Botë

Nga frika e “humbjes së kontrollit”, Franca mbyllet për të tretën herë

Nën masën e “izolimit të kufizuar”, regjimi i orës policore do të mbetet në fuqi, udhëtimet e brendshme do të jenë të kufizuara, ndërsa qytetarëve do t’u kërkohet që të punojnë nga shtëpia. Çerdhet, shkollat fillore dhe ato të mesme do të jenë të mbyllura për të paktën tri javë, ka thënë presidenti, Emmanuel Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shpallur të mërkurën kufizime më të rrepta mbarëkombëtare për frenimin e përhapjes së koronavirusit, duke thënë se vendi duhet të marrë “një drejtim të ri” në qasjen e luftimit të COVID-19, ose përndryshe rrezikon që ta “humbasë kontrollin” mbi virusin.

Masat do të nisin së zbatuari të shtunën dhe do të zgjasin për të paktën një muaj, ka thënë Macroni në një adresim televiziv para kombit.

Nën masën e “izolimit të kufizuar”, regjimi i orës policore do të mbetet në fuqi, udhëtimet e brendshme do të jenë të kufizuara, ndërsa qytetarëve do t’u kërkohet që të punojnë nga shtëpia. Çerdhet, shkollat fillore dhe ato të mesme do të jenë të mbyllura për të paktën tri javë, ka thënë Macroni.

Varianti i ri i koronavirusit, i identifikuar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, ka krijuar një “epidemi përbrenda epidemisë” dhe është më i përhapur dhe më vdekjeprurës, ka shtuar ai. Pothuajse 44 për qind e të gjithë pacientëve me COVID-19 të shtrirë në njësitet e përkujdesjes shëndetësore në Francë janë nën moshën 65-vjeçare, ka thënë presidenti.

Ai ka insistuar se Franca deri më tani ka bërë “zgjidhjet e duhura”, por ka shtuar se disa javët e fundit vaksinimi “është përshpejtuar” dhe “gjërat kanë ndryshuar”.

Macroni është përballur me kritika të shtuara për qasjen e tij karshi ngritjes së fundit të rasteve me COVID-19. Administrata e tij deri më tani ka favorizuar kufizimet rajonale përpara izolimeve të ashpra mbarëkombëtare të zbatuara në vendet e tjera evropiane, me gjithë këshillat e Këshillit Shkencor francez.

Në adresimin e tij televiziv, Macroni ka thënë se Franca do t’i zgjerojë kufizimet që veçse janë në fuqi në 19 rajonet e shtetit nëpër të gjithë vendin.

“Nëse e bëjmë këtë zgjedhje për t’i zgjeruar ato në të gjithë territorin metropolitan, kjo ndodh për shkak se asnjë rajon metropolitan nuk është kursyer”, ka thënë ai. “Këto javët e fundit jemi duke u përballur me një situatë të re. Kemi hyrë në një garë shpejtësie”, ka shtuar ai.

“Andaj duhet ta vendosim veten në një kornizë të re, për muajt në vijim”.

Presidenti francez ka bërë të ditur se shkollat do të rihapen gradualisht në fund të prillit, duke i përfshirë çerdhet dhe shkollat fillore, ndërkaq nga 3 maji do të hapen edhe shkollat e mesme.

I përballur me zgjedhjet e ardhshme, Macroni e ka justifikuar strategjinë e tij rajonale, duke thënë se vendi duhet që ta marrë parasysh shëndetin mendor të qytetarëve dhe ekonominë në shqyrtimin e masave për përgjigje ndaj valës së tretë të përhapjes së koronavirusit.

Por deri të martën, më shumë se 28.000 persona ishin në trajtim spitalor për COVID-19 në Francë, përfshirë 5.072 sa janë në përkujdesje intensive, kanë treguar të dhënat e Ministrisë franceze të Shëndetësisë.

Pjesa më e madhe e Evropës aktualisht është duke bërë përpjekje për frenimin e valës së tretë të COVID-19, e nxitur pjesërisht nga shfaqja e varianteve të reja, të cilat bazuar në studimet e mëhershme janë më të bartshme dhe potencialisht më vdekjeprurëse se ato të mëparshmet. Sikurse shumë shtete të BE-së, Franca është përballur me vaksinim të ngadaltë të qytetarëve, pasi që kompanitë prodhuese nuk i kanë përmbushur caqet e shpërndarjes së dhjetëra miliona dozave.

Macroni ka thënë gjatë javës së kaluar se përshpejtimi i procesit të vaksinimit është “prioritet kombëtar”, por ka pranuar gjithashtu se shtetet evropiane kanë pasur mungesë “të ambicies” për sigurimin e vaksinave.

Më shumë se 7.50 milionë qytetarë në Francë, apo rreth 11 për qind e popullatës së gjithmbarshme, janë vaksinuar deri më tani me të paktën njërën prej dy dozave të domosdoshme të vaksinave, kanë treguar të dhënat e Qeverisë.