Botë

Senati voton për ta çuar përpara gjykimin historik ndaj Trumpit

Senatorët e miratoi me 56 vota për dhe 44 kundër vazhdimin e gjykimit ndaj ish-presidentit, në rastin e parë historik, duke i rrëzuar argumentet kryesisht në linja partiake të avokatëve të mbrojtjes së Trumpi nuk mund të ballafaqohet me procesin shkaku se veçse është larguar nga Shtëpia e Bardhë. Votimi u mbajt pasi që procesi u hap të martën, me argumentimin e demokratëve për diskualifikimin e Trumpit nga mbajtja e ndonjë posti federal në të ardhmen

Senatorët amerikanë votuan të martën për ta çuar përpara procesin e impiçmentit ndaj Donald Trumpit për akuzën e nxitjes së kryengritjes në Capitol, duke e hedhur poshtë pretendimin se gjykimi është jokushtetues pas shfaqjes së videos grafike nga dhuna e 6 janarit.

Senatorët e miratoi me 56 vota për dhe 44 kundër vazhdimin e gjykimit ndaj ish-presidentit, në rastin e parë historik, duke i rrëzuar argumentet kryesisht në linja partiake të avokatëve të mbrojtjes se Trumpi nuk mund të ballafaqohet me procesin shkaku se veçse është larguar nga Shtëpia e Bardhë. Votimi u mbajt pasi që procesi u hap të martën, me argumentimin e demokratëve për diskualifikimin e Trumpit nga mbajtja e ndonjë posti federal në të ardhmen.

Procesi dramatik në Senatin 100-anëtarësh të martën është përqendruar në çështjen nëse mbajtja e gjykimit pas largimit të Trumpit nga Shtëpia e Bardhë, më 20 janar, përbën shkelje të Kushtetues amerikane, e cila lejon zhvillimin e procesit të njohur si “impeachment” për “krime dhe kundërvajtje të larta”.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët shërbejnë si prokurorë, e hapën rastin e tyre duke e transmetuar një video të mbështetësve të Trumpit tek i mbisundojnë dhunshëm zyrtarët policorë në Capitol gjatë sulmit të 6 janarit, të ndërmarrë pasi që ish-presidenti i trimëroi ata në një fjalim që “të luftojnë sikurse në ferr” për ta përmbysur disfatën e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Akuzat më të rënda”

“Nëse kjo nuk është një shkelje për impiçment, atëherë shkelje të tillë nuk ka”, ka thënë kongresisti demokrat, Jamie Raskin, i cili udhëheqë procesin, duke folur para senatorëve të mbledhur.

Videoja ka shpërfaqur mbështetësit e Trumpit tek i rrëzojnë barrierat dhe qëllojnë policët. Aty shfaqet edhe momenti kur protestuesit thyen dyert e sallës së Kongresit, derisa ligjvënësit ndodheshin ende brenda. Në ngjarjet e dhunshme kanë mbetur të vdekur pesë persona.

Për dënimin e Trumpit do të duhen votat e shumicës prej dy të tretash, që nënkupton se të paktën 17 republikanë duhet t’u bashkohen 48 demokratëve dhe dy të pavarurve në Senat në votën ndaj republikanit. Ky megjithatë është një prag i lartë.

Trumpi ishte fajësuar nga Dhoma demokrate më 13 janar për akuzën e nxitjes së kryengritjes. Demokratët shpresojnë që t’ia bllokojnë atij mundësinë për ta mbajtur ndonjëherë një tjetër detyrë federale. Ai është i vetmi president që gjykohet në Senat pas largimit nga posti dhe gjithashtu i vetmi që i është nënshtruar procesit të impiçmentit dy herë. Gjasat për shfajësimin e tij janë të larta, falë mbështetjes së republikanëve në Senat.

Lideri i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer, e ka quajtur akuzën ndaj Trumpit “më të rëndën të ngritur ndaj një presidenti në të gjithë historinë e Shteteve të Bashkuara”.

Para sulmit në Capitol, Trump kishte pretenduar rrejshëm se mashtrimet e gjithmbarshme me vota ia kishin humbur zgjedhjet karshi Trumpit. Senatorët e shikuan videon e adresimit të tij para mbështetësve në një tubim para dhunës, duke i përsëritur po të njëjtat pretendime.

“Presidentët nuk mund të ndezin kryengritje në javët e tyre përfundimtare dhe pastaj të ikin sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Dhe megjithëkëtë, ky është rregulli që presidenti Trump u ka kërkuar që ta zbatonin”, ka thënë kongresisti demokrat, Joe Neguse. “Ju nxis – ne ju nxisim – që ta refuzoni kërkesën e tij, ta lartësoni Kushtetutën, dhe të na lejoni që ta gjykojmë këtë rast”. Ndërkaq republikani Mitch McConnell ngeli i heshtur teksa shikonte pamjet e videos së dhunës.

Avokatët e mbrojtjes planifikojnë që ta përqendrojnë rastin në argumentin se vetëm një president në detyrë mund të përballet me procesin për impiçment. Por ekspertë të shumtë ligjorë kanë bërë të ditur se është në përputhje me Kushtetutën që gjykimi të mbahet edhe pas largimit të presidentit.

Katër vjetët e trazuar të Trumpit

Procesi ka nxjerrë në pah udhëkryqin përbrenda Partisë Republikane, pas katër vjetëve të trazuar të SHBA-së nën drejtimin e Trumpit.

Ndasitë e thella janë shfaqur midis besnikëve të Trumpit dhe atyre që shpresojnë ta shpijnë partinë në drejtim të ri. Ndërkohë, demokratët kanë shprehur shqetësimin se gjykimi mund ta cungojë aftësinë e presidentit Joe Biden për ta avancuar ngutshëm agjendën e tij ambicioze legjislative.

Në procesin e së mërkurës në Senat, pala akuzuese dhe mbrojtja pritet që të kthejnë foksin kah akuza. Që të dyja palët do të kenë nga 32 orë dhe jo më shumë se katër ditë për t’i paraqitur rastet. Procedurat mund të zgjasin edhe më tutje, ashtu që senatorët të kenë kohë për t’i marrë në pyetje dy anët.

Një vit më parë, Senati i kontrolluar asokohe nga republikanët kishte shfajësuar Trumpin nga akuzat për pengimin e punimeve të Kongresit dhe abuzimin me detyrën lidhur me presionin ushtruar ndaj Ukrainës për nisjen e hetimeve ndaj Bidenit dhe të birit të tij, Hunter, në vitin 2019. \ AP