Botë

Mbi 100 të vrarë vetëm brenda një dite, kërkohet ndërhyrja ndërkombëtare në Birmani

Zyrtarë të të drejtave të njerëzve i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë më shumë për të ndalur vrasjet në Birmani.

Kjo thirrje ka ardhur në ditën më të përgjakshme të këtij shteti ku vetëm gjatë ditës së shtunë u vranë më shumë se 100 persona në protestat që u zhvilluan në dhjetëra qytete të Birmanisë.

“Fjalët të cilat paraqesin dënimin ose shqetësimin për këto ngjarje janë të pakta tani kur ushtria atje po kryen vrasje masive kundër popullatës së saj”, ka thënë reportuesi i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njerëzve në Birmani, Tom Andrews.

Të paktën 114 persona janë vrarë gjatë ditës së shtunë në protestat që janë zhvilluar në 44 qytete në të gjithë Birmaninë, duke u bërë kështu dita më e përgjakshme që nga 1 shkurti, kur kanë nisur protestat kundër grusht-shtetit të ushtrisë, shkruan CNN, transmeton Koha.net. Në mesin e të vrarëve është edhe një vajzë 13 vjeçare të cilën e kanë kapur plumbat në shtëpinë e saj pas gjuajtjeve me armë të ushtrisë në rajonin e Mandalayt. Ndërkohë, që kur kanë nisur protestat, janë vrarë të paktën 20 fëmijë në të gjithë Birmaninë.