Botë

Numri i të prekurve me variantin e ri të koronavirusit po dyfishohet çdo 10 ditë në SHBA

Një variant i koronavirusit, lehtë i transmetueshëm, që u zbulua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar, tani është përhapur me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe numri i të prekurve po dyfishohet çdo 10 ditë, sipas një studimi të ri.

Raporti i lëshuar të hënën nga “MedRxiv” parashikoi që varianti britanik, i njohur zyrtarisht si B.1.1.7, mund të bëhet varianti më dominues i COVID-19 në SHBA deri në muajin e ardhshëm, raporton Independent.

Ky variant është i pranishëm që nga nëntori brenda territorit të SHBA-së, sipas grupit, i udhëhequr nga shkencëtarët në Institutin e Kërkimeve “Scripps”.

Studiuesit vlerësuan se varianti i ri ishte 35 deri në 40 për qind më i transmetueshëm se çdo lloj tjetër që ishte shfaqur më parë në SHBA.