Botë

Mashtrimet në kohën e “fakteve alternative” të Trumpit

Në zyrë Trumpi përdori fuqinë e jashtëzakonshme si president, për t’iu thënë amerikanëve që të mos u besonin atyre që po i shihnin me sy

Washington, (AP) – E vërteta e zuri Donald Trumpin pas disa vjetësh ndjekjeje. Presidenti i shkarkuar dy herë brenda mandatit nga Dhoma e Përfaqësuesve ia ujdisi vetes një botë imagjinare në zyrë, me veten si yll të saj. Në këtë botë i ka bëri gjërat më të mëdha në mënyrë më të mirë dhe më të vendosur se të gjithë të tjerët që ishte para tij, teksa po përballej me armiqtë më shkatërrues sesa cilido tjetër.

Në shërbim të egos, natyrës dhe bindjeve të tij për rizgjedhje, ai tha gjërat që jo vetëm se ishin të gabuara, por fiks të kundërta me të duhurat. I ka përsëritur aq shumë, në çdo hap e kërcim, dhe nuk është ndalur as atëherë kur mashtrimet e tij kanë dalë në pah.

Jemi duke e zënë ngushtë virusin, ka thënë ai vazhdimisht, kurse realiteti evident tregonte se faza më vdekjeprurëse e pandemisë sapo kishte nisur. Në kulmin e këtij rreziku, ai e përhapi dyshimin se maskat i bëjnë njerëzit më të cenueshëm karshi COVID-19, e jo më të mbrojtur.

Pastaj ndodhi disfata e tij zgjedhore dhe një kthesë kërcënuese në historinë e tij jetësore të sulmimit të fakteve.

Pasoja madhore e një gënjeshtre

Pikërisht kjo ishte koha kur Trumpi, i cili për muaj me radhë deklaronte se zgjedhjet i ishin vjedhur, e tjerri rrjetin e mashtrimeve dhe mohimit në një përpjekje për ta përmbysur vullnetin e votuesve, duke kombinuar fjalët e tij me veprime të furishme në gjykata dhe me frikësimin e zyrtarëve të zgjedhjeve. Gjithçka shpërtheu në kryengritje të dhunshme në Capitol, prej anës së ndjekësve të ndezur nga gënjeshtra e tij e vazhdueshme dhe flagrante.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kishin shpallur veten pishtar të demokracisë, dhe ajo që duhej të ishte shtëpia e mrekullueshme në kodrinë, u vunë nën shkëndijat e gazit ndezës të tij.

“Kush është banane republikë tani?” – pyesnin gazetat në Keni dhe Kolumbi, shtete një oqean larg nga Amerika.

Trumpi e lë Bidenin me një mal punësh që kërkojnë riparim në besueshmërinë e Qeverisë në shtetin në të cilin me miliona njerëz ishin pjesë e rrugëtimit imagjinar të presidentit – duke u besuar gënjeshtrave këmbëngulëse të tij për maskat, mashtrimet zgjedhore të socialistëve në krye të fuqisë, protestuesit ekstremë që bënin kërdinë nëpër rrugë dhe rrënuesit e tij në çdo cep.

Është kjo një trashëgimi e “të menduarit magjik”, ka thënë përfaqësuesi demokrat, Jamie Raskin, nga Marylandi. “Ata e kanë një realitet krejtësisht të pavarur, të shkëputur prej pjesës së botës së fakteve”.

Kjo, ai tha, është rruga drejt fashizmit. E kudo që kjo rrugë të shpjerë, është punë e Bidenit që të mundohet t’ia ndërrojë kahun.

Muri i gjallë

Dy prej trashëgimive të Trumpit u përplasën me njëra-tjetrën derisa ishte ende në pushtet.

Njëra ishte suksesi i tij në riformësimin e gjykatave federale dhe të Gjykatës Supreme sipas vijave konservatore, një arritje kjo që do të ndikojë në drejtimin e vendit për vite me radhë. Tjetra ishte kapaciteti i tij identifikues për dezinformim.

Në psikologji, shkëndijat e gazit e nënkuptojnë manipulimin e njerëzve për t’i vënë në dyshim perceptimet, kujtimet apo madje edhe gjendjen e tyre mendore. Mirëpo kjo gjë priret të mos funksionojë fort tek gjyqtarët.

Gjykatat dolën të ishin muri i gjallë që u dolën në ballë intrigave të Trumpit. Tre gjyqtarët që ai i kishte vendosur në gjykatën e lartë nuk bënë gjë për ta ndihmuar kur e kishin rastin. Me dhjetëra gjyqtarë federalë – në mesin e të cilëve edhe të nominuarit e Trumpit – e bllokuan shtegun e tij, duke mos gjetur mbështetje për ankesat e tij rreth manipulimit të votimeve dhe numërimeve.

Megjithatë, ai e kishte zhvilluar luftën me mbështetjen e legjioneve të votuesve të tij dhe të më shumë se 100 republikanëve në Kongres, të cilët e përkrahën sfidën e tij për certifikimin e fitores së Bidenit me të njëjtat pretendime false të shfaqura më parë nga Trumpi.

“Është shumë me rëndësi që presidenti i Shteteve të Bashkuara i hodhi zjarr radikalizmit”, ka thënë Kori Schake, këshilltare e lartë për siguri në Departamentin e Shtetit gjatë administratës së George W. Bush. Ajo vë bast se shpresa “do t’i ndihmojë, kur më nuk do të ketë rast”.

Duke qenë aq i palëkundur karshi të vërtetës, Trumpi i qëndroi besnik karakterit të tij të përnjëmendtë në Shtëpinë e Bardhë.

Harku i jetës së tij zbulon trillimin dhe ekzagjerimin këmbëngulës, si dhe një nënvlerësim të madh që i atribuohet atij në kujtimet dhe guximin e tij: “Një hiperbolë e vogël kurrë nuk dhemb”. Ndoshta pak?

“Vaksina jam unë”

Në ditët e tij, si një magnat i patundshmërive i uritur për publicitet në New York, ai do të pretendonte të ishte publicisti John Miller kur fliste në telefon me mediat dhe mbillte sekrete lajkatare për Donald Trumpin, si ajo se “aktoret thjeshtë e telefonojnë për të parë nëse mund të dilnin në takim me të, dhe këso gjërash”.

Këto marifete të tij nisën të merrnin përmasa më të mëdha, me pasoja të thella - siç ishte rasti me gënjeshtrën se presidenti Barack Obama nuk kishte lindur në SHBA dhe se për këtë shkak nuk është president legjitim. Gënjeshtra aq mori dhenë në ndërgjegjen publike, saqë Shtëpia e Bardhë e Obamas u detyrua të publikonte një kopje të certifikatës së tij të lindjes për t’iu kundërvënë Trumpit .

Në zyre, Trumpi përdori fuqinë e jashtëzakonshme si president për t’iu thënë amerikanëve që të mos u besonin as atyre që u shihnin sytë.

Më vonë, Trumpi e zbehu kërcënimin nga koronavirusi teksa thoshte se këto punë i dinte mirë. Gjatë vjeshtës, me javë të tëra kishte thënë se SHBA-ja “e ka zënë ngushtë” pandeminë, ani pse numri i rasteve të reja po ngrihej hovshëm nëpër krejt vendin. Ai u bëri thirrje besnikëve të tij që të mos mbroheshin. U tha se njerëzit që mbajnë maska sëmuren nga COVID-19. E kjo ishte larg prej të vërtetës.

Gjatë mandatit të tij, të shkohej në rrjedhën e Trumpit nënkuptonte ndaljen e logjikës, shpërfilljen e aritmetikës dhe të anashkalohej fakti se deklarata e tij më e fundit ishte krejt e kundërt me ato që kishte thënë ditë më parë. Kishte kuptimin e blerjes së “fakteve alternative” – frazë kjo që çoi në hënë shitjet e librit distopik “1984” nga George Orwelli, kur ai u përmend nga një këshilltar i Trumpit.

Lavdëroi numrat e paqenë ekonomikë. Keqprezantoi të gjitha bisedat që bëri me liderët e huaj. Pohoi se kishte shpëtuar Kërshëndellat nga antikrishterët, duke deklaruar famshëm se “vaksina jam unë”. Bujës së tij gjatë mandatit ia vuri pikën me pohimet se zgjedhjet ishin të manipuluar dhe se ato në fakt i kishte fituar vetë ai.

“Ka arritur në pikën ku Donald Trumpi ka thënë aq shumë gënjeshtra në lloj-lloj mënyre... të detyron të pyesësh veten nëse jemi duke jetuar në një botë pas së vërtetës”, ka thënë Richard Waterman, profesor i shkencave politike që studion Presidencën në Universitetin e Kentuckyt.

Sondazhet vazhdimisht kanë treguar se përkrahësit e Trumpit i besojnë atij më shumë sesa burimeve objektive, edhe atëherë kur ai e kishte pafundësisht gabim. Një numër i madh i amerikanëve kanë thënë se besojnë në manipulimin e zgjedhjeve, kur Trumpi iu thotë kësisoj, para fytyrës së gjyqtarëve dhe zyrtarëve shtetërorë e federalë, guvernatorëve republikanë. Krejt këta thanë se zgjedhjet nuk ishin të manipuluara.

Image

Nga skena

Fabrikimet e Trumpit ishin zemra e tubimeve të tij. Falsifikimet e ushqyen karizmin e tij. Në një tubim paszgjedhor në Georgia, Trumpi bëri fushatë për gati dy orë me një fjalim në të cilin më lehtë dalloheshin deklaratat e vërteta sesa ato të rrejshmet, sepse kishte shumë pak prej tyre.

Demokratët, tha ai, “duan të rrëzojnë ndërtesat dhe t’i rindërtojnë ato pa dritare. Unë i dua dritaret. Ata duan t’ua marrin edhe Kërshëndellat e bukura që sapo i kemi kthyer”.

“E dimë se demokratët do të kenë njerëz të vdekur për të votuar dhe duhet të kujdeseni – njerëz të vdekur. Nuk do ta besonit sesa jashtëtokësorë të jashtëligjshëm do të mbushin kutitë për njerëzit që nuk ekzistojnë”.

Nuk kishte rëndësi. Qoftë nëse kori i përkrahësve të tij besonte ose jo se po e fliste krejt të vërtetën, ata besonin se po e tregonte të vërtetën e tyre. Asnjëherë më shumë sesa kur iu vu pas elitave.

E vërteta dhe pasojat

Marrëdhënia e brishtë e Trumpit me faktet shkon përtej fjalëve të veta. Zyrtarët që ishin strukur nën çadrat e thënies të së vërtetës apo zbulimit të saj përfunduan në pozita të këqija të presidencës së tij.

Shkarkoi ose i uli nga detyra gjysmën e inspektorëve të përgjithshëm që dolën kundër pretendimeve për mashtrim. Shkencëtarët jopartiakë që nuk bëzanin ndaj deklaratave të tij për pandeminë, e fituan zemërimin ose anashkalimin e tij, ose të dyja bashkë.

Në mesin e tyre ishte edhe eksperti Anthony Fauci, që mori masa sigurie për familjen, shkaku i kërcënimeve. Njëjtë vepruan edhe disa zyrtarë shtetërorë dhe të zgjedhjeve, kur Trumpi iu vu pas shkaku i refuzimit për t’i bërë të ligjshme gënjeshtrat e tij. Zyrtarët e tjerë që u identifikuan nga Trumpi u detyruan të fshiheshin prej tij.

Mark K. Updegrove, historian i presidentëve, ka thënë se presidentët që janë lart në panteon, kanë qenë ata që njiheshin për integritet.

“Biseda do të ketë rol të madh në presidencën e Trumpit kur ne do të kthehemi prapa në kohë. Dhe paaftësia e tij për të thënë vazhdimisht të vërtetën”, ka thënë ai.

Sa për dijeni, ka një mori librash të mbushur me sqarime se si presidentët e kanë poshtëruar veten, kanë zhvilluar luftëra sekrete, kanë eliminuar kundërshtarë me taktika dinake, kanë gënjyer për seksin, kanë thyer premtime dhe kanë shmangur të vërtetën që nuk u konvenoi. Por mashtrimet sistematike të “fakteve alternative” të Trumpit ishin si kurrë më parë.

Teksa tentonte të sqaronte frazën e saj, këshilltarja e Trumpit, Kellyanne Conway, ka thënë se ka shumë alternativa për të arritur deri te e vërteta. Dy plus dy bëjnë katër, ka thënë ajo, por edhe tri plus një bëjnë po aq.

Sido që të jetë, kështu nuk funksionon Trumpi. Dy plus dy në mendjen e tij është numër astronomik. Ndoshta numri më i madh ndonjëherë. Së paku kështu thotë ai vetë.