Botë

Kina thyen rrjetin e prodhimit të vaksinave false anti-COVID-19

Vaksinat false të prodhuara nga rrjeti i udhëhequr nga i dyshuari me mbiemrin Kong ishin shitur në Kinë dhe në vende të tjera, mirëpo nuk është specifikuar se në cilat

Policia kineze ka arrestuar më shumë se 80 pjesëtarë të dyshuar të një grupi kriminal që prodhonte dhe shiste vaksina false kundër COVID-19.

Policia në Pekin dhe në krahinat Jiangsu e Shandong ka thyer grupin e udhëhequr nga i dyshuari me mbiemrin Kong, i cili prodhonte vaksina false që përmbanin një solucion të thjeshtë me kripëra, ka raportuar agjencia zyrtare kineze e lajmeve “Xinhua”.

Vaksinat ishin shitur në Kinë dhe në vende të tjera, mirëpo nuk është specifikuar se në cilat. Grupi ka vepruar që nga shtatori i vitit të shkuar, kanë raportuar mediat shtetërore.

“Kina tanimë e ka raportuar rastin te shtetet relevante”, ka thënë ministri i Jashtëm kinez, Wang Wenbin, gjatë një konference për media. “Qeveria kineze e çmon lart sigurinë e vaksinave dhe do të vazhdojë të bëjë përpjekje për t’iu kundërvënë falsifikimeve, shitjeve dhe bizneseve ilegale me vaksina, si dhe veprimet e tjera të ndërlidhura me vaksinat”, ka thënë Wang.

Ai ka bërë të ditur, po ashtu, se Kina do ta fuqizojë bashkëpunimin me vendet relevante për parandalimin me kohë të të gjitha llojeve të veprimit ilegal dhe kriminal. Por, nuk ka ofruar hollësi të tjera.

Kina ka një historik të gjatë të skandaleve me vaksinat që ndërlidhen si me çështjet e prodhimit ashtu edhe me praktikat afariste. Në vitin 2016, policia kishte arrestuar dy persona të akuzuar për pjesëmarrjen në rrjetin që kishte shitur kudo përreth vendit me miliona doza të vaksinave që nuk ishin ruajtur në mënyrë adekuate.

Në përgjigje ndaj skandaleve të fundit, Kina ka reformuar rregullat e sigurisë së vaksinave dhe ka ngritur dënimet kriminale për të gjithë të kapurit për falsifikime.

Shumë qytetarë kinezë nuk kanë besim në vaksinat e prodhimit vendor, ndërsa sondazhet e mëhershme kanë treguar se besimi në vaksina ka rënë edhe më shumë, pas skandaleve si ai i 2016-s. Sidoqoftë, që nga fillimi i pandemisë COVID-19, besimi është rritur përsëri.

Gjithsej 74 për qind e respondentëve të një sondazhi të fundit, të publikuar në revistën kineze “Caixin”, kanë thënë se do të merrnin vaksinën kundër COVID-19 po qe se ajo do të ishte e qasshme.Kina ka të paktën shtatë vaksina kundër COVID-19 në fazën përfundimtare të testimeve klinike dhe ka gjithashtu një vaksinë të aprovuar për përdorim të brendshëm të zhvilluar nga kompania farmaceutike “Sinopharm”.

Tregjet kineze të vaksinave kanë rrëmbyer mundësinë e ofruar nga pandemia për t’u zgjeruar globalisht, me ç’rast “Sinopharm” dhe kompanitë e tjera kineze kanë arritur marrëveshje apo kanë dhënë donacion vaksinat e tyre në më shumë se 27 vende përreth botës.

Aktualisht, Kina ka injektuar më shumë se 24 milionë doza nga prodhuesit vendorë të vaksinave kandidate, si pjesë e fushatës së vaksinimit masiv të popullatës. Deri më tani, vendi ka shmangur vaksinimin e më të moshuarve, ndërkaq ka vënë në shënjestër grupet kyç, si punëtorët shëndetësorë dhe punëtorët e industrive të ushqimit, dhe personat të moshave ndërmjet 18 dhe 59-vjeçare. \ AP