Botë

Bideni nis ndryshimet, SHBA-ja zotohet për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra

Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Joe Bidenin në krye synojnë që t’i bashkohen skemës së COVAX-it për distribuimin e vaksinave kundër COVID-19 në shtetet më të varfra.

Kështu ka bërë të ditur këshilltari shëndetësor i presidentit, Anthony Fauci, duke e konfirmuar vazhdimin e angazhimit amerikan në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, pas vendimit të presidentit të mëparshëm, Donald Trump, për ngrirjen e fondeve kësaj organizate.

Sipas Faucit, pakot e para të vaksinave kundër koronavirusit pritet që të arrijnë nëpër shtetet e varfra qysh në muajin shkurt.

Fauci ka thënë se SHBA-ja do të bashkëpunojë me agjencinë e Kombeve të Bashkuara në shumë çështje rreth pandemisë, duke filluar me përshpejtimin e shpërndarjes së vaksinave në dispozicion.

Trumpi kishte ndalur fondet për OBSH-në dhe kishte paralajmëruar tërheqjen nga anëtarësia në këtë organizatë, në korrik të vitit 2021.

Kjo tërheqje ishte pjesë e planit të tij për largim nga organizatat e mëdha ndërkombëtare.

Gjatë fazës së parë të pandemisë së COVID-19, Trumpi e kishte akuzuar OBSH-në se po ia mbante anën Kinës dhe e kishte cilësuar madje si kukull të Kinës.

Fauci i ka kërkuar OBSH-së transparencë të plotë në lidhje me misionin e saj për hetimin e origjinës së pandemisë në Wuhan, me qëllim që në të ardhmen shëndetësia të jetë më e përgatitur për viruset e panjohura.