Botë

Një president që qeveris dhe nuk luan golf: sukseset e Joe Bidenit

Donald Trump bën atë që di “më së miri”: ofendon. Kur Joe Biden u bë kandidat i demokratëve për president të SHBA-ve, Trump nisi ta quajë Bidenin – gjumash (“Sleepy Joe”). Një plak pa energji, ky ishte aludimi i Trumpit, ndërsa luante golf në pallatin e tij në Floridë ose kalonte kohën në Twitter. Pas 50 ditësh në Shtëpinë e Bardhë Joe Biden mund të rendis sukses pas suksesi.

* Kur Biden hyri në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, mesatarisht 900 mijë amerikanë merrnin dozën e tyre të vaksinës kundër koronës. Aktualisht për çdo ditë vaksinohen deri në 2,1 milionë amerikanë.

* Pandemia ka goditur rëndë ekonominë amerikane. Në fundjavë Senati miratoi një ligj, të cilin në ditët e ardhshme do ta nënshkruajë presidenti Biden. Ligji parasheh ndihma të konsiderueshme për amerikanët. Familjet me dy fëmijë do të marrin deri në 12’800 dollarë ndihmë financiare. Gazeta zvicerane “Tages Anzeiger” shkruan: “Biden u ka dëshmuar amerikanëve se si funksionon qeverisja nëse s’quhesh Donald Turmp. Pa dramë, pa kaos, pa britma, pa tirada në Twitter, të cilat sillen rreth egos fragjile. Në vend të kësaj: ndihmë për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë për të tejkaluar katastrofën”.

* Opinioni gjerman shikon me xhelozi në drejtim të Amerikës. Revista “Der Spiegel” në një koment ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë për shkak të dështimit në menaxhimin e pandemisë. Një gazetar i njohur gjerman shkroi në Twitter: “Po pres që tani të aterrojë në (bazën ajrore) Ramstein një avion i US Air Force, me vaksinën Moderna, dy Johnsonët, dr. Faucin dhe Dolly Parton. Vështirë të shikohet se çfarë po bën Europa sa i përket ballafaqimit me pandeminë”. Gazetari kërkoi një “Luftbrücke”, një urë ajrore, si pas Luftës së Dytë Botërore, kur Amerika e furnizoi Berlinin me ushqim dhe kështu iu kundërvu bllokadës sovjetike.