Botë

Punonjësit futen në grevë në Birmani, injorojnë thirrjet e Ushtrisë

Qindra mijëra protestues vazhdojnë të dalin në Birmani në një nga protestat më të mëdha kundër grusht-shtetit ushtarak.

Bizneset u mbyllën ndërsa punonjësit u bashkuan me një grevë të përgjithshme, përkundër një deklarate të Ushtrisë që thoshte se protestuesit po rrezikonin jetën e tyre duke dalë në rrugë, raporton BBC.

Policia po vazhdon që me mënyrat e saj të shpërndajë protestuesit, sidomos në kryeqytetin Nay Pyi Taw.

Ushtria përmes një deklarate të transmetuar në televizionin shtetëror ka thënë se protestuesit "tani po nxisin njerëzit, veçanërisht adoleshentët dhe të rinjtë emocionalë, në një rrugë ballafaqimi ku ata do të pësojnë humbjen e jetës".

Paralajmërimi vjen pasi të paktën dy njerëz u vranë në protesta të dielën, rasti më i rëndë tash e dy javë pas protestave.

Protestuesit dolën në rrugë pasi ushtria mori shtetin në dorë më 1 shkurt dhe vendosën lideren Suu Kyin në arrest shtëpiak.

Ushtria pretendon se fitorja e madhe e zgjedhjeve të partisë së saj, Lidhja Kombëtare për Demokraci vitin e kaluar ishte mashtruese, por nuk ka dhënë prova.

Suu Kyi akuzohet për posedim të radio-doreve të paligjshme dhe shkeljen e ligjit të katastrofës natyrore të vendit.