Botë

“Luftuan për Trumpin”

Kongresistja demokrate, Diana DeGette, ka thënë të enjten para senatorëve – të cilët përbëjnë jurinë në këtë gjykim – se “vetë deklaratat e protestuesve para, gjatë dhe pas sulmit kanë bërë të qartë se sulmi ishte ndërmarrë për Donald Trumpin dhe për përmbushjen e dëshirave të tija”. “Ky nuk ishte një krim i fshehur”, ka thënë DeGette. “Presidenti u tha që të ishin aty, andaj ata faktikisht besuan se nuk do të përballeshin me ndonjë dënim”

Washington, 11 shkurt (AP) – Demokratët që i shpalosën argumentet për dënimin e Donald Trumpit shkaku i sulmit të përgjakshëm në Capitol më 9 janar janë përqendruar të enjten në rolin që luajti ish-presidenti në grumbullimin dhe ndezjen e protestuesve, si dhe në dëmtimin e shkaktuar gjatë mësymjes.

Gjatë ditës së tretë të procesit të impiçmentit ndaj Trumpit në Senat, ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët shërbejnë si prokurorë të rastit, kanë ofruar shembuj ilustrues që konkretizonin se si ai i mblodhi mbështetësit e tij në Washington, në ditën e dhunës.

Kongresistja demokrate, Diana DeGette, ka thënë të enjten para Senatorëve – të cilët përbëjnë jurinë në këtë gjykim – se “vetë deklaratat e protestuesve para, gjatë dhe pas sulmit kanë bërë të qartë se sulmi ishte ndërmarrë për Donald Trumpin dhe për përmbushjen e dëshirave të tija”.

“Ky nuk ishte një krim i fshehur”, ka thënë DeGette. “Presidenti u tha që të ishin aty, andaj ata faktikisht besuan se nuk do të përballeshin me ndonjë dënim”.

Image
Në videon dramatike të shfaqur nga demokratët, turma e mbështetësve të Trumpit dëgjohet tek bërtet: “Vareni Mike Pencen”

DeGuette e prezantoi edhe një video, në të cilën dëgjohej një protestues tek i thoshte një tjetri, derisa po futeshin në një zyrë të Kongresit: “Do të gëzohet – çfarë mendon, ne për të po luftojmë”.

Mision i zorshëm

Dhoma demokrate e Përfaqësuesve e kishte fajësuar ish-presidentin republikan më 13 janar për nxitjen e kryengritjes, nëpërmjet udhëzimit të mijëra mbështetësve që të marshonin drejt ndërtesës së Capitolit derisa Kongresi ishte mbledhur për ta certifikuar fitoren zgjedhore të rivalit të tij demokrat, Joe Biden.

Demokratët janë duke u përpjekur që me anë të dëshmive të ofruara – kryesisht videoxhirime nga dita e ngjarjes – ta sigurojnë dënimin e Trumpit dhe t’ia pamundësojnë atij mbajtjen e ndonjë posti federal në të ardhmen. Por ky përbën një mision të vështirë për ta, duke e pasur parasysh popullaritetin e vazhdueshëm të Trumpit mes votuesve të shumtë republikanë. Ish-presidenti ka shprehur interesimin e tij për kandidimin e sërishëm për president në zgjedhjet e vitit 2024. Për bllokimin e kësaj mundësie të synuar nga demokratët dhe për dënimin e Trumpit do të nevojitej vota e shumicës prej dy të tretash në Senat, që do të thotë se të paktën 17 senatorë republikanë do të duhej të anonin kah demokratët për ndëshkimin e ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Derisa disa senatorë republikanë kanë bërë të ditur se menaxherët e Dhomës po i prezantojnë mirë argumentet e tyre, shumë syresh i përmbahen qëndrimit se Trumpi nuk duhet të dënohet.

Senatori republikan, Marco Rubio, ka thënë për “Fox News” se ndonëse sulmi i 6 janarit ishte i “tmerrshëm”, procesi i impiçmentit nuk është i përshtatshëm pasi që Trumpi nuk është më në detyrë.

“Ata kanë thënë”

Nëntë menaxherët e Dhomës kanë argumentuar se Trumpi i kishte “mbjellë farat” e sulmit, duke e trimëruar dhunën dhe duke bërë pretendime të rreme për vjedhjen e zgjedhjeve të 3 nëntorit para ngjarjeve të 6 janarit.

“Të gjithë ata njerëz që janë arrestuar dhe paditur janë duke u mbajtur përgjegjës për veprimet e tyre. Lideri i tyre, burri që i nxiti, duhet të mbahet gjithashtu përgjegjës”, ka thënë DeGette para senatorëve. “Por... nuk duhet t’u besoni fjalëve të mia se kryengritësit kanë vepruar me udhëzimin e Donald Trumpit. Ata e kanë thënë një gjë të tillë”.

Pesë persona, përfshirë një polic, kanë vdekur në ditën e dhunës. Dy policë të tjerë të përfshirë në operacionin e përgjigjes kanë vdekur si pasojë e vetëvrasjes disa ditë më vonë.

Image
Pamje nga brendia e Capitolit, pak para hyrjes së protestuesve në ndërtesë

Në një rast të veçantë gjyqësor, prokurorët federalë kanë bërë të ditur të enjten se pjesëtarët e grupit antiqeveritar “Oath Keepers” kishin përgatitur plane të veçanta për bastisjen e Capitolit më 6 janar dhe se kishin synuan të ndërmerrnin një “forcë të armatosur, të reagimit të shpejtë” jashtë qytetit, në mënyrë që të “luftojë krah më krah” po qe se urdhërohet nga Trumpi.

Gjashtë prej 50 senatorëve republikanë iu shkëputën radhëve të tyre për të anuar kah demokratët të martën, kur Senati votoi se procesi i impiçmentit mund të vazhdojë, ani pse mandati presidencial i Trumpit ka përfunduar më 20 janar.

Të enjten, lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer, e ka lënë të hapur mundësinë që Kongresi ta kërkojë një mënyrë tjetër të ndëshkimit të Trumpit po qe se Senati e shfajëson. Në këtë mes përfshihet aktivizimi i Amendamentit të 14-të të Kushtetutës, i cili i jep kompetencë Kongresit për t’ua ndaluar zyrtarëve publikë mbajtjen e një posti federal po qe se përfshihen në kryengritje apo rebelim.

Me dhjetëra ish-zyrtarë republikanë, të cilët janë shprehur të zemëruar me jogatishmërinë e partisë së tyre për t’u ngritur kundër Trumpit, janë të përfshirë në bisedime për formimin e një partie të veçuar të qendrës së djathtë, kanë bërë të ditur katër persona të përfshirë në diskutime.

Gjykimi kundër Trumpit mund të përmbyllet të shtunën apo më së largu të dielën, ka bërë të ditur një ndihmës i lartë në Senat.

Nëntë anëtarët e Dhomës e kaluan tërë të enjten duke i shpalosur ngjarjet që i prinë protestës, duke e vënë në epiqendër kërcënimin ndaj Mike Pences, nënpresidentit të Trumpit.

Senatorëve u janë shfaqur pamjet dramatike të kamerave të sigurisë, ku turma e mbështetësve të Trumpit shihet në brendi të Capitollit tek bërtet: “Vareni Mike Pencen”. Turma në video raportohet se i ishte vënë pas kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka komentuar të enjten për të parën herë procesin ndaj pararendësit, duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Mendoj se Senati ka një punë shumë të rëndësishme për ta bërë. Dhe, mendoj unë, mendësia ka ndryshuar, por megjithatë nuk e di”, ka thënë Biden.

Trumpi është i pari president amerikan që është fajësuar dy herë dhe po ashtu i pari që përballet me gjykim pas largimit nga detyra. Procesi i tij i parë i impiçmentit, shkaku i presionit ushtruar ndaj Ukrainës për ta hetuar Bidenin, ka përfunduar me shfajësimin e tij një vit më parë në Senatin asokohe të kontrolluar nga shumica republikane.