Botë

Pas ngrirjes për vaksinën, Evropa pret me padurim një shkrirje të shpejtë

Sinjali i pritur për vazhdimin e administrimit të vaksinës pritet të jepet qysh të enjten, kur Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) do t’i publikojë gjetjet fillestare nga hetimet e saj rreth lidhjes së mundshme midis vaksinës dhe koagulimeve të gjakut. Deri më tani, EMA-ja dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë njoftuar se nuk ekzistojnë dëshmi se fajtore për këtë problem të raportuar është vaksina. Mirëpo, ekspertët janë të brengosur se dëmi veçse është shkaktuar

Së pari, Franca papritmas e stopoi vaksinimin me “AstraZenecan”. Tani, kryeministri francez kërkon që ta sigurojë kurën kundër COVID-19 sa më parë që mundet.

Teksa virusi po i kalon kufijtë prej Parisit në Budapest dhe gjetkë, qeveritë evropiane që nxituan në pezullimin e përdorimit të vaksinës së “AstraZenecas”, pas raportimit të rasteve të mpiksjes së gjakut, janë duke e kuptuar ndikimin e përnjëmendtë të veprimit. Dhe befas kanë kthyer sytë kah një sinjal i vetëm që do t’ua lejonte vazhdimin e vaksinimit.

Sinjali mund të jepet qysh të enjten, kur Agjencia Evropiane e Barnave do t’i publikojë gjetjet fillestare nga hetimet e saj rreth lidhjes së mundshme midis vaksinës dhe koagulimeve të gjakut. Deri më tani, EMA-ja dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë njoftuar se nuk ka dëshmi se fajtore për këtë është vaksina. Mirëpo, ekspertët janë të brengosur se dëmi veçse është bërë. Pezullimi i kurës nga Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe vendet e tjera ka ushqyer dyshimet lidhur me kurën e “AstraZenecas” dhe përpjekjet e vaksinimit në përgjithësi, teksa bota po kërkon mënyra për ta zhdukur pandeminë.

“Janë me mijëra raste të reja në Gjermani, Francë, Itali dhe gjetkë, për çdo ditë. Nëse i ndërprisni vaksinimet gjatë kësaj pandemie në vazhdim, e dini se njerëzit do të vdesin”, ka thënë Michael Head, pjesëtar i lartë i studimit nga Universiteti i Southamptonit.

Me gjithë dyshimet, disa shtete janë duke iu përmbajtur përdorimit të vaksinës. India është zotuar që ta vazhdojë vaksinimin, ndërsa ministri brazilian i Shëndetësisë të mërkurën e ka marrë publikisht dozën e parë të kurës së “AstraZenecas”.

Rastet e reja të infektimit me koronavirus kanë shënuar 10 për qind ngritje globalisht gjatë javës së fundit, shifër kjo e nxitur nga shtimet e evidentuara në Evropë dhe në Amerikë, ka bërë të ditur të mërkurën OBSH-ja, duke bërë thirrje për vazhdimin e vaksinimit.

Edhe para vendimit të EMA-së të enjten, kryetarja e Komisionit Evropian ka bërë të qartë se vaksina e “AstraZenecas” do të mbetet një shtyllë e strategjisë së vaksinimit në BE.

“I besoj ‘AstraZenecas’, u besoj vaksinave”, ka thënë Ursula von der Leyen.

Pezullimi i kësaj vaksine në një numër të shtuar të vendeve i ka shkaktuar një tjetër goditje të fortë iniciativës së bllokut për vaksinim, e cila është ballafaquar me vështirës shkaku i mungesave dhe po ngec prapa fushatave në Britani të Madhe dhe në SHBA. Më shumë se gjysma e 15 milionë dozave të “AstraZenecas” në BE janë ende në stok, shkaku i problemeve fillestare.

Pothuajse menjëherë pasi që presidenti francez e ngriu vaksinimin të hënën, zyrtarë të lartë francezë kanë shprehur shqetësime lidhur me ndikimin në opinionin publik të vendit, ku shumica e qytetarëve veçse e shihnin kurën e kompanisë si të klasit të dytë.

Kryeministri Jean Castex, i cili si 55-vjeçar dhe pa ndonjë problem të evidentuar shëndetësor nuk është i kualifikuar ende për vaksinim, ka thënë të martën në televizionin kombëtar se “do të ishte e mençur që të vaksinohesha shumë shpejt, menjëherë pasi që pezullimi, le të shpresojmë, të hiqet”.

Italia është aktualisht duke e rrahur të njëjtin shteg. Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, ka thënë se vendet evropiane po shpresojnë që EMA-ja të ofrojë të enjten “qartësinë dhe garancinë e nevojshme”, ashtu që të mundësohet vazhdimi i administrimit të vaksinës “pa hezitim”.

Në Gjermani, ku tetë rastet e raportuara të mpiksjes së gjakut janë duke u hetuar, zyrtarët kanë mbrojtur vendimin për pezullim deri në hetimet e mëtutjeshme, por janë shfaqur të gatshëm për ta vazhduar ofrimin e vaksinës sa më parë. Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Hanno Kautz, të enjten ka thënë: “Është e qartë se vendimi i EMA-së është bindës dhe natyrisht se edhe ne do ta ndjekim këtë vendim”.

EMA-ja ka bërë të ditur se me mijëra persona përreth BE-së zhvillojnë mpiksje të gjakut secilin vit për arsye të ndryshme dhe se nuk ka pasur raporte të shtimit të incidenteve të këtilla në studimet klinike të vaksinës së “AstraZenecas”. Vetë kompania ka njoftuar se janë shënuar 37 raste të mpiksjes mes më shumë se 17 milionë të vaksinuarit përreth BE-së dhe Britanisë së Madhe.