Botë

Katër nga çdo pesë vaksinat e siguruara të “Oxfordit”, të papërdorura në Evropë

Descriptive Text

Duke i përdorur të dhënat e siguruara nga Qendra evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve (ECDC) dhe burimeve të tjera zyrtare, është përllogaritur se 4 milionë e 846 mijë e 752 nga gjithsej 6 milionë e 134 mijë e 707 dozave të distribuuara mes 27 vendeve anëtare të BE-së ende nuk janë administruar

Londër, 25 shkurt – Katër nga çdo pesë dozat e vaksinave të “Oxford”-“AstraZenecas”, të dërguara në vendet e Bashkimit Evropian, ende nuk janë përdorur te ndonjë pacient, ka zbuluar të enjten një hulumtim i gazetës britanike “The Guardian”, teksa kancelarja gjermane Angela Merkel e ka pranuar një “problem të pranimit” mes evropianëve që po u ofrohen vaksinat.

Duke i përdorur të dhënat e siguruara nga Qendra evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve (ECDC) dhe burimeve të tjera zyrtare, është përllogaritur se 4 milionë e 846 mijë e 752 nga 6 milionë e 134 mijë e 707 dozave të distribuuara mes 27 vendeve anëtare të BE-së ende nuk janë administruar. Vendimi i autoriteteve në Francë, Gjermani, Poloni dhe Itali për ta rekomanduar përdorimin e vaksinës së “Oxford”-“AstraZenecas” për përdorim vetëm tek personat nën 65-vjeç besohet të jetë faktor domethënës në administrimin e ngadaltë, pasi që autoritetet janë duke dështuar në procesin e riudhëzimit të kurave për personat më të rinj.

Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Merkel ka pranuar se vaksina po refuzohet gjithashtu në mesin e atyre që kanë shqetësime lidhur me efikasitetin dhe sigurinë e saj, pas një sërë publiciteteve të pafavorshme.

“Kemi.... aktualisht një problem të pranimit për sa i përket vaksinës së ‘AstraZenecas’”, ka thënë Merkeli. “’AstraZeneca’ është vaksinë e besueshme, efikase dhe e sigurt, e aprovuar nga Agjencia Mjekësore Evropiane dhe e rekomanduar në Gjermani për përdorim në moshat deri 65-vjeçare. Të gjitha autoritetet na thonë se kësaj vaksine mund t’i besohet. Për aq kohë sa vaksinat janë të mangëta, siç janë tani, nuk mund të zgjidhet se me cilën vaksinë të injektoheni”.

E pyetur nëse do të paraqitej vullnetare për ta marrë vaksinën, Merkel ka shtuar: “Unë jam 66- vjeçare dhe nuk i përkas grupmoshës së rekomanduar për ‘AstraZenecan’”.

Të dhënat e analizuara nga “Guardian” e shpërfaqin një diskrepancë të dukshme midis sasisë së vaksinave të “AstraZenecas” të qasshme në vendet anëtare dhe administrimin e tyre mes popullatave. Belgjika ka pranuar deri më tani 201.600 doza të kësaj vaksine teksa ka administruar vetëm 9.832 sosh (apo 4 për qind), kanë treguar të dhënat e ECDC-së.

Bullgaria ka marrë 117.600 doza, por ka përdorur 2.035 sosh (1.73%) derisa Gjermania ka 1.452.000 të siguruara dhe vetëm 189.206 të administruara (13%). Sipas ECDC-së, Italia ka 499.200 doza, por punonjësit e saj shëndetësorë i kanë dhënë vetëm 96.621 sosh (19%).

Sa për krahasim, katër prej çdo pesë vaksinave të kompanisë “Pfizer” që i janë siguruar Belgjikës (18 për qind), Italisë (80 për qind) dhe Gjermanisë (82 për qind) janë administruar deri më tani, kanë sugjeruar të dhënat e ECDC-së.

Mes intervenimeve të profilit më të lartë në debatin mbi vaksinat gjatë javës së fundit ka qenë ai i presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka sugjeruar pa mbështetje faktike se vaksina e “AstraZenecas” është “kuazi-joefikase”.

Franca nuk i ka ofruar të dhëna ECDC-së rreth shifrës se sa prej 1.137.600 dozave të saja të vaksinës “Oxford”/”AstraZenecas” janë administruar deri më tani, por të dhënat e ofruara nga ueb- faqja e gjurmimit të vaksinave “Covidtracker.fr” shifra llogaritet të jetë vetëm 125.859 apo 11 për qind.

Distribuimi i vaksinave në BE ishte kritikuar ashpër, si pasojë e mungesës së furnizimit gjatë muajve të fundit, sidomos të atyre të prodhuara nga “AstraZeneca”, “Moderna” dhe “Pfizer”.

Agjencia Evropiane e Mjekësisë ka aprovuar kurën e “AstraZenecas” për të gjitha grupmoshat, mirëpo disa agjenci kombëtare kanë këshilluar kundër përdorimit te moshat më të shtyra, duke e pasur parasysh mungesën e të dhënave në dispozicion mbi efikasitetin.