Botë

Agjencia Evropiane e Barnave analizon vaksinën ruse Sputnik V

Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA), tha të martën se enti rregullator evropian po analizon vaksinën ruse anti-COVID Sputnik V për autorizimin e mundshëm për përdorim në Bashkimin Evropian.

Në komentet për ligjvënësit e Parlamentit Evropian, Drejtoresha Ekzekutive e EMA-s, Emer Cooke, tha se agjencia po planifikon gjithashtu inspektime të komplekseve të prodhimit dhe klinikave në Rusi për t'u siguruar që prodhimi i vaksinës bëhet në kushte të përshtatshme.

Vaksina u pa me mosbesim nga disa vende, ndërsa Rusia filloi ta shpërndante atë në disa vende evropiane para se të vlerësohej nga agjencitë rregullatore - përfshirë EMA-n dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Cooke tha se shpresa ishte që të përcaktohej se ajo ishte "një vaksinë e vlefshme për t'iu shtuar vaksinave që janë në dispozicion për popullatën evropiane". Ajo gjithashtu siguroi ligjvënësit e BE-së se agjencia ishte e angazhuar të zbatonte të njëjtat standarde dhe vëzhgime në këtë rishikim si për çdo vlerësim tjetër shkencor.

Cooke tha se agjencia po kryente gjithashtu rishikime - ose vlerësime të shpejta - të vaksinave të prodhuara nga firma amerikane Novavax dhe kompania gjermane Curevac.

Ajo gjithashtu mirëpriti të dhënat e reja mbi vaksinën AstraZeneca të vëna në dispozicion nga një analizë në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se është një informacion shumë premtues dhe tregon efikasitet më të lartë nga sa pritej.

AstraZeneca njoftoi të hënën se vaksina e saj për COVID-19 ofronte një mbrojtje të fortë midis të rriturve të të gjitha moshave në një studim të pritur prej kohësh në SHBA, një zbulim që disa ekspertë shpresonin se do të ndihmonte në rikthimin e besimit të publikut në të gjithë botën dhe për ta çuar atë një hap më pranë autorizimit për përdorim në SHBA.

Zyrtarët federalë amerikanë të shëndetësisë thanë të martën herët se rezultatet mund të kishin përfshirë "informacion të vjetruar" dhe kjo mund të nënkuptojë që kompania ka dhënë një tablo jo të plotë të të dhënave për efikasitetin.

E pyetur në lidhje me këtë zhvillim, Cooke tha se kompania premtoi t’i jepte EMA-s të dhënat e duhura dhe agjencia do të përshtaste vlerësimin e saj, nëse është e nevojshme, bazuar në informacionin e ri. \ Voa