Botë

Për aleatët e Izraelit, rruga drejt vaksinave kalon nëpërmjet Jerusalemit

Kur bëhet fjalë për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit, që është mjaft e vështirë të sigurohen, shtetet mike të Izraelit e kanë kuptuar se rruga duket se kalon nëpërmjet Jerusalemit, raporton agjencia AP.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të mërkurën, ka pranuar ndarjen e vaksinave të koronavirusit me një numër të shteteve mike që i kanë bërë favore Izraelit në të kaluarën. Ndonëse nuk është bërë e ditur numri i shteteve, një listë e siguruar nga televizioni shtetëror izraelit lë të kuptohet se një numër prej tyre kanë përkrahur pretendimin e Izraelit për qytetin e kontestuar të Jerusalemit si kryeqendër të veten.

Komentet erdhën në kohën kur Izraeli po përballet me kritika ndërkombëtare që nuk po ndan sasinë e vaksinave me palestinezët. Izraeli, po ashtu, ka ilustruar se si në një kohë të mungesave globale, vaksina është bërë aset që mund të përdoret për përfitime diplomatike.

“Si forcë okupuese, Izraeli është përgjegjës për shëndetin e gjithë qytetarëve nën kontrollin e vet”, ka shkruar në Twitter senatori amerikan, Bernie Sanders. “Është mizore që Netanyahu do të përdorë vaksinat që ka tepër për të shpërblyer aleatët e huaj, ndërsa aq shumë palestinezë në territoret e okupuara ende po presin”.

Ndonëse Izraeli nuk prodhon vaksinat e veta, Netanyahu ka mbikëqyrur një prej fushatave më të suksesshme të vaksinimit, duke siguruar miliona doza nga prodhuesi “Pfizer/BioNTech”. Duke folur në konferencë për media, ai ka thënë se Izraeli ka vaksinuar mbi 5 milionë qytetarë me vaksina të “Pfizer/BioNTech” dhe do të kompletojë detyrën e vaksinimit të 6.2 milionë të rriturve brenda pak javëve.

Ai, po ashtu, ka thënë se Izraeli ka tepricë të qindra e mijëra vaksinave të “Modernas”.

Pasi është konstatuar se Izraeli ka më tepër se që duhet vaksina për popullatën e vet, ai ka thënë se ka vendosur të ndajë një numër simbolik të dozave me disa prej aleatëve të Izraelit.

Ai ka thënë se është bërë “në kthim të gjërave që kemi pranuar, nëpërmjet shumë kontakteve në zona të ndryshme që nuk do të detajoj këtu”.

Transmetuesi izraelit Kan ka njoftuar se rreth 100 mijë doza të vaksinës së “Modernas” po transportohen te 15 aleatë të ndryshëm.

Në këtë mes janë Hondurasi, Guatemala, Hungaria, Uganda dhe Republika e Çekisë – shtete që kanë njoftuar Jerusalemin si kryeqendër të Izraelit dhe kanë shprehur interesim për hapje të zyrave diplomatike atje pas lëvizjes së administratës Trump që ta zhvendosë Ambasadën e SHBA-së në këtë qytet, në vitin 2018.

Çadi, që ka krijuar marrëdhënie diplomatike me Izraelin në vitin 2019, Mauritania, që besohet se është afër rivendosjes së marrëdhënieve, dhe disa shtete afrikane që kanë lidhje të ngushta me Izraelin, përfshirë Etiopinë e Kenian, po ashtu, janë në listë.

Duke u pyetur nëse Netanyahu po përdor vaksinat si mjet diplomatik, “Moderna” nuk ka dashur të komentojë.

Palestinezët e njohin Jerusalemin lindor, të pushtuar nga Izraeli në vitin 1967 gjatë luftës së Lindjes së Mesme dhe aneksuar më pas, si kryeqytet të shtetit të ardhshëm. Qyteti është në zemër të konfliktit disa dekada të gjatë, dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar thotë se fati i Jerusalemit duhet të zgjidhet nëpërmjet negociatave.

Netanyahu ka cekur se Izraeli ka ndarë një pjesë të vaksinave edhe me palestinezët. Izraeli u ka dorëzuar 2.000 doza të vaksinave të “Modernas” Autoritetit Palestinez të njohur ndërkombëtarisht për t’i vaksinuar punonjësit shëndetësorë në Bregun Perëndimor.

Përndryshe, palestinezët e kanë pasur të vështirë të sigurojnë vetë vaksina. Autoriteti Palestinez ka pranuar 10 mijë dosa të vaksinës ruse “Sputnik V”, ndërsa rivali i presidentit, Mahmoud Abbas, këtë javë ka dorëzuar 20 mijë vaksina shtesë të “Sputnikut” për në Rripin e Gazës që drejtohet nga Hamasi. E aranzhoi këtë dërgesë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Së bashku do të mbulojnë vaksinimin e vetëm një numri të vogël të miliona palestinezëve. Autoriteti Palestinez ka thënë se pret të pranojë më tepër vaksina nëpërmjet programit COVAX të OBSH-së dhe marrëveshjeve të tjera, por mbetet e paqartë se kur do të arrijnë ato.

Wasel Abu Yusuf, zyrtar i lartë palestinez, e ka akuzuar Netanyahun se po bën politikë me një çështje humanitare.

“Ai po përdor vaksinat që u duhen disa shteteve, për të fituar përkrahje politike për politikat e tij, si zhvendosja e ambasadave në Jerusalem. Sasia e vaksinave, të cilat ai do t’i ndalë për palestinezët në Bregun Perëndimor është shumë e vogël”, ka thënë Yusuf.

Pabarazia ka tërhequr vëmendjen ndaj pabarazisë globale në marrjen e vaksinave mes shteteve të pasura dhe të varfra, dhe ka nxitur reagime ndërkombëtare.

Lawrence Gostin, profesor për ligjin e shëndetësisë globale në Universitetin e Georgetown, ka thënë se është e kuptueshme që Izraeli do të dëshirojë të kujdeset së pari për qytetarët e vet. Por, “në një pikë bëhet groteske në aspektin etik”, thotë ai.

Ai ka thënë se përtej të pasurit përgjegjësi morale ndaj palestinezëve, do të ishte e mençur të ndihmohen ata.

“Do të ishte në përfitim të madh të Izraelit dhe reputacionit të tij në rajon dhe në nivel global. Dështimi që të ndajë vaksinat nuk do të harrohet, pasi aq shumë njerëz vdesin pa nevojë nga një sëmundje e parandalueshme”, ka thënë Gostin.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe grupet e të drejtave kanë shprehur shqetësimet për pabarazinë dhe kanë thënë se Izraeli është një forcë okupuese, dhe është përgjegjëse që t’u ofrojë vaksina palestinezëve.

Izraeli ka thënë se nën marrëveshjen e përkohshme të paqes nga vitet 1990 nuk ka përgjegjësi të tillë.

Izraeli ka vaksinuar popullatën e saj arabe, përfshirë palestinezët në Jerusalemin lindor të aneksuar nga Izraeli.

Mirëpo, ekspertët izraelitë të shëndetit publik i kanë bërë thirrje qeverisë që të ndajë vaksinat, duke marrë parasysh kontaktet e shumta mes izraelitëve e palestinezëve. Dhjetëra e mijëra punonjës palestinezë punojnë brenda Izraelit apo në Bregun Perëndimor.

Administrata e SHBA-së e drejtuar nga Joe Biden, nuk ka shkuar deri te kritikimi i Izraelit, por ka shprehur përkrahjen për ndarjen e vaksinave me palestinezët.

“Ne besojmë se është e rëndësishme për palestinezët që të kenë qasje më të madhe në vaksina anti-COVID në javët në vijim. Është me rëndësi për Izraelin, shëndetin e Izraelit dhe sigurinë po ashtu”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Vendimi i Netanyahut për të ndarë vaksinat me aleatët është kritikuar brenda Izraelit. Rivali i tij më i madh dhe partneri qeveritar, ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz, ka thënë se Netanyahu ka marrë vendimin në mënyrë të njëanshme dhe pa ndonjë diskutim apo mbikëqyrje.

“Fakti se Netanyahu po bën tregti me vaksina të qytetarëve izraelitë që janë paguar nga taksat e tyre dhe pa dhënë fare llogari, tregon se ai mendon se drejton një Mbretëri e jo një shtet”, tha Gantz.