Botë

Trumpi minimizon 6 janarin: Mbështetësit i “puthnin e përqafonin” policët

Descriptive Text

“Kërcënimi ishte zero, qysh prej fillimit, kishte zero kërcënim. Shikoni, ata shkuan aty, nuk duhej ta kishin bërë. Disa prej tyre shkuan, dhe kanë përqafuar dhe puthur policinë dhe rojat, e dini, kishin marrëdhënie të jashtëzakonshme. Disa shkuan qetësisht, hynë brenda e pastaj dolën dhe hynë të tjerë”, ka thënë Trumpi për Laura Ingrahamin e “Fox Newsit”

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është përpjekur të premten që ta “pastrojë” historikun e kryengritjes së 6 janarit në Capitol, duke dalë me sugjerimin e paqenë se mbështetësit e tij po “i përqafonin dhe puthnin” policët dhe se përbënin “zero kërcënim” me gjithë dhunën e kudopranishme, lëndimit të zyrtarëve të zbatimit të rendit dhe pesë vdekjeve.

Deklaratat e fundit, agjencia amerikane e lajmeve CNN i ka vlerësuar si përpjekje neveritëse të Trumpit për ta rishkruar historinë e kryengritjes, të cilën ai e kishte shkaktuar nëpërmjet pretendimeve të vazhdueshme dhe të rreme se zgjedhjet e 2020-s i ishin vjedhur.

“Dëshmi për manipulim të rezultateve nga zgjedhjet e 3 nëntorit të shkuar nuk ka pasur, por megjithëkëtë Trumpi dhe shumë aleatë të tij konservatorë në media dhe në Capitol kanë vazhduar që ta çojnë përpara ‘gënjeshtrën e madhe’”, ka shkruar CNN.

I ftuar në “Fox News” gjatë së premtes, Trumpi është pyetur nëse është i shqetësuar rreth cenimit të sigurisë në Capitol, përfshirë detyrimin për vendosjen e rrethojave me tela, të cilat ai më herët i kishte cilësuar si “të turpshme” dhe “manovër politike”.

“Kërcënimi ishte zero, qysh prej fillimit, kishte zero kërcënim. Shikoni, ata shkuan aty, nuk duhej ta kishin bërë. Disa prej tyre shkuan, dhe kanë përqafuar dhe puthur policinë dhe rojat, e dini, kishin marrëdhënie të jashtëzakonshme. Disa shkuan qetësisht, hynë brenda e pastaj dolën dhe hynë të tjerë”, ka thënë Trumpi për Laura Ingrahamin e “Fox Newsit”.

Tentimet më të fundit të Trumpit për ta minimizuar ngjarjen, e cila u cilësua si sulm ndaj demokracisë amerikane, janë bërë në kohën kur bota është vërshuar me dëshmitë filmike të dhunës që shpërtheu më 6 janar, ngritjes së padive penale ndaj pjesëmarrësve, dëshmive të zyrtarëve të rendit dhe përshkrimi i përjetimeve të frikshme të ligjvënësve në ditën e dhunës.

Trumpi duket se ka sugjeruar se disa prej kryengritësve duhet të përballen me reperkusione, por shumë shpejt e ktheu kahun dhe e sulmoi lëvizjen majtiste Antifa, një cak ky i njohur i tij, të cilin shpesh e citon për të tërhequr një baraspeshë të rreme dhe minimizimin e krimeve të kryera në emër të tij, ka shkruar agjencia amerikane.

“Janë duke persekutuar shumë prej këtyre njerëzve dhe disa edhe do të duhej – disa gjëra duhet t’u ndodhnin atyre. Por kur e shikoj Antifan në Washington, çfarë kanë bërë në Washington dhe në lokacione të tjera, dhe shkatërrojnë, dhe sinqerisht vrasin dhe rrahin njerëz, dhe asgjë nuk u ndodh atyre prapëseprapë. Pse nuk po i vihen pas Antifas?”, pyet Trumpi në “Fox News”. Dhe në këtë rast, Ingraham e pyet. “Do të thoshit se njerëzit që kanë kryer krime, pa marrë parasysh qëndrimet e tyre politike, duhet të persekutohen?”.

“Absolutisht. Ajo që thatë është e sakta”, u përgjigj Trumpi.

Mbështetësit e Trumpit, të cilët e sulmuan ndërtesën e Capitolit, synonin që ta ndalnin Kongresin për të mos ia certifikuar Joe Bidenit fitoren në zgjedhje. Në trazirat e pasuara pesë persona mbetën të vdekur, përfshirë policin Brian Sicknick.

Shkaku i ngjarjeve, Trumpi ishte shpallur fajtor për nxitje të kryengritjes nga Dhoma e Përfaqësuesve, në rastin e dytë të ngritur kundër tij. Sikurse edhe në herën e parë, lidhur me aferën ukrainase për njollosjen e rivalit demokrat Biden, Senati e shpëtoi Trumpin nga ndëshkimi, edhe pse pas përfundimit të mandatit të tij të parë dhe të vetëm në krye të Shtëpisë së Bardhë.