Botë

“Pfizeri” rrallon furnizimin me vaksina, shtetet e BE-së të pakënaqura

Descriptive Text

Shtete të shumta të Bashkimit Evropian kanë marrë më pak doza të vaksinës “Pfizer”, për shkak se kjo firmë amerikane e ka ngadalësuar dërgimin e pakove.

Gjashtë shtete evropiane e kanë cilësuar situatën të papranueshme dhe kanë paralajmëruar se ky rast do ta zbehë besueshmërinë e procesit të vaksinimit.

Suedia, Danimarka, Finlanda, Lituania, Letonia dhe Estonia, i kanë bërë thirrje BE-së që të bëjë presion ndaj kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”.

Gjiganti farmaceutik është arsyetuar se reduktimi i dërgesave të vaksinës është një problem i përkohshëm. Ka sqaruar se dërgesat janë prekur nga ndryshimet në procesin e prodhimit, që është dizajnuar për ta fuqizuar prodhimin e më shumë dozave të vaksinave.

BE-ja nuk varet vetëm nga vaksinat “Pfizer”, pasi në javët e fundit ka miratuar përdorimin edhe të vaksinës së “Modernas”.

Gjatë javës së kaluar, BE-ja ka konfirmuar se Evropa do të furnizohet me 600 milionë doza në vitin 2021.