Botë

Frika për pandemi të reja

Descriptive Text

Në një laborator të Londrës po testohen mostrat e marra nga njerëzit që kanë qenë pjesë e testimeve.

Në video shihet vendi ku vullnetarët e shëndetshëm po u ekspozohen patogjenëve në mënyrë që shkencëtarët të mësojnë më shumë rreth sëmundjeve dhe t’i testojnë vaksinat. Virusi SARS-COV-2, që e shkakton sëmundjen COVID-19, është një nga viruset që po studiohet.

Në tërë botën vaksinat po ua sjellin njerëzve dritën në fund të tunelit, por sipas shkencëtarëve është vetëm çështje kohe para se të shfaqet një tjetër virus.

Virologu Andrew Catchpole ka folur se si virusi SARS-COV-2 i ka zënë shkencëtarët në befasi.

“Nuk e kishim të qartë nëse e kishte potencialin për një pandemi të vërtetë, ndonëse shumica e virologëve kemi menduar se po. Edhe para SARS 1 kemi qenë duke jetuar me koronavirus për dekada me radhë, por ata shkaktonin sëmundje të buta, si ftohje të zakonshme. Kështu që çfarëdo virusi që shkakton sëmundje si kjo dhe transmetohet dhe është përreth nesh gjatë tërë kohës, familja e viruseve gjithmonë më pas kanë pandemi, nëse ka viruse të ngjashme në kafshë dhe në fakt ka të tilla me koronavirus”.

Popullsia është e dërrmuar për shkak se virusi ka shkatërruar familje, biznese dhe e ka rrezikuar ekonominë.

Profesori Danny Altmann ka përmendur pandemitë e tjera që kanë kaluar nga kafshët te njerëzit.

“Kemi qenë të përgatitur për pandemi, dhe pastaj reagimi ndaj SARS-it dhe më vonë reagimi ndaj MERS-it, dhe prapëseprapë jemi mpirë duke e shikuar emergjencën që po ndodhte para syve tanë sikur një video të ngadalësuar të një aksidenti me makinë”.

Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollim të Sëmundjeve. sindromi i rëndë respirator, i njohur si SARS dhe i shkaktuar nga virusi SARS-CoV-1, ishte konsideruar nga e tërë bota si kërcënim global në mars të 2003-s, pasi ishte shfaqur për herë të parë në Kinë më 2002.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se gjatë viteve 2002-2003 u sëmurën 8.098 njerëz me SARS dhe 774 vdiqën.

MERS-i në Lindjen e Mesme u shfaq më 2012 dhe që nga atëherë është vërejtur në 27 vende dhe ka vrarë 858 njerëz.

Sipas profesorit Altmann, sot njerëzit janë më të rrezikuar nga këto viruse sesa kanë qenë më parë.

“Ka pasur rritje të vazhdueshme të zoonosis-ëve, që do të thotë transferimi i patogjeneve nga kafshët te njerëzit, që ka sjellë HIV-in, Ebolën, SARS-in, MERS-in, sëmundjen COVID-19 dhe si duket po ndodhin më shpesh dhe arsyet prapa kësaj janë urbanizimi dhe ndërhyrja e njerëzve në mjedisin natyror dhe kontakti më i madh me mbretërinë e kafshëve”.

Sipas shkencëtarëve, duhen bërë hulumtime ndërdisiplinare mes veterinarëve dhe studiuesve për sëmundjet e njerëzve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e harton çdo vit nga një listë për patogjenët më të rrezikshëm. Kjo listë quhet Diagrimi për Sëmundjet Prioritare dhe e vë në dukje se çfarë është prioritare për studiuesit.

Më parë ethet hemorragjike të Kongos Krimeane dhe Ebola kryesonin listën.

Vitin e kaluar COVID-19 zuri vendin e parë në listë, por kanë nisur shqetësimet se cila sëmundje do të jetë në vazhdim.