Botë

BE-ja e “AstraZeneca” në luftë për vaksina

Descriptive Text

Përshkallëzimi i përplasjes ka ndodhur të mërkurën, pasi gjatë së hënës zyrtarë të BE-së bënë të ditur të jenë njoftuar nga “AstraZeneca” se kompania synon që gjatë javëve të ardhshme të distribuojë “dukshëm më pak” doza sesa që ishte dakorduar, shkaku i problemeve me prodhimin. Komisioni Evropian ka porositur 400 milionë doza në emër të vendeve anëtare të BE-së dhe pritet që t’i shpërndajë ato përreth bllokut menjëherë pasi që vaksina të aprovohet për përdorim, sipas të gjitha gjasave gjatë kësaj jave

Londër, 27 janar (Reuters-AP) – Lufta verbale midis Bashkimit Evropian dhe “AstraZenecas” është përshkallëzuar të mërkurën, derisa dy palët janë përplasur publikisht rreth vonesës në distribuimin e vaksinave kundër COVID-19, që po e kërcënon rimëkëmbjen e brishtë të bllokut nga pandemia.

Përplasja ka marrë dhenë të hënën, kur zyrtarë të BE-së bënë të ditur të jenë njoftuar nga “AstraZeneca” se kompania synon që gjatë javëve të ardhshme të distribuojë “dukshëm më pak” doza sesa që ishte dakorduar, shkaku i problemeve me prodhimin. Komisioni Evropian ka porositur 400 milionë doza në emër të vendeve anëtare të BE-së dhe pritet që t’i shpërndajë ato përreth bllokut menjëherë pasi që vaksina të aprovohet për përdorim, sipas të gjitha gjasave gjatë kësaj jave.

“Kompanitë farmaceutike dhe zhvilluesit e vaksinave kanë përgjegjësi morale, shoqërore dhe kontraktuale që duhet t’i përmbushin”, ka thënë komisarja e BE-së për Shëndetësi, Stella Kyriakides. “Qëndrimi se një kompani nuk është e obliguar të distribuojë (vaksina)... nuk është as korrekt dhe as i pranueshëm”. “Jemi në pandemi. Po humbasim njerëz përditë. Ata nuk janë numra, nuk janë statistika, janë persona, me familje, me miq dhe kolegë”, ka shtuar ajo.

Telashe në kohë të vështira pandemike

Gjermania ka shënuar të mërkurën njëvjetorin e regjistrimit të rastit të parë të infektimit me virus, kurse vendi nuk ka shfaqur shenja të ngadalësimit të infeksioneve. Portugalia ka raportuar regjistrimin e numrit më të lartë të vdekjeve ditore në 24 orët e fundit. Masat strikte të izolimit janë në fuqi në të gjitha vendet e bllokut.

Kritika e ashpër nga BE-ja ka ndodhur pasi shefi ekzekutiv i “AstraZenecas”, Pascal Soriot, ka thënë se kompania është pajtuar që të bëjë çmos për distribuimin e dozave që kishin porositur vendet e BE-së, porse kontraktualisht nuk obligohet për një orar. Nëpërmjet një komunikate, “AstraZeneca” ka bërë të ditur se ende synon që t’i distribuojë dhjetëra miliona doza në vendet e BE-së gjatë muajve shkurt dhe mars.

Soriot ka thënë për të përditshmen italiane “La Repubblica” se kompania nuk ishte në gjendje që ta specifikonte kohën e dërgesave në BE për shkak se vendet si Mbretëria e Bashkuar ishin më të ngutshme në finalizimin e porosive.

“Kemi pasur telashe të ngjashme me zinxhirin e furnizimeve në Britani. Por kontrata britanike ishte nënshkruar tre muaj para marrëveshjes evropiane për vaksina. Kështu që, me Britaninë, kemi pasur tre muaj kohë shtesë për t’i kapërcyer të gjitha telashet që kemi pasur. Për sa i përket Evropës, jemi tre muaj me vonesë për riparimin e këtyre përplasjeve”, ka thënë ai.

Zyrtarë të BE-së kanë refuzuar ta specifikojnë shkallën e mungesës së vaksinave. Por zhvillimi shokues ka ndodhur teksa palët ende po mundoheshin që ta vlerësonin ndikimin e distribuimit të ngadalësuar me vaksinat e kompanisë “Pfizer”.

Vonesat e dyfishta kanë gjeneruar kundërreagim kudo në rajon, ku qeveritë veçse ishin vënë nën presion shkaku i shpërndarjes së ngadalësuar të vaksinave.

Stuhia politike

Përpjekjet e BE-së për sigurimin e vaksinave kanë marrë një shtysë të mërkurën, kur kompania franceze e ilaçeve “Sanofi” ka njoftuar se do të prodhojë 125 milionë doza të kurës së kompanive “Pfizer”-“BioNTech” për distribuim në vendet e bllokut, duke nisur nga vera e 2021-s. Mirëpo qeveritë evropianë po vazhdojnë me kërkesën për përgjigje rreth vonesave, duke aluduar se suksesi në iniciativën e tyre për vaksinim varet prej sektorit privat.

“Në njërën anë ne vetëm mund t’i përshëndesim rezultatet e shkencës dhe në tjetrën ata e kanë monopolin, dhe na bëjnë krejtësisht të varur”, ka thënë ministri belg i Shëndetësisë, Frank Vanderbroucke.

Kësisoj, Kyriakides kishte bërë të ditur të hënën se blloku do të kërkojë tani “transparencë të plotë për sa u përket eksporteve të vaksinës” nga BE-ja.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se kontrollet nuk kanë për qëllim që ta vënë “BE-në në rend të parë”, por për të siguruar që Evropa ta ketë një hise të drejtë.

Mungesa e furnizimeve, si rrjedhojë, ka shkaktuar ndryshim në plane.

Me qëllim të vaksinimit të të gjithë popullatës sa më parë, Mbretëria e Bashkuar është shtrënguar që dozën e parë të vaksinave të “Pfizer”-“BioNTech” apo “AstraZenecas” t’ua japë sa më shumë personave që të jetë e mundur, para se ta administrojë dozën e dytë më shumë se 12 javë më vonë.

Mirëpo, nuk ekzistojnë të dhëna përfundimtare të testimeve klinike që e vërtetojnë apo mohojnë efikasitetin e marrjes së dy dozave, sa është e nevojshme, brenda një periudhe të këtillë kohore.