Botë

Idetë amerikane që po e thyejnë Francën

Franca për një kohë të gjatë është mbështetur në identitetin kombëtar, ka shkruar gazeta “New York Times”. Ky identitet është i bazuar në kulturën e përbashkët, të drejtat fondamentale dhe vlerat e përbashkëta si barazia dhe liria, duke mohuar diversitetin dhe multikulturalizmin. Francezët shpesh e shohin SHBA-në si shoqëri të thyer në betejë me vetveten

Kërcënimi thuhet se është ekzistencial. I shkon përshtati ndarjes. Shpon fort unitetin kombëtar. Nxit islamizmin. Sulmon pasurinë intelektuale dhe kulturore të Francës. Kërcënimi?

“Teori të ndryshme të shkencave sociale të importuara krejtësisht nga Shtetet e Bashkuara”, thotë presidenti francez, Emmanuel Macron.

Në një analizë, prestigjiozja “New York Times” ka shkruar mbi idetë progresive të Amerikës që po konsiderohen si goxha të rrezikshme për ekzistencën e Francës.

“Politikanët, intelektualët e profilit të lartë dhe gazetarët në Francë kanë tërhequr vërejtjen se idetë progresive amerikane – sidomos ato për racën, gjininë, post-kolonializmin – po kërcënojnë shoqërinë franceze”, shkruan gazeta amerikane. “Është një betejë e ashpër kundër matriksit intelektual nga universitetet amerikane”, paralajmëroi ministri francez i Arsimit.

Të mbushur nga këto komente, intelektualët më të njohur, siç shkruan “New York Times”, janë bërë bashkë kundër asaj që e quajnë kontaminim nga e majta ekstreme e kampuseve amerikane.

Përballë tyre është një rojë rioshe dhe e larmishme që këto teori i cilëson si mjete për të kuptuar pikat kryesore të një kombi të larmishëm që ende shkundet, kur përmendet raca dhe që ende nuk ka arritur të pajtohet me të kaluarën koloniale. Shpesh i shmanget shqetësimeve të pakicave si politikë identiteti.

Ndikimi i mediave

Përçarjet që gjetkë joshin pak vëmendje, tani po shpërthejnë përpjetë në lajme dhe rrjete sociale, shkruan gazeta amerikane. Drejtori i ri i Operës së Parisit që të hënën mëtoi diversitet në staf, është sulmuar nga politikania e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, por edhe nga gazeta “Le Monde”, ani pse gjermani kishte punuar në Toronto dhe “për dhjetë vjet ka thithur kulturën amerikane”

Gazeta amerikane ka shkruar po ashtu se publikimi i një libri kritik për studimet racore nga dy veteranë të shkencave sociale, Stéphane Beaud dhe Gérard Noiriel, ngjallën kritika nga studiuesit e rinj dhe ka marrë vëmendje të madhe në media.

Noiriel thotë se raca është bërë “buldozer” që po shtyp temat e tjera. Shtoi se hulumtimi akademik në Francë është vënë në dyshim, për shkak se raca nuk njihet nga qeveria dhe rrallë posedon “të dhëna subjektive”.

Në analizën e gazetës “New York Times” thuhet se debati i ashpër francez mbi shumë disiplina akademike në kampuset e SHBA-së mund të befasojë ata që kanë parë rënien e ngadaltë të ndikimit amerikan cep më cep botës. Në disa mënyra, është një luftë e autorizuar për disa nga çështjet më të ndjeshme në shoqërinë franceze, përfshirë identitetin kombëtar dhe ndarjen e pushteteve. Në një komb ku intelektualët ende mbizotërojnë, aksionet janë të mëdha. Në një komb ku intelektualëve ende u dëgjohet fjala, bastet janë të larta.

“Me jehonën e kulturës së betejave amerikane, përplasjet filluan brenda universiteteve, por loja po luhet edhe në studiot e mediave. Politikanët kanë peshuar fjalët çdoherë e më shumë, sidomos pas vitit të turbullt në të cilin disa ngjarje vunë në dyshim parimet e shoqërisë franceze”, shkruan gazeta “New York Times”.

Gjeneratë e re protestuesish

Protestat e mëdha në Francë kundër brutalitetit të policisë, të frymëzuara nga vrasja e afro-amerikanit George Floyd, gazeta njujorkeze shkruan se e kanë sfiduar refuzimin zyrtar të racës dhe racizmin sistematik.

“Një gjeneratë #MeToo e feministëve konfrontoi fuqinë e mashkullit dhe feministët e moçëm. Një seri e aksioneve policore pas sulmeve islamike vuri dyshim modelin shekullar të Francës dhe integrimin e refugjatëve nga kolonitë e saja”, shkruan gazeta.

Gazeta amerikane vlerëson se disa francezë panë fotografi të identitetit politik amerikan dhe teori të shkencave sociale. Ligjvënësit e qendrës së djathtë shtuan presionin për hetim parlamentar mbi “ekseset ideologjike” në universitete dhe veçuan studiuesit “fajtorë” nëpër rrjetin social Twitter.

Macroni që më parë nuk ishte i interesuar për këto çështje, por që tani po ndjek të djathtën para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm – doli në skenë gjatë qershorit të shkuar. Fajësoi universitetet për inkurajimin e “etnizimit të çështjeve shoqërore” – që do të thotë “ndarjen në dysh të republikës”.

“Isha e befasuar”, thotë Nathalie Heinich, sociologe që në muajin janar ndihmoi në krijimin e organizatës kundër “dekolonializimit dhe politikës së identitetit”. I përbërë nga figura të njohura, kryesisht të pensionuara, grupi ka tërhequr vërejtjen për teoritë shoqërore të frymëzuara nga Amerika, të cilat po publikohen nga mediat, si “Le Point” dhe “Le Figaro”.

Për Heinichin, zhvillimet e vitit të kaluar erdhën pas aktivizimit të madh që nxiti përplasjet ndërkombëtare në lidhje me qasjen kulturore dhe racore në universitetet franceze. Në “Sorbonne”, aktivistët parandaluan një shfaqje të Eskilit si shenjë proteste ndaj mbajtjes së maskës dhe grimit të errët nga aktorët e racës së bardhë; gjetkë një komentuesi të njohur iu mohua festa pas presionit studentor.

“Ishte një seri e incidenteve që ishin shumë traumatike për komunitetin tonë dhe ra nën atë që u quajt kulturë e anuluar”, thotë Heinich.

Shpërfaqja e problemeve të tjera

Për të tjerët, vlerëson gazeta, pakënaqësia ndaj ndikimit amerikan zbuloi probleme të tjera: një establishment të paaftë për t’u përballur me botën në një fluks të madh, sidomos në kohën kur keqmenaxhimi i pandemisë nga qeveria ka thelluar edhe më shumë ndjesinë e refuzimit në shtetin dikur të fuqishëm.

“Është një shenjë e vogël e një republike të frikësuar, në rënie, provincialiste, por e cila, në të kaluarën e deri më sot beson në misionin e saj universal dhe kërkon përgjegjësit e rënies së madhe”, thotë François Cusset, ekspert në civilizimin amerikan në “Paris Nanterre University”.

Franca për një kohë të gjatë është mbështetur në identitetin kombëtar, shkruan gazeta “New York Times”. Ky identitet është i bazuar në kulturën e përbashkët, të drejta fondamentale dhe vlera të përbashkëta si barazia dhe liria, duke mohuar diversitetin dhe multikulturalizmin. Francezët shpesh e shohin SHBA-në si shoqëri të thyer në betejë me vetveten.

“Por larg nga të qenit amerikan, shumë mendimtarë që fshihen prapa teorive për gjininë, racën dhe post-kolonializmin, vijnë nga Franca – si dhe nga pjesa tjetër e Evropës, Amerikës Latine, Afrikës dhe Indisë”, thotë Anne Garréta, shkrimtare franceze që jep letërsi në universitete të Francës dhe në Duke.

Është një botë e tërë e ideve globale që po qarkullojnë. Rastis që kampuset që janë më kosmopolite dhe më të globalizuara në këtë pikë të historisë janë ato amerikanet”, shton ajo.

Shtet me të kaluar raciste

Shteti francez nuk mbledh statistika racore. Janë të jashtëligjshme. Kështu e përshkruan më së miri angazhimin në universalen dhe trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve. Shumë studiues të racës vlerësojnë se ngurrimi është pjesë e historisë së gjatë të mohimit të racizmit, tregtisë me skllav dhe së kaluarës koloniale.

“Çfarë është më franceze sesa pyetja raciste në një shtet të krijuar përreth këtyre pyetjeve?”, thotë Mame-Fatou Niang, që kohën e saj e ka të ndarë mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara. Është ligjëruese e studimeve franceze në “Carnegie Mellon University”.

Niang i priu një iniciative për heqjen e një afreske në Asamblenë Kombëtare të Francës. Në këtë afresk janë dy personazhe të racës së zezë me buzë të fryra dhe syhapur.

“Qëndrimet e saj mbi racën e kanë bërë cak të rregullt nëpër rrjete sociale, përfshirë të një ligjvënësi që bëri thirrje për hetime të ‘ekseseve ideologjike’ në universitete”, shkruan “New York Times”

Pap Ndiaye, historiani që u priu tentimeve për të themeluar studimet e racës së zezë në Francë, thotë se nuk është rastësi që vala e tanishme e retorikës anti-amerikane po rritet si protestat e para kundër racizmit dhe dhunës së policisë që u mbajtën në qershorin e shkuar.

“Thuhej se ne po flasim shumë në lidhje me pyetjet racore në Francë”, thotë ai. “Boll më”.

Gazeta njujorkeze shkruan se tri sulme në vjeshtën e vitit 2020 shërbyen si përkujtim se terrorizmi mbetet kërcënim në Francë.

“Sulmet kthyen vëmendjen te një çështje tjetër e ndjeshme e hulumtimeve: islamofobinë që tregon se si armiqësia kah islami në Francë, ka rrënjë në të kaluarën kolonialiste të saj në botën myslimane dhe po vazhdon t’i japë formë jetës së myslimanëve francezë”, thuhet në analizën e NYT-së.

Shtypja dhe islamofobia

Abdellali Hajjat, një ekspert mbi islamofobinë, thotë se është bërë shumë e vështirë përqendrimi në lëndën e tij pas vitit 2015, kur ndodhën sulmet terroriste në Paris. U thanë të gjitha fondet qeveritare për hulumtimet në këtë çështje. Hulumtuesit rreth islamofobisë janë akuzuar si apologjistë të islamikëve, madje edhe terroristëve.

“Për shkak të atmosferës shtypëse, Hajjat para dy vjetësh iku drejt “Free University of Brussels” në Belgjikë. Në këtë universitet ka gjetur më shumë liri akademike”, shkruan gazeta.

“Sa i përket islamofobisë, vetëm Franca është vendi në të cilin gjuha e dhunshme është duke refuzuar këtë fjalë”, thotë ai.

Ministri i Macronit për arsimin, Jean-Michel Blanquer, akuzoi universitetet se nën ndikimin amerikan, kanë bashkëpunuar me terroristët kur ofruan arsyetime intelektuale prapa akteve të tyre. Një grup prej 100 studiuesve të njohur i shkruan letër përkrahëse ministrit dhe kritikuan teoritë e sjella nga kampuset e Amerikës Veriore.

Nënshkruesi i letrës, Gilles Kepel, ekspert i islamit, thotë se ndikimi amerikan ka shpjerë te “një lloj ndalimi i të menduarit për fenomenin e islamit politik në emër të ideologjisë majtiste që konsideron se religjioni është i nënprivilegjuar”.

Së bashku me islamofobinë, përmes “këtij importi krejtësisht artificial” në Francë erdhi edhe tema e racës së zezë në stilin amerikan që disa po tentojnë të krijojnë një fotografi false të Francës fajtore për “racizmin sistematik” dhe “privilegjin e të bardhëve”, thotë Pierre-André Taguieff, historian dhe kritik i madh i ndikimit amerikan.

Taguieff thotë se hulumtimet mbi racën, islamofobinë dhe post-kolonializmin janë të motivuara nga urrejtja e Perëndimit, si civilizim i të bardhëve”.

“Agjenda e përbashkët e këtyre armiqve të civilizimit evropian mund të përthekohet me tri fjalë” dekolonizim, zhburrnim, de-evropianizim”, thotë Taguieff.

“Burri tipik i bardhë – këtë duhet dënuar dhe eliminuar si armik”, shton ai.

Prapa sulmeve ndaj universiteteve amerikane – që po prihen nga intelektualët e moshuar të racës së bardhë – shtrihen tensionet në një shoqëri në të cilën fuqia është për ta uzurpuar cili i pari, thotë Eric Fassin, sociolog, njëri prej të parëve që ka studiuar mbi racën dhe racizmin në Francë.

“Para 15 vjetësh kur ai po kryente këto studime, studiuesit e racës ishin të bardhë si vetë ai. Thotë se shpesh është quajtur tradhtar. Është kërcënuar së fundmi nga një ekstremist që u dënua me katër muaj burgim. E kërcënoi me prerje koke”, shkruan gazeta. Por dalja në sipërfaqe e intelektualëve riosh – disa të racës së bardhë ose myslimanë – ka nxitur sulmet ndaj asaj që Fassini e quan “gogol amerikan”.

“Për këtë shkak gjërat janë kthyer përmbys. Nuk janë vetëm objektet për të cilat flasim, por edhe për ata janë subjekte për të cilat flasim”.