar e cilëson të tillë rastin në Tigray. Termi “spastrim etnik” i referohet largimit me dhunë të një popullsie, shpesh edhe me vrasje.

Refugjatët rrëfyen për AP-në se autoritetet e Amhara dhe forcat aleate në perëndim të Tigray kanë në kontroll të komunitetet, duke i urdhëruar tigrayanët që të ikin ose t’i tubojnë. Një refugjat nga Humera e Goitom Hagos dëshmoi se ka parë qindra tigrayan të futen nëpër kamionë dhe nuk e di se çfarë ndodhi me ta.

Image

Amhara tani kontrollon disa zyra qeveritare në perëndim të Tigrayt dhe vendos se kush kujt i përket. Ky grup madje vendos edhe nëse Tigray duhet të ekzistojë. Disa urdhërohen që të pranojnë identitetin Ahara ose të largohen. Të tjerët gjithsesi urdhërohen të ikin, thonë refugjatët.

Lemlem Gebrehiwet ishte detyruar të ikte teksa po përjetonte ditët e fundit të shtatzënisë. Lindi tri ditë pasi arriti në Sudan. I kujtohet se autoritetet e reja i thanë se “Ky vend është Amhara”.

Në drojë për vajzën që kishte në bark, mezi i kuptonte.

“Ndoshta kemi bërë diçka keq”, thoshte me vete.

Infermieri Seid iku nga Humera në ditët e para të konfliktit kur spitali i tij u bë cak i një sulmi të rëndë. Dëgjonte britmat e të plagosurve dhe shihte kolegët e tij të vrarë. U kthye në muajin janar me shpresën se kushtet ishin përmirësuar, ashtu siç premtoi Qeveria e nobelistit Abiy.

Premtimi nuk qe mbajtur. Shtëpinë ia kishin plaçkitur. Tigrayanët e mbetur ishin pleq, gra dhe fëmijë. Ishin urdhëruar që të mos flisnin gjuhën amë, tigrinya.

Në spital, tigrayanët paguanin për shërbime. Ata të etnisë Amhara falas. Të gjithë që shkonin në spital duhej të flisnin vetëm gjuhën amharaic. Stafi i etnisë tigray nuk paguhej teksa çdo natë punonin nën krisma armësh.

Dhjetë ditë pas kthimit në spital, Seid u zmbraps në Sudan. Në një vendkalim me pluhur, refugjatët kalojnë ditët flakëruese në ulëse plastike nën hijen e kashtës. Qëndrojnë aty, ani pse të vetëdijshëm për rrezikun. Presin me shpresën se të dashurit e humbur do të mund të ikin nga Tigray.

Konflikti nisi në nëntorin e vitit të kaluar. Është konflikt i politikës së shkuar dhe të tashmes. Krejt ekzistenca e Etiopisë është në pikëpyetje nga ky konflikt.

Përplasja politike

Liderët e Tigray kontrolluan Qeverinë për gati tri dekada, duke krijuar shtete rajonale në bazë të etnisë. Mirëpo kur Abiy mori pushtetin në vitin 2018, nisi lëvizjet për centralizim të pushtetit. La anash udhëheqësit e Tigray dhe bëri paqe me Eritrean pas disa vitesh luftë. Kështu fitoi çmimin Nobel për Paqe.

Kur zgjedhjet e vitit të kaluar u vonuan, udhëheqësit e Tigray sfiduan Abiyn duke e cilësuar mandatin e tij si të paligjshëm dhe mbajtën zgjedhjet e veta. Pas kësaj qeverie nisi ofensivën ushtarake me arsyetimin se forcat e Tigray sulmuan një bazë ushtarake.

“Qeveria federale po përpiqet të luajë rolin e një mbreti. Ne në Tigray refuzojmë”, thotë refugjatja Nega Chekole.

Në përgjigje ndaj pretendimeve se Amhara po urdhëron largimin e etnisë Tigray dhe po lëshon në qarkullim letërnjoftime të reja, zëdhënësja e kryeministrit, Billene Seyoum, thotë se zona është nën një administratë të përkohshme që ka gjithë zyrtarët nga “po i njëjti rajon”.

Qeveria e Etiopisë thotë se hedh poshtë të gjitha nocionet dhe praktikat e spastrimit etnik dhe se kurrë nuk do të tolerojë praktika të tilla e as nuk do të mbyllë sytë ndaj krimeve të tilla. Dëshmitarët thonë të kundërtën. Pothuajse të gjithë të intervistuarit nga AP-ja kanë dëshmuar të kenë parë të afërmit e tyre tigrayanë duke u vrarë ose edhe të vrarë e të lënë përtokë.

Në qytetin me shumë grupe etnike, Belaynesh Beyene e mori vesh se sa vlenin jetën e tigrayanëve të vegjël.

Përjetim tmerri

Image

Në ditët e para të luftimeve, Beyene thotë të ketë parë 24 trupa nëpër rrugët e Danshas në perëndim të Tigrayt. Gjyshes 58-vjeçare dhe banorëve të tjerë iu ndalua varrimi i tyre nga milicitë Amhara. Ky tmerr që përjetuan njerëzit Tigray ishte fyerje përtej pikëllimit që përjetonin për fëmijët e vrarë. Kjo formë e fyerjes është vetëm për trupat pajetë të etnisë Tigray.

“Aksidentalisht vranë një anëtar të etnisë Ormo në një familje tigray”, rrëfen ajo. “Kur e kuptuan për gabimin, erdhën dhe e varrosën”.

Zëdhënësi i qeverisë rajonale të Amharas, Gizachew Muluneh, nuk u është përgjigjur pyetjeve të AP-së. Amhara thotë se po kthen tokën që dikur i përkiste.

Ushtarët nga Eritrea, armiq të udhëheqësve të arratisur të Tigray, janë fajtorë për abuzimet më të rënda të të drejtave të njeriut. Përballë presionit, Abiy në muajin mars deklaroi se ushtarët e Eritresë do të largohen. Këtë e tha kur për një kohë të gjatë mohoi praninë e tyre në Etiopi. Mësuesja nga Zalambessa, Hiwot Hadush, thotë se shumë njerëz u vranë nëpër shtëpi kur ushtarët e Eritresë hapën zjarr “derë më derë”.

“Me sytë e mi i pashë kur edhe pse të vdekur ata qëlloheshin me dhjetëra herë”, thotë ajo. “Kam parë shumë trupa, madje edhe priftërinjtë i vranë. I vranë të gjithë ata të etnisë Tigray”.

Në komunitetin tjetër Irob në afërsi të kufirit, prodhuesi i mobilieve, Awalom Mebrahtom, i fshehur përreth, kishte parë ushtarët e Eritresë teksa urdhëruan 18 tigrayanë, kryesisht të rinj, të shtriheshin përtokë. U qëlluan për vdekje njëri pas tjetrit.

Vrasjet vazhdojnë. Në fillimmars, pas muajve të tërë ikjeje, 30-vjeçarja Alem Mebrahtu në dëshpërim tentoi kalimin e kufirit në lumin Tekeze. E ndarë nga tre fëmijët në fillim të konfliktit, kishte dëgjuar se gjendeshin në Sudan.

Gratë simpatike të grupit etnik Wolkait lutën ushtarët nga Eritrea që Alemin ta kalonte lumin. E shtynin atë që t’u thoshte se i përkiste grupit të tyre etnik. Rrena pati sukses, por iu rrokullis kokës ajo që mund t’i kishte ndodhur nëse do të zihej në rrenë.

Trupa të vdekurish ishte mbushur i gjithë bregu i lumit. Thotë se me sy numëroi nja 50 kufoma. “Disa ishin me fytyrë poshtë. Disa shikonin drejt qiellit”, thotë ajo.

Nga lodhja që i shihej përtej syve, Alem filloi të qante. Atje në afërsi të lumit, përballë vdekjes, lotët nuk i rrodhën. Thotë se ushtarët e Eritresë i rrihnin për vdekje ata që pikëlloheshin.

Samrawit Weldegerima që kishte arritur dy javë më herët në Hamadayet, gjithashtu pa të vdekur në bregun e lumit. Numëroi shtatë.

“Kur i pashë u tmerrova. Mendova se kisha vdekur”, thotë Samrawit teksa prek barkun, tash gjashtë muajshe shtatzënë.

Ata që kaluan lumin mësuan se Amhara po drejton perëndimin e Tigrayt. Shtëpia e Alemit në Humera është e mbushur me milicë Amhara. Ua kërkoi rrobat e veta, por i thanë se i kanë djegur. E porositën që të dilte jashtë.

(Vijon)