Botë

Bashkëjetesa me autoritarët

Edhe pas kryengritjes së 6 janarit në Capitol, 60 për qind e republikanëve dhe votuesve të natyrshëm të republikanëve e mbështesin performancën e Donald Trumpit si president. Ndonëse kjo shkallë e mbështetjes popullore i huton shumë amerikanë, ajo veçse e reflekton vazhdimësinë e përkrahjes për të gjatë gjithë presidencës së turbullt dhe sulmit pothuajse konstant ndaj normave demokratike dhe institucioneve

New York, 13 shkurt – Demokracitë duhet të mësojnë si ta menaxhojnë frikën e natyrshme të disa njerëzve prej ndryshimit.

Edhe pas kryengritjes së 6 janarit në Capitol të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 60 për qind e republikanëve dhe votuesve të natyrshëm të republikanëve e mbështesin performancën e Donald Trumpit si president. Ndonëse kjo shkallë e mbështetjes popullore i huton shumë amerikanë, ajo veçse e reflekton vazhdimësinë e përkrahjes për të gjatë gjithë presidencës së turbullt dhe sulmit pothuajse konstant ndaj normave demokratike dhe institucioneve.

Në një analizë, revista politike amerikane “Foreign Policy” përpiqet ta arsyetojë këtë aderim luajal me sugjerimin se mbështetësit e Trumpit janë kryesisht të paarsimuar dhe të varfër apo që të dyja – rëndom të zemëruar pse “janë lënë prapa”. Tani, pasi turma e mbështetësve të Trumpit e sulmoi rëndë demokracinë e SHBA-së, gazeta shkruan se është bërë kristal e qartë se në lojë janë faktorë dukshëm më të rëndësishëm dhe më të kahershëm.

“Dëshmitë përherë më të shpeshta sugjerojnë se trumpizmi – një lloj lëvizjeje kjo populiste djathtiste – gjen terren në brishtësitë jo vetëm përbrenda sistemit politik të SHBA-së, por, më përgjithësisht, edhe përbrenda vetë demokracisë liberale”, ka shkruar “Foreign Policy”.

Faktori frikë

Do të duhen vite derisa të arrihet deri në pikën e pasqyrimit të plotë të mbështetjes masive për Trumpin, por para kësaj, kërkimet dhe studimet preliminare të deritashme veçse e sugjerojnë një këndvështrim më të nuancuar se si ngrihen autoritarët dhe nacionalistët malinj. Në vend të telasheve ekonomike, kërkimet empirike disadekadëshe në një sërë shtetesh kanë treguar se ndjenjat dhe perceptimet e kërcënimit sociokulturor janë në fakt nxitësit parësorë të ngritjes së ndjenjave autoritare mes elektoratit, si dhe demagogjisë që i shërbeu gjithë kauzës.

“Në një shoqëri moderne, multikulturore, qytetarë të caktuar thjesht tejpushtohen prej ndërlikueshmërisë në rritje dhe ndryshimit të përnjëhershëm. Këta individë i druajnë humbjes së rendit të tyre shoqëror, statusit dhe jetës familjare që veçse e njohin”, ka shkruar gazeta amerikane. “Pa marrë parasysh nëse është racional apo jo, ky ankth provokon jotolerancë karshi kërcënimeve ndaj rendit kolektiv. Kësisoj, mbështetja për Trumpin buron në një hise të madhe prej atyre që besojnë se ai i kupton dhe e adreson disi këtë frikë të tyren”.

Ky studim, sipas “Foreign Policy”, nuk ka për qëllim të arsyetojë Trumpin, racizmin e tepruar të disa prej mbështetësve të tij, dhe as vetë dëmin real që ata kanë shkaktuar. Është thjesht derivat i një studimi disadekadësh. Rreth një e treta e popullsisë në vendet perëndimore janë të predispozuar kah autoritarizmi, me një 50- përqindësh të trashëgueshëm.

“Autoritarët e kanë një preferencë të trashëguar për veçanshmërinë dhe për të njëllojshmen; atyre u pëlqejnë bindja dhe konformiteti dhe i çmojnë liderët e pushtetshëm e homogjeninë shoqërore karshi lirisë dhe diversitetit. E ky diversitet mund të marrë çdo lloj forme: qoftë të bazuar në linja racore apo etnike, qoftë në dallime morale a politike”, ka shkruar gazeta amerikane.

Të dhënat krahasimore kanë sugjeruar se SHBA-ja mund të jetë e mbërthyer nga autoritarët, ani pse ata mund thjesht të jenë lehtësisht të identifikueshëm në mjedisin tejet të qartë politik.

Por gazeta shkruan në analizën e saj se kur autoritarizmi të kuptohet në aspektin e shtypjes së dallimeve, i gjithë spektri i qëndrimeve trumpiane do të shpaloset të ketë një karakter më universal: Qoftë në Washington apo Varshavë, beteja e vazhdueshme e demokracisë liberale perëndimore me populizmin del të jetë e bashkuar nga frika.

Autoritarizmi e konservatorizmi, të njëjta, por të ndryshme

Persona me prirje të lindura autoritare mund të gjenden si në të djathtën ashtu edhe në të majtën e spektrit politik, ndonëse ata janë disi më pak të shpeshtë në të djathtën. Dhe kjo, sipas gazetës, shpien drejt një pike kritike: Autoritarizmi nuk është i njëjtë sikurse konservatorizmi, ndonëse kanë një korrelacion modest.

Aversioni i natyrshëm i autoritarëve ndaj diversitetit – kompleksitetit dhe shumëllojshmërisë – dallon prej aversionit tradicional të konservatorëve ndaj ndryshimit.

Sipas një studimi të ekspertit të shkencave politike në “Vanderbilt”, Larry Bartels, mbi gjysma e republikanëve të anketuar janë pajtuar se “mënyra tradicionale amerikane e jetesës po zhduket me shpejtësi aq të madhe saqë do t’u duhet që të përdorin forcën për ta shpëtuar”. Më shumë se 40 për qind janë shprehur “do të vijë koha kur patriotët amerikanë do ta marrin ligjin në duart e tyre”.

Dhe të mendimeve të ngjashme nuk janë vetëm republikanët: Një hise e konsiderueshme e demokratëve sikurse edhe e republikanëve janë të gatshëm ta mbështesin dhunën apo shkeljen e procedurave demokratike për mbrojtjen e vlerave të tyre, sidomos kur është fjala tek presidenti.

“Të gjithë njerëzit priren të anojnë kah ata që u ngjasojnë vetë atyre; studimet kanë konfirmuar se njerëzit kanë tendencë të jenë fisnorë. Për autoritarët, animi është skajshmërisht i lartësuar. Dhe kur vihen nën presion apo u jepet miratimi prej liderëve, njerëzit mund të veprojnë bazuar në animin e tyre kundër ‘tjetrit’”, ka shkruar “Foreign Policy” në analizën e saj.

Sipas saj, paragjykimi i nxit emocionet e neverisë, frikës, keqardhjes dhe lakmisë – e prej të gjitha këtyre, lakmia dëshmohet të jetë më e rrezikshmja.

Psikologu Michael Hogg nga Universiteti i Claremontit ka argumentuar se trazimet dramatike shoqërore mund të shpijnë drejt konfuzionit identitar tejet të rrezikshëm, i cili mund t’i shtyjë njerëzit që të përcaktojnë kufij dhe të identifikohen me grupe të njëmendësie që i kundërshtojnë të gjithë që janë për ndryshim. Në situata të tilla, ka thënë Hogg për “Foreign Policy”, njerëzit mund të tërhiqen drejt grupeve ekstremiste me ideologji përjashtuese dhe me “lidership të sertë, drejtues”. Këtij mesi u takojnë autoritarët grushtçeliktë.

Mësimet për Bidenin

Disa nga mbështetësit e Trumpit ndihen të turpëruar nga ndryshimi i shpejtë shoqëror.

Duke folur për gazetën amerikane, Diana Mutz, eksperte e shkencave politike në Universitetin e Pennsylvanias, ka bërë të ditur të ketë gjetur se nxitësi më i rëndësishëm i mbështetjes zgjedhore për Trumpin më 2016 ishte kërcënimi i perceptuar mes grupeve të qytetarëve me status të lartë. Në këtë mes, Mutz i numëron qytetarët e bardhë, të krishterët dhe burrat.

Një sondazh i paradokohshëm i qendrës së studimeve “Pew” ka treguar se qëndrimet e votuesve karshi çështjeve gjinore dhe racore janë edhe më të ndara sot sesa që ishin para katër vjetësh.

Dhe krejt kjo, sipas “Foreign Policy”, e pasqyron një ambient të rrezikshëm.

Por gazeta pyet gjithashtu nëse ekzistojnë në gjithë këtë mes mësime që mund t’i nxjerrë administrata e re e presidentit Joe Biden?

Fitorja zgjedhore e Bidenit është pjesërisht rezultat i aftësisë së tij për t’i përqafuar ndryshimin dhe diversitetin, me anë të prezantimit të vlerave më tradicionale. Duke qenë tani në detyrë, Bideni duhet të ecën nëpër një fije shumë të hollë peri për ta shmangur shpërthimin e frikës shkatërrimtare midis elektoratit të prirë kah autoritarizmi.

“Administrata e re duhet të promovojë barazi dhe drejtësi, duke e shmangur shpërfaqjen kumbuese dhe provokuese të qëndrimeve dhe mesazheve që i avancojnë panevojshëm autoritarët”, ka shkruar gazeta amerikane.

Duke i pasur parasysh kërcënimet e vazhdueshme për dhunë ekstremiste djathtiste, një mundësi e tillë mund të duket e paarsyeshme, nëse jo edhe tërësisht e papërshtatshme. Por në fakt është e realizueshme, po qe se administrata Biden pranon se qoftë edhe krijimi sado i vogël i ndjenjës apo shpërfaqjes së veçanshmërisë dhe të njëllojshmes do të ishte karta në duart e autoritarëve.

Qartazi, predispozitat autoritare nuk janë një problem që çrrënjoset me arsimimin: Në fakt, lartësimi i zhurmshëm i lirisë dhe diversitetit nga demokracia liberale i çon autoritarët jo drejt limiteve të tolerancës së tyre, por në ekstremet e jotolerancës. Për këtë arsye, përqendrimi i fuqishëm retorik në amerikanizmin e bashkuar mund të luajë rol qenësor në pamundësimin dhe çrrënjosjen e jotolerancës së natyrshme.