Botë

Rusia paralajmëron BE-në se mund të ndërpresë lidhjet për sanksionet

Descriptive Text

Rusia është e gatshme të ndërpresë lidhjet me Bashkimin Evropian nëse blloku vendos sanksione të reja, të dhimbshme ekonomikisht, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, njofton BBC-ja.

BE-ja ka rritur mundësitë e sanksioneve të mëtejshme mes një grindjeje mbi trajtimin e udhëheqësit të burgosur të opozitës ruse, Alexei Navalny.

Kur Lavrov u pyet nëse Rusia po shkonte drejt një "shkëputjeje" me BE-në, ai tha: "Ne jemi gati për këtë".

"Nëse doni paqe, përgatituni për luftë", shtoi ai.

Ministri i Jashtëm ka thënë se një ndërprerje e lidhjeve mund të shkaktohet nga sanksionet e BE-së që "krijojnë rreziqe për ekonominë e Rusisë, përfshirë këtu zonat më të ndjeshme".

"Ne nuk duam të izolohemi nga punët e botës, por duhet të jemi të përgatitur për këtë", tha ai për kanalin rus në YouTube, “Solovyov Live”.

Javën e kaluar, Rusia dhe BE-ja kanë dëbuar diplomatët e njëra-tjetrës, si dëshmi për mosmarrëveshjet e forta për çështjen e Navalnyt.

Rusia veproi e para, një javë më parë, duke thënë se tre diplomatë të BE kishin marrë pjesë në një protestë të paligjshme pro Navalnyt - një pretendim i hedhur poshtë nga BE.

Navalny është helmuar muaj më parë në Rusi. Më pas u dërgua për kurim në Gjermani dhe pas kthimit në Rusi, në fund të dhjetorit, ai u burgos.