Botë

COVID-19: Vaksina nxjerr rezultate mbresëlënëse në Izrael

Më shumë të dhëna nga programi i vaksinimit kundër koronavirusit në Izrael ka treguar se vaksina e “Pfizerit” po parandalon 94 për qind të infektimeve simptomatike.

Kjo jep indikacione se vaksina po performon mirë në grupacione të mëdha të popullatës siç ishte edhe në fazën e testimeve. Ajo po nxjerr rezultate efikase në parandalimin e sëmundjes te të gjitha grupmoshat, sipas shefit të institucionit të shëndetit publik në Izrael, Hagai Levine.

Në një studim që është kryer në Izrael, janë krahasuar të dhënat e 600 mijë qytetarëve të vaksinuar dhe atyre të pavaksinuar. Doli se pati 94 për qind më pak të infektuar në grupin e të vaksinuarve.

Kjo u bazua në testimet e njerëzve që kishin pasur simptoma apo ishin raste kontakte me dikë që kishte rezultuar pozitiv. Vaksina parandaloi të gjitha rastet e sëmundjeve serioze.

Rezultati i mirë u tregua në të gjitha grupmoshat.

Të dhënat s’janë zyrtarizuar ende, por ekspertët shëndetësorë në Izrael thonë se vaksinimi duhet të shpejtohet në mënyrë që të parandalohet virusi te të gjithë qytetarët.