Botë

Navalny, halë në sy të Rusisë

Kthimi në Rusi nga Gjermania i liderit opozitar, Alexei Navalny, ishte shënuar me kaos dhe zemërim popullor, dhe ka përfunduar, pothuajse parashikueshëm, me arrestimin e tij.

Fluturimi i 17 janarit nga Berlini, ku Navalny kaloi pothuajse pesë muaj duke e marrë veten nga helmimi me agjent nervor, e bartte atë dhe bashkëshorten e tij, bashkë me një grup gazetarësh që e dokumentonin rrugëtimin. Por aeroplani ka trazuar rrugë nga aeroporti i synuar në Moskë drejt një tjetri në kryeqytet, në atë që shihej si përpjekje e qartë për ta shmangur turmën brohoritëse që po e priste.

Autoritetet e vënë menjëherë në mbajtje, duke nxitur zemërim në vend dhe gjetkë. Disa vende perëndimore kërcënuan me sanksione, ndërsa ekipi i tij thirri demonstrata mbarëkombëtare për të shtunën.

Navalny e kishte përgatitur vetë befasinë e tij për kthimin: Një videoekspoze që pretendonte se një “pallat” luksoz ishte ndërtuar për presidentin Vladimir Putin në Detin e Zi, nëpërmjet një skeme të shtjelluar korruptuese. Ekipi i tij e postoi atë në YouTube të martën, dhe brenda 48 orësh u shikua nga më shumë se 42 milionë persona.

Navalny përballet me burgim shumëvjeçar bazuar në dënimin e mëhershëm, për të cilin ai thotë të ishte politikisht i motivuar, derisa komentuesit politik pretendojnë se gjasat për të nuk janë të mira në Kremlin.

Por si u bë që Navalny të bëhet një halë kaq e madhe në sytë e Kremlinit dhe Rusisë.

Kush është Navalny?

Shtatgjati biond, 44-vjeçar, është një aktivist antikorrupsion dhe njëri prej kritikëve më në zë të Kremlinit. Ai ka tejkaluar shumë figura opozitare dhe është i palëkundur nga përpjekjet e vazhdueshme për t’ia ndalur punën.

Ka publikuar një sërë raportesh mallkuese që e ekspozojnë korrupsionin në Rusinë e Putinit. Ka qenë figura jehuese në protestat masive, përfshirë ato të pashembulltat të viteve 2011-12, që ishin nxitur nga raportet për mashtrime të gjithmbarshme në zgjedhjet parlamentare.

Navalny ishte dënuar dy herë për akuza kriminale: përvetësim fondesh dhe më vonë mashtrim. Është dënuar me kusht, me pesë dhe tre vjet e gjysmë. I ka denoncuar dënimet si politikisht të motivuara, derisa Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut i ka hedhur poshtë që të dyja dënimet. Ia mësyu që ta sfidonte Putinin në zgjedhjet e 2018-s, por iu ndalua kandidimi shkaku i njërit prej dënimeve. Megjithëkëtë, ai tërhoqi prapa vetes turma të mbështetësve pothuajse kudo që shkoi në vend. I arrestuar vazhdimisht, ai ka shërbyer disa dënime me burgim për akuzat e ndërlidhura me udhëheqjen e protestave. Më 2017, një sulmues hodhi lëng të gjelbër antiseptik në fytyrë, duke ia dëmtuar shikimin. Ishte hospitalizuar edhe më 2019, pas një helmimi të dyshuar derisa ishte në burg.

Asnjëra prej këtyre nuk e ndali.

Në gusht të 2020-s, u sëmur rëndë derisa po fluturonte për në Siberi dhe aeroplani i tij aterroi në Omsk, ku u hospitalizua. Mbështetësit e tij ia dolën që ta dërgonin drejt Berlinit, ku u shtri në gjendje kome për më shumë se dy javë dhe ishte diagnostikuar si i helmuar me agjentin nervor të kohës sovjetike – një pretendim ky të cilin Kremlini e ka mohuar.

Pas shërimit, Navalny e publikoi një telefonatë të xhiruar me një burrë, për të cilin pretendoi të ishte anëtar i Shërbimit Federal rus të Sigurisë (FSB), që supozohet se e kishte helmuar. FSB-ja e denoncoi xhirimin si të rremë, por përmbajtja megjithëkëtë shokoi shumëkënd në vend dhe gjetkë. Pas kësaj, u zotua të kthehej në Rusi dhe ta vazhdonte punën, ani pse kërcënohej me arrestim.

A e kërcënon Navalny Kremlinin?

Putini kurrë nuk i referohet Navalnyt me emër, ndërsa mediat shtetërore e portretizojnë si bloger të parëndësishëm. Por ai ia ka dalë që ta zgjerojë depërtimin e tij bukur përtej Moskës, nëpërmjet llogarive të tij tejet popullore në YouTube.

Me anë të këtyre dhe shumë mjeteve të tjera që i ka në dispozicion, analistët besojnë se Navalny është në gjendje që të ndikojë në votime, gjë kjo që për Kremlinin do të ishte një arsye e mjaftueshme për ta synuar eliminimin e tij.

Analistët pretendojnë se kthimi i Navalnyt përbën një goditje veçanërisht të rëndë për imazhin e Putinit dhe e fut Kremlinin në një dilemë të madhe.

Me Navalnyn në Rusi, komentuesit pretendojnë se Kremlini nuk ka ndonjë opsion të mirë në duar: burgosja e Navalnyt për një kohë të gjatë do ta shndërronte atë në një figurë martiri dhe do të mund të hapte rrugën për protesta masive, teksa lirimi i tij do të kërcënonte zgjedhjet parlamentare.

Deri më tani, shtypjet vetëm sa e kanë ndihmuar Navalnyn.

Siç po qëndrojnë gjërat, të gjithë sytë tani janë kthyer tek protestat e planifikuara për të shtunën. Më 2013, Navalny ishte liruar ngutshëm nga burgu, pas një dënimi pesëvjeçar për përvetësim fondesh. Krejt kjo pas një tubimi masiv të organizuar në afërsi të dyerve të Kremlinit.

Qeveria e Putinit që atëherë është bërë edhe më e sertë ndaj disidencës, andaj është pak e mundur që protestat masive ta nxisin lirimin e menjëhershëm të Navalnyt, pretendojnë analistët. Por Kremlini ende druan se një veprim i ashpër mund ta destabilizojë gjendjen dhe se turmat masive në protesta mund të shpërfaqin qëndrimin publik për sa i përket reagimit kundër burgosjes së gjatë të Navalnyt. \ AP