Botë

Një burrë bëhet personi i parë që kryen transplant të të dy krahëve

Një islandez, që është bërë personi i parë në botë që ka kryer transplantin e të dy krahëve, është duke u marrë veten mirë pas operimit, dy dekada pas aksidentit që i kushtoi rëndë, kanë njoftuar doktorët.

Ata kanë thënë se ende s’ka siguri për rehatinë që do të përjetojë Felix Gretarsson pas operimit më herët gjatë janarit në Lyon të Francës.

Por “duke i dhënë pak dikujt që ka pasur shumë mungesë, kjo do të thotë shumë”, ka thënë Aram Gazarian, kirurgu kryesor që kreu operimin, në një konferencë për media të premten. “Nëse ai mund të lëvizë krahun do të ishte ndryshim i jetës për të”.

48-vjeçari Gretarsson, elektricist, më 12 janar 1998 po punonte në një linjë të fuqishme rryme kur dogji të dy duart dhe u hodh në tokë. Pësoi lëndime të rënda dhe ishte tre muaj në komë para se të detyrohej amputimi i të dy krahëve. Kaloi nëpër disa operime, përfshirë një transplant të mëlçisë.

Kur pionieri i transplantit të krahëve, Jean-Michel Dubernard, e vizitoi Reykjavikun për një konferencë, Gretarssoni e pyeti nëse do të ishte e mundshme të kthente duart e humbura.

Operimi ishte “ëndrra e tij më e madhe”, ka thënë bashkëshortja e Gretarssonit, Sylwia, në këtë konferencë për media duke shtuar se për vete s’e kishte ndjerë të nevojshme këtë operim.

U desh të kalonin vite për të gjetur dhurues, ndërsa rreth 50 vetë staf mjekësor u desh të përfshihen në përgatitjet për operim. Katër ekipe kirurgësh ndërhynë për të minimizuar kohën e bartjes nga dhuruesi te marrësi.

Doktorët kanë thënë se presin që dora e djathtë të jetë më funksionale se e majta për shkak se asaj iu desh rindërtimi i plotë i krahut. Nëntë ditë pas operimit, ata thonë se s’kanë vënë re ndonjë komplikim te pacienti.

Ai është larg lëvizjes së krahëve të tij, por në konferencë u shfaq një video e shkurtër dhe ai dukej i lumtur me operimin.

“Me këtë nivel të amputimit, s’mund të premtojmë asgjë”, ka deklaruar Lionel Badet, që kishte lansuar protokollin mjekësor për operim më 2010. Gretarsson duhet të kalojë disa vite të riedukimit, por siç ka thënë doktori “do ta përkrahim përjetësisht”.