Botë

SHBA-ja në udhëkryq në ditët e fundit të Trumpit

Kur kanë mbetur më pak se dy javë që presidenti i zgjedhur, Joe Biden, do ta marrë detyrën, kombi amerikan është në ethe – i pasigurt nëse Trumpi mund të shkaktojë edhe një raund dhune. Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Biden, raportoi agjencia Reuters, duke u mbështetur në deklaratën e një zyrtari të lartë të administratës amerikane

Uashington, 10 janar (Reuters/CNN) - Presidenca e Donald Trumpit është në ditët e saj të fundit të përshkuara nga spiralja e kaosit. Por në çdo orë që po kalon, Amerika po përballet me kërcënimin e ri për demokracinë e saj të brishtë, ka vlerësuar televizioni CNN në analizën e së dielës.

Kur kanë mbetur më pak se dy javë që presidenti i zgjedhur, Joe Biden, do ta marrë detyrën, kombi amerikan është nën ethe – i pasigurt nëse Trumpi mund të shkaktojë edhe një raund dhune.

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Biden, raportoi agjencia Reuters, duke u mbështetur në deklaratën e një zyrtari të lartë të administratës amerikane, të cilin nuk e identifikoi.

Pence nuk iu përgjigj thirrjes së presidentit aktual, Trump, për të kundërshtuar certifikimin e votave të Kolegjit Elektoral nga Kongresi. Një turmë mbështetësish të dhunshëm të Trumpit sulmuan Kongresin të mërkurën, në përpjekje për të ndalur procedurën e certifikimit. Nga trazirat mbetën të vdekur pesë persona.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, në fillim të javës tha se Pence do të ishte i mirëpritur në betimin e tij zyrtar më 20 janar. "Ne do të ishim të nderuar ta kemi atë atje dhe të ecim përpara në transicion", tha Biden.

Në postimin e fundit, para se llogaria e tij të hiqej përgjithmonë nga Twitter, Trump tha se nuk do të merrte pjesë në inaugurim.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, paralajmëroi se demokratët do të fillonin procesin e shkarkimit, nëse Trumpi nuk jep dorëheqje. Ajo i bëri thirrje zëvendëspresidentit Pence të mbështetet në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës, i cili ia lejon kabinetit qeveritar të heqë presidentin nga detyra.
Por Pence nuk ka folur publikisht për këtë temë. “New York Times” njoftoi të enjten se ai ishte kundër kësaj mase, e cila nuk është përdorur kurrë më parë në historinë e SHBA-së.

Ndërkohë, SHBA-ja po heq kufizimet në kontaktet midis zyrtarëve amerikanë dhe atyre tajvanë, tha sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Kufizimet u vendosën dekada më parë për të "qetësuar" Qeverinë kineze, e cila ka pretendime për ishullin, tha Departamenti i Shtetit i SHBA-së në një deklaratë.

Këto rregulla tani janë "të pavlefshme", thuhet në deklaratë.

Masa ka të ngjarë ta zemërojë Kinën dhe të rrisë tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit. Vendimi u mor derisa administrata e presidentit Trump hyn në ditët e saj të fundit, përpara inaugurimit të Bidenit. Ekipi i transicionit i Bidenit ka thënë se presidenti i zgjedhur është i përkushtuar për të ruajtur politikën e mëparshme të SHBA-së ndaj Tajvanit.

Sipas BBC-së, analistët thonë se administrata e re do të jetë e pakënaqur me një vendim të tillë politik që po merret në ditët e fundit të administratës Trump, por që masa mund të anulohet lehtësisht nga pasardhësi i Pompeos, Antony Blinken.

Kina e konsideron Tajvanin si një provincë të shkëputur, por udhëheqësit e Tajvanit pretendojnë se vendi është një shtet sovran. Marrëdhëniet midis Kinës dhe Tajvanit janë të dobëta dhe ekziston një kërcënim i vazhdueshëm i ndonjë zhvillimi të dhunshëm.