Botë

Bideni ndryshon Amerikën përnjëherë – por sfidat e mëdha ende e presin

Descriptive Text

Secilin hap që Bideni ndërmori gjatë së enjtes e dërgoi një mesazh të qartë: Amerika është në shteg të ri. I ulur pranë tryezës së tij në Zyrën Ovale nënshkroi një deng urdhrash ekzekutivë, duke e konfirmuar rikthimin e SHBA-së në marrëveshjen klimatike të Parisit, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe duke i dhënë fund ndalesës së udhëtimit për qytetarët nga disa vende me shumicë myslimane

Washington, 21 janar (CNN) – Mëngjesin e parë të Joe Bidenit president, Amerika ka ndryshuar krejtësisht, dhe aspak fare.

Duke e rrënuar trashëgiminë e Donald Trumpit, Bideni po e demonstron potencialin e madh të zyrës së tij për ta rikthyer drejtimin e vendit me hapa të shpejtë. Ai i kishte përcjellë nëntë presidentë përpara se të vinte vetë në Washington, dhe këtë po e shpërfaq. Kryekomandanti i ri i përdori mjetet e njohura të pushtetit dhe e shpërfaqi teatralisht mjeshtërinë për nisjen e një epoke të re politike, vetëm pak orë para betimit.

Secilin hap që Bideni ndërmori të enjten dërgoi një mesazh të qartë: Amerika është në shteg të ri.

I ulur pranë tryezës së tij në Zyrën Ovale nënshkroi një deng urdhrash ekzekutivë, duke e konfirmuar rikthimin e SHBA-së në marrëveshjen klimatike të Parisit, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe duke i dhënë fund ndalesës së udhëtimit për qytetarët nga disa vende me shumicë myslimane.

Nënshkrimet e ngutshme të Bidenit nuk ia dërguan botës vetëm sinjalin se Amerika siç e kishin njohur për vite me radhë aleatët e saj, është rikthyer. Por e ekspozuan edhe dobësinë kyç të presidencës Trump: Zaptimin qëllimlig të pushtetit ekzekutiv për rrëmbimin e ballinave.

LEXO EDHE: Bideni heq bllokadën ndaj udhëtarëve nga shtetet myslimane

E pas nënshkrimeve, zyra e tij e dha edhe një sinjal tjetër të rëndësishëm në rrafshin e politikave të jashtme.

U bë e ditur se Bideni do t’ia propozojë Rusisë zgjatjen pesëvjeçare të traktatit bërthamor, që e kufizon numrin e armëve strategjike bërthamore të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë. Këshilltari i tij për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, pritet që t’ia paraqesë propozimin ambasadorit rus në SHBA, Anatoly Antonov, ka thënë një zyrtar, i cili foli nën kushtin e anonimitetit, meqenëse çështja e diskutuar ende nuk është shpallur publikisht nga administrata. Një zyrtar i dytë ka konfirmuar, po ashtu, propozimin, por nuk ka ofruar hollësi. Veprimi pritet të mirëpritet si nga Rusia ashtu edhe nga aleatët kryesorë amerikanë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u ka bërë thirrje të enjten SHBA-së dhe Rusisë që ta zgjasin dhe më vonë ta zgjerojnë traktatin, prej të cilit palët ishin tërhequr gjatë mandatit të Trumpit. E nënshkruar në vitin 2010 nga ish-presidenti Barack Obama dhe presidenti i atëhershëm rus, Dmitry Medvedev, marrëveshja që skadon më 5 shkurt e kufizon në jo më shumë se 1 mijë e 550 numrin e armëve strategjike bërthamore të vendeve.

Ditë të vështira në ardhje

Image

Në shumë mënyra, presidenti i 46-të e ka kthyer Washingtonin në normalitetin e tij të vjetër. Dhe s’ka dyshim se mbështetësit e Trumpit do ta shohin vetë ridekordimin e Pennsylvania Avenues si një tregues se “establishmenti” i është vënë përsëri nën kontroll.

Por, megjithëkëtë, ekzistojnë një mal rikujtuesish që tregojnë se sfidat që do ta përcaktojnë fatin e presidencës Biden janë përnjëmend të vështira për t’i zgjidhur.

Fjalimet nuk mund t’i korrigjojnë pabarazinë racore dhe ekonomike që kanë lënë vragë në Amerikë. Kriza klimatike po i përkeqëson thatësinë dhe zjarret. Presidenca Trump ka validizuar ngritjen e nacionalizmit të bardhë.

Gjetkë, fuqia e re e Lindjes – Kina – po e sfidon dominimin amerikan.

Heshtja mbytëse që përshëndeti autokolonën e Bidenit teksa po i afrohej Shtëpisë së Bardhë përgjatë rrugëve të boshatisura ishte një tjetër rikujtues i kërcënimit plandosës të sigurisë që ka mbërthyer Washingtonin, pasi që Trumpi nxiti kryengritje kundër Kongresit vetëm dy javë më parë.

“Presidenti i ri është plotësisht i vetëdijshëm se shumëkush, madje edhe nga vetë ana e tij, rrokullis sytë karshi besimit të tij disi të dalë mode se Amerika është një vend – ani pse me miliona votues të Trumpit besojnë se ai i ka vjedhur zgjedhjet”, thuhet në një analizë të agjencisë amerikane CNN.

“E di se të folurit për unitetin mund të tingëllojë si një lloj fantazie qesharake”, ka thënë ai në adresimin e inaugurimit. “E di se forcat që na ndajnë janë të thella dhe janë reale”.

Por, Bideni vuri bast të fuqishëm se përkundër të çarave që janë më të thella se kurdoherë që nga Lufta Civile, eksperimenti amerikan është i fuqishëm. Kjo pa marrë parasysh se vendi shpesh duket sikur po ecën në dy drejtime të veçanta kulturore, racore dhe shoqërore.

“Do t’ia dalim së bashku”

Shtëpia e Bardhë e re e nisi ditën e së enjtes me adresimin e kërcënimit dërrmues nga pandemia – pas më shumë se 400.000 amerikanëve të vdekur.

Derisa ofroi një premtim të zorshëm për një të ardhme më të shëndetshme, Bideni e bëri edhe një paralajmërim të matur se rruga e ecjes përpara do të jetë e përshkuar nga humbjet.

“Do të na duhet e gjithë forca që e kemi për të qenë këmbëngulës në këtë dimër të errët”, ka thënë ai, duke premtuar se politika më në fund do të lihet anash në lojën e tmerrshme të pandemisë.

Fjalët e sinqerta të Bidenit ishin një tjetër shkëputje e theksueshme prej pararendësit, i cili kishte mohuar virusin si problem, duke parashikuar se ai do të zhdukej mrekullueshëm dhe duke i rrezikuar vetë përpjekjet e Qeverisë së tij për ta ngadalësuar përhapjen vdekjeprurëse.

Plani që Bideni propozoi – bartjen e maskave, distancën fizike dhe iniciativën e re për përshpejtimin e procesit skajshmërisht të ngadaltë të shpërndarjes së vaksinave – do të kërkojë angazhim të vëmendshëm prej një vendi të unifikuar; një metaforë kjo, në njëfarë mënyre, për të gjithë filozofinë e tij dhe qasje karshi presidencës.

“Ua premtoj këtë gjë: Siç e thotë Bibla, vajtimi mund të zgjasë për një natë të tërë, por gëzimi vjen në mëngjes. Do t’ia dalim në këtë, të gjithë së bashku”, ka thënë Bideni.

Ditët në vijim do të tregojnë nëse besimi i presidentit në Amerikë është i justifikuar.