Botë

SHBA-ja e zemëruar nga sulmi me raketa në Irbil, ku humbi jetën një person

Descriptive Text

SHBA-ja është zotuar të dënojë përgjegjësit për sulmin me raketa të hënën në rajonin e Kurdistanit në Irak, ku humbi jetën një kontraktues civil.

Një ushtarak amerikan dhe pesë kontraktorë tjerë janë lënduar kur raketat kanë goditur cakun në qytetin Irbil, përfshirë edhe një bazë që është përdorur nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja.

Në deklaratë, Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, ka thënë se Washingtoni është i zemëruar me sulmin.

Një grup pro-iranian ka thënë se është prapa sulmit.

Grupi “Gardianët e Brigadës së Përgjakshme” ka thënë se ka shënjestruar “pushtimin amerikan”, raporton Washington Post.

Kontraktuesi i vrarë dhe ata të lënduar raportohet se janë shtetas të huaj.

Autoritetet lokale kurde kanë t hënë se tre persona po ashtu janë lënduar në Irbil, njëri prej tyre është në gjendje kritike.

Aeroporti i qytetit është mbyllur pas sulmit.

Presidenti i Irakut, Barham Salih, ka thënë se ishte një sulm kriminal terrorist dhe ka paralajmëruar për eskalim të rrezikshëm.