Botë

Rreziku nga neonazistët: një plagë gjermane

Një gjykatë në Gjermani ka dënuar me burgim të përjetshëm një neonazist që ka vrarë një politikan konservator.

Walter Lübcke ka qenë kryetar i qeverisë së qytetit të Kasselit në Gjermani. Ai i përkiste partisë CDU të kancelares Angela Merkel. Lübcke ishte politikan i shkollës së vjetër (në kuptimin pozitiv): liberal dhe kureshtar, tolerant dhe shërbyes i devotshëm i shtetit. Si i tillë ai e përkrahu politikën e kancelares, e cila në vitin 2015 pranoi gati 1 milion refugjatë, shumicën nga Siria. Urrejtës të të huajve filluan ta urrejnë dhe kërcënojnë Walter Lübcken.

1 qershori i vitit 2019 ishte një natë e freskët pranverore. Para se të flinte, Lübcke doli në ballkonin e shtëpisë së tij për të pirë edhe një cigare, ndërkohë gruaja e tij po e vinte në gjumë nipin. Atë natë një neonazist e vrau Walter Lübcken. E vrau për shkak se ishte angazhuar t’u gjejë strehë refugjatëve. Sot neonazisti që vrau Lübcken u dënua me burgim të përjetshëm.

Vrasja e Lübckes pati tronditur opinionin gjerman. Ishte hera e parë pas Luftës së Dytë Botërore që në Gjermani vritej një politikan nga neonazistët. Në vitet 70-të banda ultrakomuniste (e njohur si “Rote Armee Fraktion”, RAF, Fraksioni i Armatës së Kuqe) kidnapoi dhe vrau presidentin e Federatës së Industrisë Gjermane, Hanns-Martin Schleyer. Viktimë e RAF ishte edhe Siegfried Buback, kryeprokuror i Gjermanisë. Më 1986 RA vrau diplomatin e rangut të lartë Gerold von Braunmühl.

Mes vitit 2000-2007 organizata neonaziste NSU vrau 10 veta, mes tyre një police, kurse viktimat e tjera ishin kryesisht njerëz me origjinë turke. Vrasja e Lübckes e ballafaqoi opinionin gjerman me një të vërtetë të hidhur: neonazistët nuk i ndjekin vetëm të huajt për t’i vrarë, por edhe gjermanët si Walter Lücke, të cilët angazhohen për politikë humane dhe bashkëjetesë të civilizuar. Kryetarja e qytetit të Kölnit, e cila po ashtu është angazhuar për refugjatët, i ka shpëtuar një sulmi me thikë. Këto raste tregojnë se edhe në një shtet funksional si Gjermania klima politike është acaruar dukshëm viteve të fundit. Si rezultat i kësaj pothuaj çdo i pesti gjerman voton partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti ekstremiste, e cila nxit urrejtje kundër të huajve dhe hapur tregon simpati për Vladimir Putinin (dhe Donald Trumpin).

Por instrumentet e shtetit janë të fuqishme. Një vrasje mund të ndodhë edhe në Gjermani, por drejtësia nuk lëshon pe. 30 vjet pas një sulmi kundër një qendre të refugjatëve në krahinën e Saarlandit të enjten është arrestuar një i dyshimtë. Ai tani është 49-vjeçar. Autoritetet e fajësojnë se më 19 shtator 1991 ia ka vënë zjarrin një qendre të refugjatëve dhe me atë rast kishte vdekur një refugjat 27-vjeçar nga Gana, dy njerëz ishin lënduar.