Botë

BE-ja e ndarë për idenë e “pasaportës së vaksinimit”

Descriptive Text

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian mbesin të ndara lidhur me idenë e një “pasaporte të vaksinimit”. Vendet bregdetare të BE-së po e mbështesin një ide të tillë për shkak se një pjesë e ekonomisë së tyre varet nga turizmi.

Muajin e kaluar, Greqia i bëri thirrje që Komisioni Evropian të lejojë që "certifikatat e vaksinës" të përdoren për udhëtime në BE. Të hënën ky vend nënshkroi një marrëveshje me Izraelin për të mundësuar udhëtimin e personave të vaksinuar.

Diskutimet brenda bllokut 27 anëtarësh janë duke u zhvilluar për rregullat e përbashkëta mbi të dhënat e pacientëve dhe njohjen e certifikatave të vaksinave.

Ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se çfarë të drejta mund të sigurojë një certifikatë e tillë. Spanja, e cila është shumë e interesuar për të pasur turistë ende nuk ka lëshuar një “pasaportë të vaksinimit”.

Ministrja e Jashtme, Arancha Gonzalez Laya, e ka vlerësuar një ide të tillë si "një element shumë të rëndësishëm për të garantuar një kthim të sigurt të lëvizjes". Edhe Italia beson se një dokument i tillë mund të hapë rrugën e kthimit në aktivitete normale.

Suedia dhe Danimarka kanë prezantuar tashmë certifikatat elektronike, në bazë të të cilave mund të bëhen udhëtimet jashtë vendit. Në Danimarkë për shembull ata që posedojnë këto dokumente mund të darkojnë në restorante.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e mbështet mundësinë e certifikatave të vaksinave, por ka shprehur kritika që ato të përdoren si kusht për të mundësuar udhëtimin.

Franca është shprehur skeptike.

"Nuk kanë të gjithë qasje në vaksina. Pastaj, ne nuk e dimë nëse ato parandalojnë transmetimin", tha ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran, në janar. Gjermania është gjithashtu kundër që një pakicë e njerëzve të vaksinuar të gëzojnë privilegje të cilat u ndalohen të tjerëve.

"Nëse një restorant dëshiron të hapet vetëm për njerëzit e vaksinuar, do të ishte e vështirë të ndalohet sipas ligjeve aktuale", tha ministrja e Drejtësisë, Christine Lambrecht.

Në Bashkimin Evropian janë vaksinuar me dy doza të vaksinës vetëm 5.5 milionë njerëz. Kjo përbën vetëm 1.2 për qind të popullsisë.

Të paktën 12.8 milionë njerëz apo 2.9 për qind e popullsisë së bllokut kanë marrë një dozë, e cila siguron imunitet të pjesshëm ndaj COVID-19. \ REL