Botë

Anatomia e një konspiracioni

Descriptive Text

Nga Pekini e Washingtoni dhe deri në Moskë e Teheran, udhëheqësit politikë dhe mediat përkrahëse funksionuan në mënyrë efektive si përhapëse, duke përdorur ndikimin e tyre për t’i amplifikuar konspiracionet e dobishme politikisht tashmë në qarkullim. Por ishte Kina - jo Rusia - ajo që mori drejtimin në përhapjen e dezinformimit të huaj në lidhje me origjinën e COVID-19, pasi u sulmua për trajtimin e saj të hershëm të shpërthimit të pandemisë

Thashethemet nisën pothuajse po aq shpejt sa vetë sëmundja. Pretendimet se një armik i huaj kishte lëshuar një armë biologjike u shfaqën në çdo cep të rrjeteve sociale, në të njëjtën ditë kur Kina raportoi për herë të parë shpërthimin e një virusi misterioz.

“Kini kujdes për amerikanët!”, shkroi një përdorues i Weibos më 31 dhjetor 2019.

Sot, një vit pasi që Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi për një epidemi të keqinformimit mbi COVID-19, ajo teori konspirative vazhdon të jetojë, e shtyrë nga zyrtarët kinezë të etur për të hedhur dyshime mbi origjinën e një pandemie që ka marrë më shumë se dy milionë jetë në krejt globin.

Nga Pekini dhe Washingtoni e deri në Moskë e Teheran, udhëheqësit politikë dhe mediat përkrahëse funksionuan në mënyrë efektive si përhapëse, duke përdorur ndikimin e tyre për t’i amplifikuar konspiracionet e dobishme politikisht tashmë në qarkullim. Por ishte Kina - jo Rusia - ajo që mori drejtimin në përhapjen e dezinformimit të huaj në lidhje me origjinën e COVID-19, pasi u sulmua për trajtimin e saj të hershëm të shpërthimit të pandemisë.

Pandemia e dyfishtë

Një hetim nëntëmujor i “Associated Press” mbi dezinformimin e sponsorizuar nga shteti, i kryer në bashkëpunim me Laboratorin Kërkimor Ligjor Digjital të Këshillit të Atlantikut, tregon sesi spekulimi se SHBA-ja e krijoi virusin që shkakton COVID-19 u armatos nga Qeveria kineze, duke u përhapur nga cepi më i errët i internetit te milionat në të gjithë globin. Analiza u bazua në një përmbledhje të miliona postimeve dhe artikujve të rrjeteve sociale në Twitter, Facebook, VK, Weibo, WeChat, YouTube, Telegram dhe në platforma të tjera.

Zyrtarët kinezë po reagonin ndaj një narrative të fuqishme, të mjekuar nga grupet QAnon, Fox News, ish-presidenti Donald Trump dhe republikanët kryesorë, se virusi ishte prodhuar nga Kina.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës ka bërë të ditur se Pekini ka përdorur megafonin e madh në rrjetet sociale të Perëndimit për të promovuar miqësinë dhe për t’iu shërbyer fakteve, ndërsa mbrohet kundër forcave armiqësore që kërkojnë të politizojnë pandeminë.

“Të gjitha palët duhet t’i thonë me vendosmëri ‘jo’ përhapjes së dezinformimit”, ka njoftuar ministria në një deklaratë për AP. Por shtoi se “përballë akuzave të trilluara, është e justifikuar dhe e duhur të thyhen gënjeshtrat dhe të sqarojnë thashethemet duke përcaktuar faktet”.

Nga marsi, vetëm tre muaj pasi COVID-19 u shfaq në Kinën qendrore, qe përhapur besimi se virusi ishte krijuar në një laborator dhe se ishte armë. “Pew Research Center” ka zbuluar, për shembull, se një në tre amerikanë beson se koronavirusi i ri ishte krijuar në një laborator; një në katër se ishte krijuar me qëllim. Në Iran, udhëheqësit e lartë përmendën komplotin e bioarmëve për të arsyetuar refuzimin e tyre për ndihmën e huaj mjekësore. Grupet kundër izolimit dhe mbajtjes së maskave e quajtën COVID-19 një mashtrim dhe armë, duke i komplikuar përpjekjet e shëndetit publik për të ngadalësuar përhapjen.

“Keqinformimi është si një virus, si COVID, një patogjen mediatik”, ka thënë Kang Liu, profesor në Universitetin Duke, i cili studion politikën kulturore dhe mediat në Kinë, duke krahasuar përhapjen e dezinformimit në lidhje me virusin me vetë përhapjen e virusit. “Kemi një pandemi të dyfishtë - virusin patologjik të vërtetë dhe pandeminë e frikës. Frika është ajo që rrezikohet vërtet”

Përhapja e thashethemeve

Image

Më 26 janar, një burrë nga Mongolia publikoi një video, duke pretenduar se virusi i ri që po e shkatërron Kinën qendrore ishte një armë biologjike e krijuar nga SHBA-ja. Videoja mori 14 mijë shikime në aplikacionin kinez Kuaishou dhe menjëherë është fshirë. Publikuesi i videos u arrestua dhe për dhjetë ditë qëndroi në paraburgim, ndërkaq u gjobit për përhapje të dezinformatave.

“People’s Daily”, një televizion zëdhënës i Partisë Komuniste në Kinë, transmetoi lajmet e ndalimit të tij në fillim të muajit shkurt. E shfaqte të arrestuarin me pranga dhe ulur në një karrige. Ishte një moment përkujtimi për qytetarët e Kinës se lajmet e rreme mund të çojnë në arrestim dhe të bëheni pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga media shtetërore kineze për të demaskuar komplotet e COVID-19.

Por vetëm gjashtë javë më vonë e njëjta thashetheme do të transmetohej nga Ministria e Jashtme e Kinës, e marrë nga të paktën 30 diplomatë dhe misione kineze dhe e përforcuar përmes rrjetit të gjerë dhe global të mediave shtetërore të Kinës.

Gjatë atyre gjashtë javëve, lidershipi i Kinës u përfshi në kritika të ashpra përbrenda. Më 7 shkurt, Li Wenliang, mjeku i ndëshkuar për qarkullimin e paralajmërimit të hershëm të përhapjes, vdiq nga COVID-19. Shpërthimi i zemërimit të shkaktuar nga vdekja e Lisë ishte një shfaqje e pazakontë - për Partinë Komuniste në pushtet, shqetësuese - në hapësirën qytetare të monitoruar fort nga Kina.

Ndërkohë, zëra të fuqishëm në SHBA - prej ish-presidentit Trump e deri te republikanët e Kongresit - po punonin për të ribrenduar COVID-19 si “virusi i Kinës”, duke përforcuar teoritë që ishin krijuar nga shkencëtarët kinezë.

Llogaritë e mediave sociale që dukeshin se ishin ndjekës pro-Trumpit ose QAnon, shtynë dezinformimin, duke postuar në mënyrë të përsëritur përmbajtjen identike që pretendonte se Kina krijoi virusin si një bioarmë, zbuluan studiuesit në Institutin australian për Qendrën e Teknologjisë.

Ndërsa retorika e SHBA-së u intensifikua, Kina nisi sulmin.

Më 22 shkurt, “People’s Daily” publikoi ​​një raport duke i theksuar spekulimet se ushtria amerikane solli virusin në Kinë, duke e shtyrë përpara shkrimin me publikimin nëpër gazeta si “Helsinki Times” në Finlandë dhe “New Zealand Herald”.

“New Zealand Herald” sqaroi se ka një “marrëdhënie tregtare ad hoc me ‘People's Daily’”, dhe se etiketon përmbajtjen e tyre si të sponsorizuar dhe e rishikon atë para botimit.

“Pas shqyrtimit të mëtejshëm të shkrimit që ju e keni përmendur, ne e kemi hequr këtë artikull të veçantë nga faqja jonë e internetit”, ka thënë një zëdhënës nëpërmjet emailit.

“Helsinki Times” ka njoftuar se ka një marrëveshje “shkëmbim” të përmbajtjeve me “People's Daily”. Këtë përmbajtje ajo e etiketon, por nuk e kontrollon.

“Besojmë se mbulimi i mediave perëndimore në disa raste është jashtëzakonisht i njëanshëm”, ka thënë Alexis Kouros, redaktori i “Helsinki Times”. “Edhe pse ‘Daily's People’s’ është në pronësi të shtetit, si BBC-ja, besojmë se është e dobishme për audiencën globale që të ketë të dy anët e historive”.

Teksa Kina përqafoi dezinformimin e hapur, ajo u mbështet në strategjinë dhe infrastrukturën ruse të dezinformimit, duke u kthyer në një rrjet të vendosur prej kohësh të përfaqësuesve të Kremlinit në Perëndim për të marrë dhe për të përhapur mesazhe.

“Njëra po e amplifikonte tjetrën ... Sa ishte e kontrolluar nga komanda, sa ishte oportuniste, ishte e vështirë të thuhej”, ka thënë Janis Sarts, drejtor i Qendrës së Komunikimit Strategjik të NATO-s, me seli në Riga të Letonisë. Në aspektin afatgjatë, shtoi ai, Kina është “konkurrentja dhe kundërshtarja më e frikshme, për shkak të aftësive teknologjike që sjell në tryezë”.

“E vërteta si e shohim”

Image

Në janar, shumë kohë para se Kina të fillonte të përhapte dezinformimin, media shtetërore ruse nisi ta legjitimojë teorinë se SHBA-ja krijoi virusin si armë.

Më 20 janar, media e ushtrisë ruse “Zvezda” njoftoi se shpërthimi në Kinë ishte i lidhur me një provë të bioarmëve, duke cituar një kandidat politik me emrin Igor Nikulin.

Nikulin pretendon se ka punuar me Kombet e Bashkuara për çarmatimin në Irak nga viti 1998 deri në 2003, përfshirë në rolin e këshilltarit të ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan. Por Kombet e Bashkuara nuk kanë të dhëna për shërbimin e tij.

Richard Butler, inspektor kryesor i armëve i OKB-së për atë periudhë, ka thënë për AP-në se nuk ka dëgjuar kurrë për të. I të njëjtit mendim ishte edhe Hans Corelli që shërbeu si nënsekretar i përgjithshëm për çështjet ligjore dhe këshilltar ligjor i OKB-së në vitet 1994-2004, ku ai punoi ngushtë me Annanin.

Nikulin ka pretenduar se të dhënat e punës së tij në OKB mund të jenë shkatërruar dhe mbështeti teorinë e tij se COVID-i është një bioarmë e SHBA-së – një pretendim ky që është hedhur poshtë vazhdimisht.

“Cila provë tjetër është e nevojshme ?!", ka shkruar ai në një email për AP-në.

Gjatë dy muajve vijues, më shumë se 70 artikuj u shfaqën në mediat pro-Kremlinit, duke bërë pretendime të ngjashme në lidhje me bioarmët. Artikujt u shfaqën në gjuhët ruse, spanjolle, armene, arabe, angleze dhe gjermane, sipas analizës së AP të një baze të të dhënave të përpiluar nga EUvsDisinfo, që ndjek dezinformimin për bashkimin evropian.

Revistat në internet, të identifikuara nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe të tjerat si përfaqësuese të Rusisë, morën lajmin për bioarmët duke e rritur shtrirjen dhe rezonancën e këtij lajmi.

Politikanët rusë iu bashkuan korit. Parlamentarja Natalia Poklonskaya argumentoi se koronavirusi i ri mund të jetë një armë biologjike e krijuar “nga ata që duan të sundojnë planetin” për të minuar Kinën.

Pas pak, Vladimir Zhirinovsky, udhëheqës nacionalist i Partisë Liberal- Demokratike të Rusisë, sugjeroi që SHBA-ja dhe kompanitë e saj të pangopura farmaceutike ishin fajtore. \ Analizë e agjencisë AP për dezinformimet lidhur me COVID-19