Botë

COVID-19: “Mutacioni i dyfishtë” gjendet në Indi

Një variant i mutacionit të dyfishtë të koronavirusit është gjetur në Indi. Sipas raportimeve, nga testimi i 10 mijë e 787 mostrave, 736 prej tyre ishin pozitivë në variantin britanik, 34 për variantin afrikanojugor dhe një për atë brazilian.

Raportimi vjen pas shpërthimit të rasteve të reja në Indi. Megjithatë, Qeveria ka thënë se s’ka kurrfarë lidhje mes shpërthimit të rasteve dhe shfaqjes së varianteve të reja.

India të mërkurën njoftoi për 47 mijë e 262 raste të reja pozitive dhe 275 vdekje.

Një grup prej dhjetë laboratorëve, nën Ministrinë e Shëndetësisë në Indi, ka kryer një testim për të procesuar me hartën e kodit gjenetik të një organizmi – në këtë rast, të virusit.

Mutacionet në viruse janë të zakonshme, por shumica e tyre janë të parëndësishme dhe nuk shkaktojnë ndonjë ndryshim në kapacitetin e bartjes apo të shkaktojnë infeksione serioze. Por disa mutacione, sikur ai në Britani të Madhe dhe ai në Afrikë, mund ta bëjnë virusin më infektiv dhe në disa raste më vdekjeprurës.

Një mutacion i dyfishtë, sipas virologut Shahid Jameel, është “bërja bashkë e dy mutacioneve në të njëjtin virus”.

“Një mutacion i dyfishtë në proteinat e virusit mund të rrisin rreziqet dhe të lejojnë që virusi të shmangë sistemin imunitar dhe të jetë më infektues”, ka shtuar ai.

Sipas analizës së Qeverisë, ka rritje të mutacioneve “E484Q” dhe “L452R”, në krahasim me dhjetorin e vitit të shkuar.

“Mutacionet e dyfishta të tilla mundësojnë ikjen nga sistemi imunitar dhe rrisin shkallën e infektimit”, ka thënë Ministria.

Në Indi së fundmi kanë shpërthyer rastet e reja me shtetin që regjistroi rastet e para në janar të vitit të shkuar. Deri tash në këtë shtet janë regjistruar mbi 11.7 milionë rase pozitive, ndërsa 160 mijë kanë humbur betejën me COVID-19.