Botë

Radhë të gjata në kufirin gjermano-çek, pas mbylljes së përkohshme

Radhë të gjata kamionësh dhe automjetesh janë krijuar në dy autostradat kryesore që shpijnë prej Republikës Çeke në Gjermani, pas ashpërsimit të kontrolleve kufitare nga pala gjermane. Gjermania ka zbatuar të dielën kontrolle në kufijtë e saj me Republikën Çeke dhe krahinën austriake Tirol, në përpjekje për ta frenuar përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit.

Shtrëngimet që kanë hyrë në fuqi të dielën ua lejojnë hyrjen nga këto zona vetëm qytetarëve dhe rezidentëve gjermanë, shoferëve të kamionëve, punëtorëve të transportit e të shërbimit shëndetësorë, si dhe personave që regjistrohen online dhe e ofrojnë testin negativ për koronavirus.

Por që të gjithëve u kërkohet karantimi prej të paktën 10 ditësh me mbërritjen në vend. Rreshti i automjeteve në autostradën D8 në shtetin gjerman të Saksonisë ka arritur gjatësinë prej 23 kilometrash, ndërsa në atë D5 në Bavari deri në 15 kilometra. Tri qarqe çeke në afërsi të kufijve me Gjermaninë dhe Poloninë janë vënë në izolim të tërësishëm, shkaku i shpërthimit të një vale infektimesh me variantin e koronavirusit, të gjetur fillimisht në Britani të Madhe.