Botë

Fundi i neutralitetit të Zvicrës

Vendi është duke bërë fushatë për një ulëse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por ky rol do të binte ndesh me disa prej parimeve themelore të politikave të jashtme zvicerane

Fundtetorin e shkuar Zvicra e nisi zyrtarisht fushatën e saj të parë ndonjëherë zgjedhore për një vend të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Si pjesë e ngjarjes virtuale, misioni zviceran në New York City u dërgoi çanta me të mira delegacioneve nga vendet e tjera që përfundimisht do të votojnë për të vendosur nëse Zvicra do të mund të zërë një ulëse në Këshill. Fjala është për çokolatat e famshme dhe djathin e veçantë zviceran.

Në një analizë për revistën amerikane “Foreign Policy” të gazetares Stephanie Fillion, të specializuar në fushën e politikave dhe marrëdhënieve me jashtë, diplomacia zvicerane me djathë e çokolata është intensifikuar në prag të votimit të qershorit të 2022-s. Në Këshill janë dy vende të përkohshme të ndara për shtetet perëndimore në periudhën e viteve 2023-2024 dhe i vetmi kandidat tjetër që garon është Malta. Megjithëkëtë, fushata – për të cilën janë alokuar rreth 26 milionë dollarë nga Qeveria – është ndeshur me kundërthënie.

“Kjo e momentit është një situatë shumë interesante, jo për shkak se e kemi këtë situatë të qartë me Maltën, por ngase kundërshtimi po vjen nga brendësia”, ka thënë për “Foreign Policy” Angela Müller nënkryetarja e asociacionit zviceran të OKB-së.

Neutraliteti, ADN-ja e Zvicrës

Për disa në Zvicër, ulësja në trupin më të lartë të sigurisë në botë – ajo që e ka fuqinë të ndërmarrë veprim ushtarak për të rikthyer paqen po qe se vlerësohet e nevojshme – mund ta dëmtojë reputacionin unik ndërkombëtar të vendit si një fuqi neutrale.

Si njërin prej këtyre kritikëve “FP”-ja e numëron Paul Widmerin, diplomatin e pensionuar zviceran që kishte mbajtur poste në Berlin, Aman, Zagreb, Washington dhe në OKB.

“Neutraliteti është bërë një shenjë jona dalluese”, ka thënë ai. “Nëpërmjet politikës së vazhdueshme të neutralitetit, Zvicra ka fituar kredibilitet të madh në politikat e jashtme”.

Analiza e revistës amerikane thekson se Zvicrës rregullisht i kërkohet që t’i përfaqësojë vendet, në të cilat nuk ekzistojnë marrëdhënie të krijuara diplomatike – si midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Iranit dhe Rusisë e Gjeorgjisë.

Piku i një diplomacie të tillë ishte shënuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Zvicra kishte 200 mandate në rreth 35 shtete. Ç’është e vërteta, neutraliteti i shtetit “është arsyeja pse shtetet i japin Zvicrës mandate ndërkombëtare – qoftë si një fuqi mbrojtëse, apo si ndërmjetëse”.

Neutraliteti i Zvicrës është sa ADN-ja e vendit aq edhe sistemi i saj ligjor, bën të ditur “Foreign Policy”. Ky status ishte përcaktuar në Kongresin e Vjenës më 1815 dhe nën Ligjin e Neutralitetit të 1907-s. Përmendet gjithashtu në Kushtetutën zvicerane.

Sidoqoftë, specifikat e politikës së neutralitetit të vendit kanë evoluar dekadave të fundit, sidomos pasi Zvicra u bë anëtare e plotë e OKB-së në fillim të të 2000-ve.

“Kemi arritur që t’u qëndrojmë larg dy luftërave botërore”, ka thënë Pascale Baeriswyl, ambasadore zvicerane në OKB. Shkaku se vendi nuk ishte përfshirë në ndonjë konflikt të armatosur për pothuajse dy shekuj, ka vazhduar ajo për “FP”, neutraliteti zviceran është shndërruar në diçka të ngjashme me mit kombëtar.

Për më tepër, ka thënë ajo, “në një vend kaq të larmishëm si Zvicra, mbështetja popullore për neutralitetin është gjë e mirë për kohezionin kombëtar”. Koncepti, megjithatë, kuptohet në shumë mënyra të ndryshme. Andaj, kur bëhet fjalë për angazhim në organizata ndërkombëtare, Baeriswyl thotë se duhet marrë sugjerime nga Ligji i neutralitetit.

“Nuk mund të mbështetemi në mite”, ka shtuar ajo.

Anëtarësimi i natyrshëm

Image

Ani pse Gjeneva është kryeqyteti evropian i Kombeve të Bashkuara, ajo nuk është anëtarësuar në këtë trup deri në një votim popullor të 2002-s. Që atëherë, Zvicra ka marrë pjesë në pothuajse të gjitha aktivitetet e trupit të OKB-së, përfshirë Asamblenë e Përgjithshme, Këshillin për të Drejtat e Njeriut dhe Këshillin Ekonomik e Social.

Tani, pas pothuajse 20 vjetësh në OKB, Baeriswyl beson se hapi i natyrshëm i radhës është një ulëse në Këshillin e Sigurimit.

“Ka qenë përherë e qartë se nëse duam që të jemi anëtar në OKB, ne duam që të jemi anëtar në të gjitha organet”, ka thënë ajo,

Këshilli Federal shtatanëtarësh i Zvicrës zyrtarisht ka vendosur për të kandiduar për një ulëse në Këshill të Sigurimit më 2011, pas konsultimeve me Komitetet parlamentare të vendit për Marrëdhënie me Jashtë, që e konsideruan këtë si një pasim të natyrshëm të anëtarësimit në OKB. Shqetësimet lidhur me neutralitetin janë bërë pjesë e debatit që atëherë.

Më 2015, për shembull, Këshilli Federal madje e publikoi një raport mbi situatat e mundshme që do të mund ta rrezikonin neutralitetin e Zvicrës. “Foreign Policy” bën të ditur se raporti ka cekur se për bazë mund të merreshin rastet e vendeve të tjera – si Austria, Suedia (deri në njëfarë mase) dhe Kostarika – të cilat janë anëtarësuar, porse kanë abstenuar nga votimet lidhur me përdorimin e forcës. Megjithëkëtë, siç ka bërë të ditur një diplomat nga një tjetër vend neutral, akëcili prej këtyre vendeve ka pasur definicionin e vet për neutralitetin.

Për Kostarikën, për shembull, e nënkupton mosmilitarizimin. Për Zvicrën, neutralitetin e saj të armatosur.

Rreziqet kundruall përfitimeve

Deri më tani, fushata e Zvicrës për një ulëse ka mbijetuar çdo mocion parlamentar për zhbërjen e vendimit të vendit për kandidim dhe gara tani është pak a shumë punë e kryer. Sidoqoftë, në aspektin politik çështja mund të komplikohet edhe më tepër kur Zvicra në fakt ta gjejë vetën në sallat e Këshillit.

Ndasitë aktuale në Këshillin e Sigurimit ua kujtojnë disa diplomatëve periudhën e Luftës së Ftohtë, teksa përpjekjet e fuqive të mëdha për të mos mbajtur anë duken tani më sfiduese se kurrë.

“Cili do të ishte roli i Zvicrës po qe se Këshillit të Sigurimit i kërkohet nga Shtetet e Bashkuara që ta shtrëngojë regjimin e sanksioneve ndaj Iranit? A do të duhej të votonte për (dhe të nxiste pakënaqësinë e Iranit), apo të votonte kundër (dhe ta nxiste pakënaqësinë e SHBA-së), ose të abstenonte (dhe ta dobësonte vendimmarrjen në KS të OKS-së)?”, ka pyetur Widmer në shkrimin e “Foreign Policy”.

Megjithëkëtë, ambasadorja zvicerane në OKB, Baeriswyl, është e bindur se Zvicra do të mund t’i menaxhojë situatat e ngjashme në Këshill pa i dëmtuar marrëdhëniet e saj me njërën apo tjetrën palë.

“Neutraliteti kurrë nuk ka qenë neutral, kur bëhet fjalë për ligjin. Kurrë nuk ka qenë neutral, kur e kemi bërë një përkushtim”, ka shpjeguar ajo. “Neutraliteti vihet në theks kur ne nuk mbajmë anë në një konflikt, përveçse për ligjin humanitar dhe të drejtën ndërkombëtare. Vlen edhe për Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA)”.

Kur vjen puna te Këshilli i Sigurimit dhe JCPOA-ja, ajo thotë se “ekziston një unitet i madh”.

Ani pse synimi i Zvicrës për një ulëse nuk po sfidohet, fushata intensive e vendit në këtë synim po vazhdon. Mund të nevojitet diçka më tepër sesa djathi dhe çokollata për ta bindur akëcilin kanton të këtij vendi të larmishëm, por përkundër disa prapapedalimeve, “përfitimet (e të qenët në Këshill) peshojnë më rëndë se rreziqet”. Kjo të paktën, sipas konstatimit të ministrit të Jashtëm zviceran, Ignazio Cassic, në qershor.

Ulja në vendin e anëtarit të përkohshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është një synim madhor për cilindo vend dhe e nënkupton mundësinë reale për angazhim në fushën ndërkombëtare. Por vetëm koha mund të tregojë nëse rreziqet do t’ia vlejnë përfitimit. \ Analizë e “Foreign Policy Magazine”