Botë

EMA-ja pro përdorimit të vaksinës së “AstraZenecas”, pas raporteve për mpiksje gjaku

Danimarka, Norvegjia dhe Islanda kanë njoftuar ndalimin e përkohshëm të të gjitha vaksinimeve me këtë kurë, me qëllim të hetimit të rasteve të raportuara. Italia ka pasuar Austrinë, Estoninë, Letoninë, Luksemburgun dhe Lituaninë në ndalesën e ngjashme

Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka bërë të ditur të enjten se vaksina kundër COVID-19 e kompanive “Oxford”-“AstraZeneca” mund të vazhdojë të përdoret gjatë periudhës së hulumtimit rreth rasteve të mpiksjes së gjakut që kanë nxitur disa shtete evropiane që ta pezullojnë përkohësisht përdorimin e kësaj kure.

EMA-ja ka bërë të ditur se 30 raste të mpiksjes së gjakut janë raportuar mes 5 milionë personave, të cilët e kanë marrë këtë vaksinë në Evropë deri më tani.

“Përfitimet nga vaksina vazhdojnë të peshojnë më rëndë sesa rreziqet e saj”, ka bërë të ditur rregullatori nëpërmjet një komunikate.

Disa shtete evropiane kanë njoftuar të enjten se ose do ta pezullojnë injektimin e vaksinës së “AstraZenecas” si masë parandaluese, ose do ta ndalojnë përdorimin e saj mes një grupi specifik, pas formimit të koagulimeve në gjak në mesin e disa personave që e kanë marrë atë.

Danimarka, Norvegjia dhe Islanda kanë njoftuar ndalimin e përkohshëm të të gjitha vaksinimeve me këtë kurë, me qëllim të hetimit të rasteve. Italia ka pasuar Austrinë, Estoninë, Letoninë, Luksemburgun dhe Lituaninë në ndalesën e ngjashme.

“Vaksina mund të vazhdojë që të jepet derisa hulumtimi i rasteve të koagulimit të vazhdojë”, ka bërë të ditur EMA-ja. “Aktualisht nuk ekziston ndonjë indikacion se vaksina ka shkaktuar një gjendje të tillë, e cila nuk figuron në listën e efekteve anësore të kësaj kure”.

“AstraZeneca”, e cila ka zhvilluar vaksinën në bashkëpunim me Universitetin e Oxfordit, ka bërë të ditur se siguria e dozave të saj është studiuar në mënyrë të hollësishme në testet me njerëz dhe se të dhënat e rishikuara të tyre kanë konfirmuar se vaksina është toleruar përgjithësisht mirë mes marrësve. “Kjo vaksinë u është nënshtruar kontrolleve strikte dhe rigoroze të cilësisë, si dhe është konfirmuar se nuk ka efekte serioze anësore”, ka njoftuar kompania.

Qeveria britanike ka mbrojtur vaksinën dhe ka bërë të ditur se do ta vazhdojë injektimin e saj.

“Na është bërë e qartë se është e sigurt dhe efikase... dhe kur njerëzve u kërkohet që të vijnë dhe ta marrin, ata duhet ta bëjnë këtë gjë me besim të plotë”, ka thënë zëdhënësi i zyrës së kryeministrit, Boris Johnson.

Stephen Evans, profesor i farmaceo-epidemiologjisë në shkollën londineze të Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale, ka thënë se vendimi për pezullimin e vaksinës është “qasje super e kujdesshme e bazuar në disa raporte të izoluara në Evropë.

Agjencia kombëtare e Shëndetësisë në Danimarkë ka bërë të ditur se pezullimi i vaksinës së “AstraZenecas” për dy javë është bërë për shkak se një grua 60-vjeçare, e cila e ka marrë vaksinën nga grumbulli i njëjtë i përdorur edhe në Austri, ka gjeneruar mpiksje të gjakut dhe si rrjedhojë ka vdekur. Kjo agjenci ka njoftuar se nuk ka gjetur ndonjë ndërlidhje mes mpiksjes dhe vaksinës, porse u ka kërkuar autoriteteve kompetente rajonale që ta ndalojnë përdorimin e kurës në pritje të konsultimeve me rregullatorin kombëtar të shëndetësisë.

Søren Brostrøm, drejtor i agjencisë, ka thënë se “përgjigjja adekuate dhe e matur është e nevojshme kur ekzistojnë të dhëna lidhur me efektet e mundshme serioze anësore”.

Norvegjia ka pezulluar përdorimin e vaksinës “si një masë parandaluese”, pas njoftimit danez, ka thënë Geir Bukjolm, drejtor i Institutit norvegjez për parandalimin dhe kontrollimin e sëmundjeve ngjitëse.

“Jemi në pritje të informatave për të parë nëse ekziston një lidhje mes vaksinimit dhe këtij rasti të mpiksjes së gjakut”, ka thënë ai.

Autoriteti shëndetësor në Itali ka njoftuar se e ndalon përdorimin e grumbullit të dyshimtë të vaksinës, pasi që është informuar për “disa efekte serioze anësore”, teksa ka shtuar se vendimi është vetëm masë paraprake dhe nuk ndërlidhet me ndonjë rast specifik.

Mediat kanë raportuar se dy policë në Sicili, të moshave 43 dhe 50-vjeçare, kanë vdekur si pasojë e “çrregullimit të rëndë të mpiksjes së gjakut”, pasi që janë injektuar me dozat e grumbullit të dyshuar të vaksinave, 12 ditë më parë. Prokuroria ka nisur menjëherë hetimet rreth rastit.

Austria ka ndaluar përdorimin e vaksinave të hënën, kur një infermiere 49-vjeçare ka vdekur shkaku i problemeve serioze me koagulimin, disa ditë pas injektimit me kurën kundër COVID-19. Ndërkaq Spanja ka njoftuar të enjten se nuk ka regjistruar ndonjë rast të mpiksjes së gjakut të ndërlidhur me vaksinën dhe se do ta vazhdojë administrimin e vaksinës.