Botë

Si u kapën shkaktarët e kaosit në Washington

Descriptive Text

Shumë nga protestuesit që kanë postuar fotografi nga brenda ndërtesës së Capitolit në rrjetet e tyre sociale kanë dhënë intervista për televizione të ndryshme. Një burrë e ka krijuar një album në Facebookun e tij, të cilin e ka titulluar “Shtëpia e kujt? Kjo është shtëpia jonë”. Ky album ishte i mbushur me fotografi të tij dhe të pjesëmarrësve të tjerë në kaosin brenda Capitolit

Washington, janar (AP) - “Ky jam unë”, kishte shkruar një burrë në njërën prej fotografive të postuara nga kaosi i Washingtonit më 6 janar. Me krenari kishte bërë me gisht kah vetja në foton në të cilën shihej turma e dhunshme e drejtuar për në Capitol të Washingtonit. “Pra, ne e kemi sulmuar Capitol Hillin”, kishte shkruar një grua teksa ende ishte brenda ndërtesës së Capitolit. “Unë vetëm doja që ta përfshija pak edhe veten”, kishte shkruar një tjetër person në fotografinë e publikuar në rrjetin social Facebook. Në dhjetëra raste, mbështetësit e presidentit Donald Trumpit haptazi janë mburrur me aktivitetin e tyre nëpër rrjete sociale, ditën e kryengritjes vrastare. Disa prej tyre, pasi e kuptuan që veprimet e tyre mund t’i dërgonin deri te problemet me ligjin, i kanë fshirë llogaritë nëpër rrjetet sociale. Më vonë e kuptuan se ishin familjarët dhe miqtë e tyre ata që i kanë ruajtur fotografitë, videot dhe komentet. Të gjitha të dorëzuara në FBI.

Kallëzimi nga familjarët

Moskokëçarja e tyre e plotë se çfarë ndodh nëse do të kapen, si dhe vullneti i miqve të tyre që t’i paraqesin para forcave të rendit, u ka ndihmuar këtyre të fundit që t’i akuzojnë rreth 150 persona për krime. Por, edhe me ndihmën që hetuesit e kanë marrë nga vetë protestuesit, prapë duhet të punojnë që t’i ndërlidhin pamjet e vandalizmit që ndodhi në Capitol. Synimi është që ngjarjet t’i vërtetojnë para gjykatës. Për shkak se janë bërë shumë pak arrestime më 6 janar, FBI-ja dhe policia federale janë detyruar të dërgojnë agjentët për t’i kërkuar të dyshuarit cep më cep të Amerikës.

“Disa nga ju, duke e parë që ky incident ka qenë tejet skandaloz, i keni dorëzuar edhe miqtë e familjarët tuaj”, ka thënë të martën Steven D’Antuono, ndihmës drejtori i FBI- së për Washington. “Ne e dimë që vendime të tilla shpeshherë janë të dhimbshme, por ju na morët në telefon sepse e dinit se është gjëja e duhur për t’u bërë”, ka shtuar ai.

Në dy javët e fundit, FBI-ja ka pranuar më shumë se 200 mijë fotografi e video të kaosit në Washington. Hetuesit kanë vendosur afishe me fotografitë e protestuesve të kërkuar në disa shtete. Duke marrë informacione nga bashkëpunëtorët, të afërmit dhe miqtë, agjentët ia kanë dalë t’i gjejnë fotografitë e patentë shoferëve të këtyre të dyshuarve. Këto fotografi i kanë krahasuar me ato nga xhirimet e kamerave të sigurisë brenda ndërtesës së Capitolit. Në disa raste autoritetet kanë marrë të dhëna nga Facebooku dhe Twitteri për t’i lidhur llogaritë e tyre në rrjete sociale me adresat elektronike, apo edhe numrat e telefonave të tyre. Në raste të tjera, agjentët i kanë përdorur të dhënat nga lexuesit e targave të makinave në mënyrë që t’i konfirmojnë lëvizjet e tyre.

Dënimi me burgim

Më shumë se 800 persona besohet që kanë hyrë në ndërtesën e Capitolit, por me gjasë jo të gjithë do të mund të kapen e të akuzohen. Prokurorët federalë janë duke u fokusuar në rastet më kritike dhe në shembujt më skandalozë të keqbërjes. Ata duhet t’i kenë parasysh fuqinë njerëzore, shpenzimet dhe dëshmitë kur akuzojnë protestuesit.

Një grup i veçantë i prokurorëve është duke shqyrtuar nëse do të ngrenë akuzën për rebelim. Në rast të dënimit, protestuesit i presin 20 vjet burgim. Tre protestues janë akuzuar për komplot, por të tjerët janë akuzuar për krime siç janë hyrja e paligjshme në objekte shtetërore dhe sjellje të këqija.

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të SHBA-së ka thënë se prokurorët janë “duke i analizuar me kujdes faktet e lidhura për akuzat e rebelimit”. Ai beson “që rezultatet do të sjellin suksese shumë shpejt”.

Shumë nga protestuesit që kanë postuar fotografi nga brenda ndërtesës së Capitolit në rrjetet e tyre sociale kanë dhënë intervista për televizione të ndryshme. Në këto intervista kanë përshkruar përvojën e tyre në kaosin që e shkaktuan. Pasi janë intervistuar nga policia, ishin të gatshëm të pranonin se morën pjesë në vandalizimin e Capitolit. Një burrë e ka krijuar një album në Facebookun e tij, të cilin e ka titulluar “Shtëpia e kujt? Kjo është shtëpia jonë”. Ky album ishte i mbushur me fotografi të tij dhe të pjesëmarrësve tjerë në kaosin brenda Capitolit, kanë thënë zyrtarët.

Image

“Ata mund të kenë menduar, siç kanë menduar shumë të tjerë që kanë punuar me Trumpin, se ‘nëse presidenti më thotë të bëj diçka, ajo gjë nuk është thyerje e ligjit’”, ka thënë Michael Gerhardt, ekspert i impiçmentit dhe profesor i Juridikut në Universitetin e Karolinës Veriore.

Ruajtësit e rendit, pjesë e kaosit

Të tjerët kanë bërë gabime edhe më ekstreme. I tillë është një polic nga Houstoni. Ai e kishte mohuar se qe brenda ndërtesës së Capitolit, mirëpo i kishte lejuar agjentët t’i shikojnë fotografitë në telefonin e tij. Në albumin e fshirë të telefonit pati fotografi dhe video që kishte shkrepur brenda ndërtesës. Një person tjetër ishte i pajisur me sistemin GPS për shkak se gjykata po kontrollonte lëvizjet e tij si i dënuar për vjedhje. Ky person ishte lokalizuar brenda Capitolit më 6 janar. Një zjarrfikës i pensionuar nga Long Island i New Yorkut i ka dërguar një videomesazh vëllait të të dashurës, duke i treguar se ndodhej brenda Capitolit. Vëllai i të dashurës rastisi të jetë agjent federal në Shërbimin e Sigurisë Diplomatike, pjesë e Departamentit të Shtetit. Ai videon menjëherë e dorëzoi në zyrat e FBI-së. Avokati i dhëndrit të tij problematik ka thënë se klienti nuk ka qenë pjesë e asnjë lloj përpjekjeje për të marrë pushtetin e SHBA-së. Sipas avokatit Thomas Fee, klienti i tij thjesht kishte hyrë brenda nga dera e hapur e Capitolit.

Një protestues që kishte hyrë në Capitol e ka spiunuar protestuesin që u bë i njohur për fotografitë në të cilat shihej teksa në shpinë mbante foltoren e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. I kishte shkruar e-mail FBI-së duke i ofruar informata për protestuesin me foltore në shpinë.

Dy ditë pas protestave, kapësit të foltores nuk i është lejuar fluturimi nga Washingtoni. Edhe në aeroplan vazhdonte të thërriste emrin e Trumpit. Dyzet e pesë minuta më vonë, zyrtari i aeroportit kishte parë një video në Instagram, në të cilën shihej në protestën e 6 janarit i përjashtuari nga aeroplani. Protestuesi kishte të veshur këmishën e njëjtë që kishte pasur veshur ditën e kaosit në Washington. Avokatët mbrojtës e kanë pranuar që atyre janë duke ua vështirësuar punën faktet e shumta.

“Unë nuk jam magjistar”, ka thënë avokati që përfaqëson plaçkitësin e foltores së Pelosit. “Ne e kemi një fotografi të klientit tonë që shihet brenda ndërtesës së Capitolit, teksa në krah mban pronën qeveritare”, ka thënë avokati.

Parashikimi i dështuar

Policia e Capitolit kishte tërhequr vërejtjen për një protestë të mundshme, mirëpo nuk ka planifikuar se protestuesit do t’ia mësynin ndërtesës dhe se do të futeshin nëpër korridore e zyrat e ligjvënësve amerikanë. Pesë persona kanë mbetur të vdekur në kaosin që shkundi themelet e demokracisë amerikane. Trumpi po përballet me procesin e shkarkimit me akuzat për nxitje të dhunës ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Argumentet hapëse do të fillojnë javën e 8 shkurtit. Ai është presidenti i parë në histori që dy herë brenda mandatit përballet me procesin e shkarkimit. Ndryshe nga rastet penale, gjyqet për impiçment nuk kanë rregulla specifike për fakte, kështu që gjithçka e thënë apo e bërë mund të përdoret si provë. Ai është në rrezik nga përkrahësit e vet, që kanë thënë se ia mësynë Capitolit duke ndjekur thirrjet e presidentit të tyre.