Botë

Bllokada për “AstraZenecan” thellon telashet e vaksinimit në BE

Descriptive Text

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se lidhur me çështjen do të mbahet të martën një takim i Komitetit këshillues të agjencisë. Rregullatori Evropian i Ilaçeve EMA do të mblidhet gjithashtu gjatë kësaj jave për t’i vlerësuar informatat e mbledhura rreth ndikimit të mundshëm të vaksinës në mpiksjen e gjakut

Gjermania, Franca dhe Italia janë bërë të hënën shtetet më të mëdha të Bashkimit Evropian që kanë marrë vendim për ta pezulluar përdorimin e vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë “AstraZeneca”, pasi që një sërë shtetesh kanë raportuar për efekte të mundshme serioze anësore, ani pse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar se nuk ekziston ndonjë lidhje e dëshmuar mes kurës dhe problematikës.

Megjithëkëtë, vendimi i tre gjigantëve të BE-së për t’i vënë bllokadë vaksinës së “AstraZenecas” i ka shkaktuar një goditje të re fushatës veçse në telashe të vaksinimit për 27 vendet anëtare.

Danimarka dhe Norvegjia kanë ndaluar përdorimin e vaksinës javën e kaluar, pas raportimit të rasteve të izoluara të gjakrrjedhjes, mpiksjes së gjakut dhe rënies së numrit të trombociteve. Islanda dhe Bullgaria kanë pasuar vendimin, ndërsa Irlanda dhe Holanda kanë njoftuar pezullimin e procesit gjatë së dielës.

Spanja do ta ndalojë përdorimin e vaksinës për të paktën 15 ditë, kanë bërë të ditur burime të afërta me rrethanat.

Shkencëtari kryesor i OBSH-së ka përsëritur të hënën se nuk ekzistojnë lidhje të dokumentuara të vdekjes dhe vaksinës kundër COVID-19.

“Nuk duam që njerëzit të panikojnë”, ka thënë Soumya Swaminathan, gjatë një konference virtuale për media. Ajo ka shtuar se deri më tani nuk është konstatuar ndërlidhja midis “lëvizjeve trombocidale” të raportuara në disa shtete dhe vaksinës kundër koronavirusit.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se lidhur me çështjen do të mbahet të martën një takim i Komitetit këshillues të trupit. Rregullatori Evropian i Ilaçeve EMA do të mblidhet gjithashtu gjatë kësaj jave për t’i vlerësuar informatat e mbledhura rreth ndikimit të mundshëm të vaksinës në mpiksjen e gjakut.

Vendimet e fuqive më të mëdha të Evropës do t’i kontribuojnë thellimit të shqetësimeve rreth vaksinimit të ngadaltë në rajon, i cili është ballafaquar me mungesa si pasojë e problemeve në prodhimin e vaksinave, përfshirë atë të “AstraZenecas”.

Gjermania ka paralajmëruar javën e shkuar se është duke u ballafaquar me një valë të tretë të infeksioneve, përderisa Italia ka zgjeruar masën e izolimit, ndërsa spitalet në rajonin e Parisit i janë afruar pikës së tejngarkimit.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se megjithëse rreziku nga mpiksja e gjakut është shumë i ulët, duhet që të rishikohet me kujdes.

“Ky është një vendim profesional, e jo politik”, ka thënë Spahn, duke shtuar se është duke e pasuar rekomandimin e institutit “Paul Ehrlich”, rregullatori gjerman i vaksinave.

Franca ka bërë të ditur se ka pezulluar përdorimin e vaksinës, në pritje të një vlerësimi të EMA-së.

“Vendimi i marrë, në përputhje edhe me politikat tona evropiane, është që të pezullohet, në masë parandaluese, vaksimini me dozat e AZ-së, në shpresë se do të mund të vazhdojmë së shpejti, po qe se udhëzimet e EMA-së e lejojnë një gjë të tillë”, ka thënë presidenti francez Emmanuel Macron.

Nga ana tjetër, Italia ka bërë të ditur se vendimi i saj është “masë paraprake dhe e përkohshme”, në pritje të udhëzimit të EMA-së.

“EMA do të qartësojë së shpejti çdo dyshim, ashtu që vaksina e ‘AstraZenecas’ do të mund të përdoret sërish në fushatën e vaksinimit, sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë Gianni Rezza, drejtor i përgjithshëm për rastet e preventivës në Ministrinë italiane të Shëndetësisë.

OBSH-ja u ka bërë apel vendeve që të mos i pezullojnë vaksinimet kundër një sëmundjeje që deri më tani ka shkaktuar më shumë se 2.7 milionë vdekje në botë.

Vaksina e “AstraZenecas” është ndër të parat dhe më të lirat të zhvilluara dhe të lansuara në masë, që kur koronavirusi është identifikuar fillimisht në Kinën qendrore gjatë fundit të vitit 2019.