Botë

Prokuroria argumenton se polici Chauvin i “ndrydhi jetën” Floydit

Prokurori Jerry Blackwell, nga Zyra e prokurorit të përgjithshëm në Minnesota, i shfaqi pamjet nga kamera e telefonit celular të një kalimtari, në të cilin Chauvini shihet tek ia shtyp me gju qafën 46-vjeçarit Floyd, duke thënë se Chauvini e “përplas për tokë dhe e ndrydh deri në frymën e tij të fundit – jo, zonja dhe zotërinj – derisa vetë jeta të ndrydhet prej tij”

Ish-polici nga Minneapolisi, Derek Chauvin, ka “ndrydhur jetën” nga George Floydi derisa e kishte arrestuar afroamerikanin në majin e vitit të shkuar, ka thënë të hënën një prokuror, duke folur para jurisë në deklaratën hapëse të gjykimit për vrasje kundër ish-zyrtarit të policisë.

Arrestimi me fatalitet ishte kapur nga fokusi i kamerave të kalimtarëve të rastit, kamerat e sigurisë dhe nga kamerat e vendosura në trup të policëve, duke nxitur protesta globale kundër padrejtësisë racore. Ndërkaq, një pamje e xhiruar nga dy kënde të ndryshme është shfaqur të hënën para jurisë.

Prokurori Jerry Blackwell, nga zyra e prokurorit të përgjithshëm në Minnesota, ka thënë para përfaqësuesve të jurisë se policët, të cilët bartin distinktivë të policisë së Minneapolisit, kishin dhënë betimin për të mos përdorur kurrë “forcë të panevojshme apo dhunë”.

“Do të mësoni se më 25 maj, Derek Chauvin ka tradhtuar distinktivin e tij, kur ka përdorur forcë të tepruar dhe të panevojshme mbi trupin e George Floydit”, ka thënë Blackwell, duke iu adresuar jurisë në fillim të procesit. Ai i shfaqi pamjet nga kamera e telefonit celular të një kalimtari, në të cilin Chauvini shihet tek ia shtyp me gju qafën 46-vjeçarit Floyd, duke thënë se Chauvini e “përplas për tokë dhe e ndrydhë deri në frymën e tij të fundit – jo, zonja dhe zotërinj – derisa vetë jeta të ndrydhet prej tij”.

Para nisjes së procesit, pas zvarritjeve të gjata për zgjedhjen e jurisë, Philonise Floyd, vëllai i George Floydit, ka thënë se beson që Chauvini do të dënohet.

“Videoja është dëshmi e pastër”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, 45-vjeçari Chauvin është shprehur i pafajshëm për akuzën e vrasjes së shkallës së dytë dhe të shkallës së tretë, teksa avokatët e tij kanë argumentuar se shkaku i vdekjes së Floydit, të përcaktuar nga ekzaminuesi shtetëror si vrasje nga shtypja e policit, ishte dozimi i tepruar me narkotikë. Chauvini përballet me dënimin prej 40 vjetësh burgim, po qe se shpallet fajtor për akuzat më të rënda. Departamenti policor në Minneapolis i kishte shkarkuar Chauvinin dhe tre policë të tjetër, të përfshirë në ngjarjen e arrestimit fatal të Floydit.

Avokati i palës mbrojtëse, Eric Nelson, ka përshkruar Floydin në deklaratën e tij 25-minutëshe të hapjes si një përdorues droge dhe person me probleme shëndetësore.

“Derek Chauvin ka bërë pikërisht atë për të cilën edhe ishte trajnuar ta bënte gjatë karrierës së tij 19-vjeçare”, ka thënë Nelson. “Përdorimi i forcës nuk është i hirshëm, por është një komponent i nevojshëm i punës policore”.

Pas kësaj, prokurorët kanë paralajmëruar jurinë që t’i anashkalojnë argumentet e mbrojtjes se vdekja e Floydit ishte shkaktuar nga mbidozimi me opoidë.

“Kështu nuk duket mbidozimi nga opoidët”, ka thënë ai, duke aluduar në pamjet e momenteve të vdekjes së Floydit.

Dëshmitarja e parë e ftuar nga prokurorët të hënën ishte Jena Scurry, dispeçerja e linjës së emergjencave në Minneapolis, e cila dërgoi forcat policore në dyqanin Cup Foods dhe i shikoi pamjet e drejtpërdrejta të kamerave që e shfaqnin ndalimin e veturës policore dhe ballafaqimin e katër policëve me Floydin. Ajo ka thënë se i shikoi pamjet e alarmuar.

“Instinkti në ato momente më tha se diçka nuk po shkonte si duhet”, ka thënë Scurry, e cila më pas e thirri eprorin e saj. Procesi ndaj Chauvinit do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.