Botë

Presidenti i Tanzanisë thotë se Zoti do ta mbrojë vendin e tij nga COVID-19

Descriptive Text

Presidenti i Tanzanisë, John Magufuli, ka thënë sot se vendi i tij nuk ka nevojë për mbyllje nga koronavirusi, pasi thotë se Zoti do t’i mbrojë njerëzit e tij. Ai thotë se masat e mëhershme si inhalimi i avullit është më i mirë sesa vaksinat e rrezikshme të huaja, raporton agjencia Reuters.

Duke kundërshtuar konsensusin shkencor global dhe këshillat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), qeveria e Magufulit ka shmanguar kryesisht mbajtjen e maskave dhe distancës sociale në Tanzani.

Ka ndaluar së raportuari për koronavirus në mesin e vitit të kaluar.

“Vaksinat nuk janë të mira. Nëse do të ishin, atëherë njeriu i bardhë do të kishte sjellë vaksina për HIV/AIDS”, ka deklaruar Magufuli, gjatë hapjes së një ferme të re në perëndim të vendit. “Ne në Tanzani nuk e kemi mbyllur veten dhe nuk presim të mbyllemi. Unë nuk pres të kumtojë ndonjë vendim për mbyllje, sepse Zoti ynë jeton dhe ai do të mbrojë qytetarët e Tanzanisë”.

Tanzania nuk ka publikuar shifra nacionale në lidhje me koronavirusin që nga 8 maji. Deri në atë moment ka raportuar 509 raste me koronavirus dhe 21 të vdekur.

Ndryshe nga shumica e shteteve, qytetarëve në Tanzani i lejohet të mblidhen, si shembull, edhe për të shikuar sport.

Magufuli ka fituar edhe një mandat vitin e kaluar, por është përballur me akuza nga shtetet perëndimore dhe po ashtu nga partitë opozitare se po e shkatërron demokracinë në Tanzani. Ai e mohon këtë.

Presidenti po ashtu kishte kritikuar kitet testuese për koronavirus, duke thënë se kanë dhënë rezultat pozitiv edhe te një dhi dhe po ashtu te një frut që njihet si “pawpaw”. Ai ka promovuar ilaçe tradicionale, pa ofruar të dhëna apo dëshmi shkencore.